Lajme

Hashim Thaçi, s’e përfill Shpend Ahmetin, e bën për pesë pare

Autori: Gazeta inFokus 17:20 | 12 January 2019

Përkundër që bashkëkryesuesi i delegacionit Shpend Ahmeti i kishte dhënë afat deri të premten presidentit Hashim Thaçi për dorëzimin e dokumentacionit për dialogun, ky i fundit e ka injoruar kërkesën e tij.

Thaçi nuk e ka përfillë urdhërin e Shpend Ahmetit për dokumentet rreth dialogut, transmeton Gazeta inFokus.

Ekipi Shtetëror në bisedime me Serbinë, që përbëhet prej 8 vetash, ende s’ka pranuar dokumente që posedon presidenti Hashim Thaçi mbi procesin e dialogut që është zhvilluar deri tash.

-Advertisement-

Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti që është bashkëkryesues i Ekipit Shtetëror, javën e kaluar ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kohë deri të premten (dje), që t’ia dorëzoj ekipit dokumentacionin rreth dialogut, por ai se ka bërë.

“E kemi dorëzuar kërkesën si Delegacion Shtetëror te Presidenca që të na ofrojë të gjithë materialin që e ka në dispozicion, ka afat deri të premten, që i bie 11 janar. Pra, ne kërkojmë që të na dorëzohet ky dokumentacion, që ka diçka që është diskutuar, ato çështje mund t’i flasim. Nuk ka kuptim që neve si Delegacion të mos na vihet në dispozicion dhe nuk kam parë ndonjë rezistencë të madhe, tash mbetet të shohim. Pra, edhe Thaçi duhet ta kuptojë që nuk është kjo garë me njëri tjetrin, është një bisedë”, ishte shprehur Ahmeti.

Ahmeti tregoi se ia kanë kërkuar zyrtarisht këto dokumente, dhe se Thaçi është zotuar se do të ketë bashkëpunim të plotë me delegacionin, megjithatë një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“E jona është që t’i kërkojmë zyrtarisht. Ne i kemi kërkuar në mënyrë zyrtare. Presidenti është zotuar se do të ketë bashkëpunim të plotë me delegacionin. Është çështje e përgjegjësisë institucionale dhe shtetërore. Si delegacion shtetëror, ne kemi bërë punën tonë”, ka thënë Ahmeti.

Edhe bashkëkryesuesi tjetër i Ekipit, Fatmir Limaj, ditë më parë tha se janë në pritje të këtij dokumentacioni.

“Delegacioni ka filluar punën, kemi marrë dokumentacione që janë në Qeverinë e Kosovës nga e kaluara që është biseduar në raport me Serbinë. Kemi kërkuar edhe nga presidenti dokumentacionin që ka rreth dialogut që është biseduar në Bruksel t’ia ofrojë delegacionit, tani jemi në pritje”, kishte thënë Limaj.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera