Lajme

Haxhiu kritikon emërimin e Bahri Hysenit në krye të KPK-së, thotë se duhet vetting

Autori: Gazeta inFokus 23:24 | 17 January 2019

Emërimin e Bahri Hysenit në krye të Këshillit Prokurorial të Kosovës, deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu e ka cilësuar “si kapje të sistemit të drejtësisë”, shkruan inFokus.

Në një postim në rrjetin social facebook, Haxhiu ka shkruar se votat për Bahri Hysenin, “u renditën si rruzat n’pe”.

“Sa herë pushteti aktual flet për sistemin e drejtësisë, në fakt është e qartë që po përgatiten për kapjen edhe më shumë të tij. Kësisoj ndodhi edhe së fundi me zgjedhjen e Bahri Hysenit në krye të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Ai i mori 10 vota për, me asnjë votë kundër e me asnjë abstenim nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, pra me një diciplinë militariste, si rruzat n’pe, u renditën krejt votat për Bahriun!”, ka shkruar Haxhiu.

-Advertisement-

Ajo ka thënë se në Kosovë ka nevojë për Vetting, që në krye të institucioneve “të mos emërohen njerëz si Bahri Hyseni”.

Bahri Hysenin, deputetja e VV-së e ka cilësuar si subjekt hetimi për afera korruptive.

“Çka mund të themi sot kur nga subjekt dyshimi e hetimi për aferë korruptive, Bahri Hyseni bëhet shef i organit për emërimin dhe shkarkimin e prokurorëve, përfshirë këtu edhe kryeprokurorin?! Është e qartë, me këtë nomenklaturë të njerëzve nuk ka as drejtësi, as zhvillim sikurse është e qartë që po të kishim vetting, asnjëherë në krye të institucioneve nuk do të mund të instaloheshin njerëz të tillë”, ka shkruar deputetja e VV-së në facebook.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera