Lajme

Haxhiu: E tronditur nga tragjedia në Graçanicë, po angazhohemi për parandalimin e femicidit

Autori: Gazeta inFokus 16:46 | 02 August 2024

Një grua me inicialet M.Zh., nga Gushterica e Poshtme e komunës së Graçanicës, ka ndërruar jetë më 2 gusht në Qendrën Spitalore Klinike në Prishtinë, pasi burri i saj e kishte rrahur duke i shkaktuar lëndime të rënda.

Për këtë rast ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se është “e tronditur” nga kjo tragjedi.

“E tronditur thellësisht nga lajmi i një tragjedie të ndodhur në Graçanicë. Në mëngjesin e sotëm kuptuam që e ndjera M.Zh ka ndërruar jetë sot në Qendrën Spitalore Klinike në Prishtinë, pasi bashkëshorti i saj e kishte rrahur duke i shkaktuar lëndime të rënda. Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për humbjen tragjike të jetës së 41-vjeçares nga Graçanica”.

-Advertisement-

Haxhiu tha se dhuna ndaj grave është e papranueshme dhe tha se “po angazhohemi në vazhdimësi” për të parandaluar raste të tilla të femicidit.

“Rastet e dhunës dhe vrasjet e grave janë realiteti i frikshëm dhe i papranueshëm dhe po angazhohemi në vazhdimësi që të ngrisim vetëdijen shoqërore me qëllim të parandalimit të rasteve të dhunës dhe femicidit dhe që dhunuesit dhe vrasësit e grave të marrin dënimet maksimale. Është e nevojshme që institucionet përgjegjëse të angazhohen për një sistem që garanton që çdo rast i dhunës trajtohet me seriozitetin e merituar dhe mbajtjen e dhunuesve e vrasësve përgjegjës”, ka shkruar ajo.

Rastin e vdekjes së 41 vjeçares e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë drejtori i Qendrës Emergjente në Prishtinë, Naser Syla.

“Fatkeqësisht, ajo ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm. Ajo kishte një hemorragji në tru nga lëndimet e rënda, dhe ne nuk mundëm ta operonim në atë gjendje. Ajo ishte në makineri 24 orë në ditë”, tha Syla.

M.Zh., e lindur më 1983, ishte transferuar në Prishtinë nga Qendra Spitalore Klinike në Graçanicë, ku u pranua në gjendje të rëndë mbrëmjen e 31 korrikut.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se bashkëshorti i saj me iniciale D.Zh. është ndaluar dhe se ka nisur hetimet për këtë rast.

Për këtë rast u deklarua edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë. Ky institucion tha se fillimisht më 31 korrik rasti ishte iniciuar si “dhunë në familje” dhe “lëndim i rëndë trupor”, dhe i dyshuari ishte dërguar në ndalim prej 48 orësh.

Megjithatë, për shkak se në kohën kur i dyshuari ka qenë në ndalim bashkëshortja e tij ka ndërruar jetë, Prokuroria tha se ka riklasifikuar rastin në “vrasje e rëndë”.

“Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhëresë për autopsi për të ndjerën, gjithashtu ka paraqitur kërkesë për caktim të masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, në gjykatën kompetente”, u tha në njoftim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ
-Advertisement-

Të tjera