Lajme

​Haziri kërkon zgjedhje të reja: Kurti ka humbur legjitimitetin, të jap dorëheqje

Autori: Gazeta inFokus 13:48 | 22 July 2023

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se janë të gatshëm për zgjedhje të reja. Haziri, në një intervistë për KosovaPress kërkon nga kryeministri Albin Kurti të jap dorëheqje, pasi i sheh si vështirë të realizueshme mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë apo dhe shpërbërjen e Kuvendit. Sipas tij, pas zhvillimeve të fundit në vend dhe sanksioneve ndërkombëtare, Kurti ka humbur legjitimitetin, prandaj zgjedhjet janë një opsion serioz, siç thotë ai, për rikthimin e normalitetit në Kosovë.

Krahas kësaj, i dyti i LDK-së akuzon Kurtin se ka agjendë të fshehur në raport me dialogun me Serbinë. Derisa flet për KosovaPress edhe për mundësitë që LDK-ja të dalë me një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe zgjedhjet e brendshme në LDK.

Haziri nënvizon se LDK është e gatshme qysh nesër të shkojë në zgjedhje të përgjithshme të parakohshme, por kërkon një konsensus më të gjerë parlamentar, përfshirë edhe mazhorancën.

-Advertisement-

Përkitazi me këtë, Haziri thotë se po ofrojnë opsion ndryshe për qytetarët, këtë sipas tij e kanë dëshmuar edhe në iniciativën e tyre të takimeve “Rruga e re”.

Në anën tjetër, Haziri shprehet i tronditur me incidentin e javës së kaluar në Kuvend, ku thotë se zyrtarët e lartë qeveritarë kanë prekur në sovranitet, duke u grushtuar me deputetët e PDK-së.

Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Haziri akuzon kryeministrin Albin Kurti se ka agjendë të fshehur në këtë proces, duke përjashtuar opozitën, shoqërinë civile dhe kategoritë e tjera shoqërore.

Sipas tij, agjendat e fshehura janë të rrezikshme, prodhojnë rezultatet të papritura dhe të padëshiruara.

Nënkryetari i LDK-së, shton se kriza aktuale në veri është edhe tek hezitimi i kryeministrit Kurti të hartojë statutin e Asociacionit.

Ai është kritik ndaj Kurtit për qasjen e tij në raport me aleatët ndërkombëtarë, pasi përkundër dakoordimit në Bratislavë për depërshkallëzim të situatës në veri ende s’ka largim të masave ndëshkuese ndaj Kosovës që janë vendosur nga BE-ja.

Ndërkaq, Haziri, nënvizon se LDK-ja nuk do të propozojë asnjë draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe derisa është në opozitë.

Haziri për KosovaPress flet edhe për procesin zgjedhor në LDK, ku në shtator pritet të zgjidhet kryetari dhe strukturat e reja.

Ai e bën të qartë se kësaj radhe s’do të kandidojë për të qenë kryetar i LDK-së, ndërkohë thotë se kandidati i vetëm pritet të jetë kryetari aktual, Lumir Abdixhiku.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova hap degën më te re në qytetin e Suharekës
-Advertisement-

Të tjera