Lajme

Haxhiu: Nëse PSD-ja është kundër Thaçit, le të dalë në protestë

Autori: Gazeta inFokus 23:53 | 19 September 2018

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se situata politike në Kosovë është në gjendje kritike dhe alarmante. Sipas saj, këto kanë mjaftuar që VV-ja të thërrasë për protestë më 29 shtator.

Në Interaktiv të KTV-së, ajo ka thënë se presidenti Hashim Thaçi ka hyrë në aventura personale me idenë për negocim territoresh me Serbinë dhe forma e vetme që ka mbetur për ta ndalur është protesta.

“Ka një kohë të gjatë që po e diskutojmë apo po koordinohemi brenda Kuvendit me një pjesë të opozitës për veprimet brenda Kuvendit, por edhe nismat brenda Kuvendit. Pas rrethanave të krijuara edhe në Kuvend, konsiderojmë se situata politike është në një gjendje kritike dhe është bërë alarmante sidomos pas idesë së rrezikshme të Hashim Thaçit për shkëmbim territorial. Është Thaçi që përmes konferencave ka ndërmarrë aventurë personale, ide shumë e rrezikshme, dhe konsiderojmë që e vetmja formë në rrethana të tilla kur kemi qeveri që injoron Kuvendin, është tepër e rëndësishme të organizojmë protestë”, ka thënë ajo.

-Advertisement-

Haxhiu ka folur edhe për ftesën për partitë tjera opozitare që të bashkohen në organizim të protestës dhe për mosdërgimin e ftesës për Partinë Socialdemokrate. Ajo ka thënë se kjo parti më parë është deklaruar se nuk organizon më protesta, dhe kjo ishte arsyeja pse nuk u kanë dërguar ftesë ish-bashkëpartiakëve. Sidoqoftë, Haxhiu ka thënë se edhe PSD-ja duhet të dalë në protestë nëse është kundër ideve të Thaçit. Haxhiu ka thënë se refuzimi i LDK-së për të bashkëorganizuar protestën është jo i drejtë. Sipas saj, kundër bashkëorganizimit ishin krerët e LDK-së, por jo edhe Grupi Parlamentar i kësaj partie.

“Konsideroj se është vendim jo i duhur dhe jo i drejtë. Kemi pas shumë takime. Në takime ka pasur disponim edhe për të organizuar bashkërisht protestën, por ata nuk janë të gatshëm. Shpresoj që qëndrimi i LDK-së, zonjës Osmani dhe i të tjerëve që ishin pro protestave, të jetë qëndrim i LDK-së. Kjo s’është protestë e VV-së, por protestë popullore dhe i ftojmë të vijnë. Po të vendoste grupi parlamentar do të ishte vendim tjetër, por ka vendosur kryesia. Po të ishte grupi parlamentar në krye do të vendosej pro. Kushdo që është kundër idesë së Thaçit duhet të dalë. Është organizim që e bën VV-ja dhe do të jetë protestë masive gjithëpopullore. Nëse u ka ngel hatri PSD-së nuk është faji jonë. Nuk u dërgojmë ftesa në zyre për të dalë në protestë. Ftesën e kemi bërë gjithmonë nëpër konferenca e deklarime publike. S’di çfarë po presin. Duket pak ton me inate. Zoti Molliqaj në këtë emision tha që nuk besoj se do të organizojmë ndonjëherë protesta. Nëse e kanë ndryshuar mendjen bëjnë mirë të bashkohen në protestë. Ata kanë thënë që s’bëhemi pjesë e organizimit andaj s’e kemi parë të arsyeshme t’i ftojmë siç kemi bërë me LDK-në. I thërras edhe ata nëse janë kundër Thaçit duhet t’i lënë inatet ndaj VV-së. Nëse besojnë që është e drejtë le të dalin. Ne do të dilnim po të organizonin ata në një pikë ku ne pajtohemi”, ka shtuar ajo.

Haxhiu ka pas kritikë për PSD-në. Sipas saj, PSD-ja është bërë bisht i qeverisë duke ua mundësuar kuorumin në Kuvend.

“Ata kanë thënë që s’po bëhen bisht i opozitës, por janë bërë bisht i pozitës”, ka thënë ajo.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Diplomon gjenerata e dytë e studentëve UNIK të UNI-të me diploma të fuqizuara nga Arizona State University
-Advertisement-

Të tjera