Lajme

Haxhiu: Vetëvendosje nuk di për takimet me Thaçin , Kurti le ta thotë të vërtetën

Autori: Gazeta inFokus 20:57 | 13 January 2020

Publicisti Baton Haxhiu insiston në vërtetësinë e deklaratës së dhënë në Info Magazine të Kushtrim Sadikut, se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe presidenti Hashim Thaçi janë takuar edhe dy herë të tjera, para takimit zyrtar të 6 janarit në Presidencën e Kosovës.

Menjëherë pas kësaj deklarate erdhi reagimi nga Vetëvendosje. Zëdhënësi i kësaj partie, Arlind Manxhuka tha se ajo çka e ka thënë Baton Haxhiu për këto dy takime është gënjeshtër.

Ndërsa menjëherë ka ardhur edhe reagimi i Baton Haxhiut. Ai thotë se pajtohet me Manxhukën sepse ai e mbron të vërteten e tij por kërkon nga Albin Kurti që ta konfirmojë të vërtetën e madje tregon edhe se si kanë ndodhur ato takime.

“Para takimit zyrtar kanë ndodhur edhe dy takime tjera. Për hir të korrektësisë nuk dua ta përmend ndërmjetësuesin. Takimi i parë ka ndodhur me ndërmjetësimin e një institucioni ndërkombëtar. Takimi i dytë ka ndodhur me pajtimin e të dyve, pa ndërmjetësim. E kuptoj z.Manxhuka për reagimin e tij. Ai e ka thënë të vërtetën e tij. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje me siguri nuk i ka treguar për këtë takim askujt nga partia e tij. Pres nga Albin Kurti të më dëmtojë vet ai, nëse takimet nuk kanë ndodhur. Nëse kam gënjyer unë heq dorë nga jeta publike. Por, nëse ka gënjyer ai, duhet t’i kërkojë falje anëtarësisë së Lëvizjes Vetëvendosje, sepse nuk pranoj kërkim-falje nga ai”ka thënë Haxhiu./Gazeta inFokus/

Të tjera