Lajme

Haziri e Haradinaj bisedojnë për investimet në Gjilan prej 50 milionë euro

Autori: Gazeta inFokus 13:36 | 04 March 2019

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim pune kryeministrin e Republikës, Ramush Haradinaj, me të cilin ka biseduar për planin e investimeve në komunë që kap shifrën e mbi 50 milionë eurove.

“Jemi në proces të zgjidhjes së një numri të çështjeve që lidhen direkt me zhvillimin e komunës, duke i zgjidhur problemet siç është impianti i ujërave të zeza. Jemi komuna e parë përfituese tashmë e pasqyruar edhe në buxhet nga ana Qeverisë në kredinë e BERZH, e po ashtu edhe në ndërtimin e rrugëve Gjilan-Prishtinë dhe Gjilan-Kllokot. Biseduam edhe për çështjen e teatrit të qytetit, varrezat e qytetit, aneks kontrata me Ministrinë e Shëndetësisë që ka të bëjë me QKMF, sikurse edhe çështje tjera që rekapitulohen në një fond të investimeve prej 50 milionë euro për Gjilanin në pesë sektorë të mëdhenj, pa e përfshirë autostradën e cila është ndërtim e sipër”, ka thënë Haziri pas takimit.

Gjatë adresimit para mediave, kreu i Gjilanit tha se po punohet edhe në zgjidhjen e problemit të kampusit të Univesitetit “Kadri Zeka”, e cila do të bëhet në një periudhë tranzitore prej tri vjetësh.

-Advertisement-

Kryeministri, Ramush Haradinaj, ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen, duke konfirmuar mbështetjen për Gjilanin në disa fusha.

“Biseduam për shumë tema, disa prej të cilave kanë avancuar. Është lajm i mirë zhvillimi për impiantin, por janë edhe disa lajme të tjera të mira që kanë ecur. I kemi edhe disa detyra që do t’i realizojmë bashkë dhe Zyra ime dhe ajo e kryetarit janë në proces të vazhdueshëm. Njëkohësisht, ajo që na intereson është që të bashkëveprojë niveli nacional dhe niveli lokal për zhvillimin ekonomik”, tha Haradinaj.

Pas takimit, kreu i Qeverisë do të vizitojë edhe disa kompani prodhuese që janë brend i Gjilanit.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera