Lajme

Haxhiu: Kalimi i Kicës në LDK, tradhti ndaj qytetarëve

Autori: Gazeta inFokus 07:29 | 08 September 2022

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka konsideruar tradhti largimin e deputetes Doarsa Kica – Xhelili nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ajo e quajti “goditje ndaj qytetarëve” lëvizjen e deputetes Kica – Xhelili, duke harruar se deputetja nga PDK, Adelina Grainca, kaloi në Lëvizjen Vetëvendosje kur kësaj partie i duheshin votat për ta bërë presidente Vjosa Osmanin. Sipas saj, situata është ndryshe me kalimin e Kica-Xhelilit në LDK.

“Unë vazhdimisht kam thënë se kalimi në këtë mënyrë, sidomos pas një mbështetje të madhe popullore që kemi pasur me programin që kemi garuar, mendoj që goditja i jepet qytetarëve, sepse kësi soji besimi që ia kanë dhënë qytetarët konsiderohet i pavlerë për to. Pra s’paska pasur rëndësi që ka pasur mbështetje keq të madhe qytetare”, tha Haxhiu.

-Advertisement-

“Në 2021 kemi pasur mbështetje të madhe prej qytetarëve të Kosovës, veprime të tilla mendoj se janë tradhti ndaj qytetarëve. Prandaj edhe mendoj se nuk vlerësohen këto veprime nga qytetarët. Pra atë që mund ta bëjnë qytetarët është që në zgjedhjet e ardhshme ata do të ndëshkojnë. Kështu ka treguar historia jo shumë e largët e jona”, shtoi ajo në ATV.

Haxhiu megjithatë thotë se edhe nëse Doarsa Kica-Xhelili kalon në LDK, kjo e fundit ka deklaruar se do ta mbështesë vettingun, proces për të cilin deputetja Kica-Xhelili kishte shprehur publikisht rezerva.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera