Lajme

Haziri: Për idealet dhe vizionin e Rugovës duhet edhe shumë punë

Autori: Gazeta inFokus 13:59 | 21 January 2019

Në përvjetorin e 13-të të vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, kryesia e LDK-së ka bërë homazhe te varri i tij. Ata po ashtu kanë bërë vizitë edhe te familja Rugova.

Në këtë përvjetor u tha se për idealet e tij për një Kosovë paqësore dhe të zhvilluar ekonomikisht, duhet edhe shumë punë për t’u bërë.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, tha se edhe  kundërshtarët më të mëdhenj, janë përulur pas vdekjes së tij.

-Advertisement-

Ai ka përmendur grevat dhe protestat në vend, duke shtuar se edhe faktori  ndërkombëtar me Kosovën është në marrëdhënie tensionuese.

“Idealet e tij për një Kosovë paqësore dhe të zhvilluar ekonomikisht, krenaret në traditat e veta dhe historinë e vet ka shumë për bërë. Qe sot Kosova është në protesta, sot Kosova është në grevë. Është një lloj kryengritje politike e brendshme që po shpërthen nga pakënaqësitë e ndryshme. Sot raportet edhe me fqinjët, edhe me faktorin ndërkombëtarë, Kosova është në marrëdhënie tensionuese fatkeqësisht dhe natyrisht është jashtë formatit dhe jashtë ideologjisë së rugovizmit që ai e ka lënë”, ka përfunduar Haziri.

Haziri thotë se ai ka qenë një politikan i pazëvendësueshëm dhe i pa arritshëm.

“Ky përvjetor i ndarjet nga jeta i presidentit historik dhe themeluesit të Republikës, është përvjetor i madh që ne me respekt dhe deri në gjunjëzim e respektojmë, veprën mbi të gjitha që e ka lënë prapa. Ka lënë një ideologji, e cila po vazhdon me shtet ndërtim, në ruajtjen e Republikës, në ndërtimin e paqes për të gjithë njerëzit, ndërtimin e paqes në regjion. Në luftën në paqe arma e tij ka qenë dialogu, durimi politikë, toleranca politike dhe respekti për më të vegjlit dhe më të dobëtit”, tha ai.

Në përvjetorin e vdekjes së Rugovës, ka folur edhe akademiku Sabri Hamiti. Ai tha se Rugova ishte burrë i pjekur intelektualisht, duke vlerësuar lartë idetë e tij të shtet-ndërtimit.

“Rugova ka qenë burrë i pjekur intelektualisht, i marum kur u maru LDK-ja. Ai u bo intelektual ekselent edhe pa u formu LDK-ja, veprimtaria është pjesa e dytë e tij. Por, edhe këtu është bërë ekselent, kështu që pak si vështirë është të bëhen dyjat, është fat i Kosovës. …Si gjithmonë e kujtojmë, jo vetëm sot, por do ta kujtojmë gjithë. Natyrisht sot është një ditë që e kujtojmë më veçantë. Që e ka brena dhimbjen, patjetër, por e ka edhe trashëgiminë që jeta pakufi nuk është e askujt…Unë mendoj që Rugova gjithnjë e më tepër kujtohet, bile kujtohet më i kulluem në idetë e tij, që i prodhon koha. Kështu që trashëgimtarët nëse e kanë marrë këtë trashëgimi… Juve ju kujtojmë se jeni familje”, ka thënë ai.

Rugova më 23 dhjetor të vitit 1989, u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë.

Më  21 janar të vitit 2006 ka vdekur ish-presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova. Ai aso kohe u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ

Të tjera