Lajme

Hashim Thaçi ftohet në Serbi

Autori: Gazeta inFokus 18:27 | 19 October 2018

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur përfaqësues të shoqërisë civile dhe të mediave nga Lugina e Preshevës. Ai i ka falënderuar ata për punën që janë duke bërë në promovimin e të drejtave të shqiptarëve, në rrethana shumë të vështira, transmeton AktivPress.

“Qytetarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit janë komuniteti më i diskriminuar në Evropë dhe kjo gjendje duhet të përmbyllet njëherë e përgjithmonë”, u shpreh Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se në këtë takim kanë biseduar edhe për kërkesën e liderëve politikë dhe të shqiptarëve atje për respektimin e referendumit të vitit 1992 për bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës.

-Advertisement-

“Si president i vendit e mbështes fuqishëm këtë të drejtë. Ndihem mirë që mbi 95 për qind e qytetarëve e mbështesin këtë ide, e cila mund të jetësohet në kuadër të korrigjimit të kufirit”, ka shtuar ai. Presidenti Thaçi ka përsëritur se me Serbinë duhet të arrihet një marrëveshje ligjërisht obliguese, e cila siguron njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve, njohjen e pesë shteteve të BE-së, heqjen e vetos ruse në Këshillin e Sigurimit, etj.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të mediave nga Lugina e Preshevës e kanë ftuar presidentin Thaçi që të marrë pjesë në një tryezë diskutimi dhe në promovim të një libri për Luginën e Preshevës, që për qëllim kanë promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Ju falënderoj edhe për ftesën për të marrë pjesë në promovimin e librit dhe në tryezën për promovimin e paqes në rajon. Do t’i shqyrtojë të gjitha mundësitë për të marrë pjesë atje, për kohën që ju keni planifikuar”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa, aktivisti Sevdail Hyseni nga OJQ Perspektiva, ka thënë se presidentit Thaçi ia kanë përcjellë shqetësimet e shoqërisë civile dhe të popullatës së atjeshme për vështirësitë që ballafaqohen.

“I treguam se jeta kulturore në Luginë është në një stad shumë të rëndë, ndoshta është kthyer si në kohën e regjimit diktatorial. Pa zhvillim të arsimit, gjuhës dhe kulturës, nuk mund të kemi përparim shoqëror dhe kombëtar”, ka thënë Hyseni.

Ai ka shtuar se në këtë takim kanë biseduar edhe për idenë e korrigjimit të kufirit, proces që do të mundësonte bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën.

“Ideja për korrigjimin e kufirit është e qëlluar dhe në kohën e duhur. Ne përmes pak mjeteve të informimit po mundohemi ta afirmojmë këtë ide. Kufiri i tillë duhet të korrigjohet që mos të kemi telashe në të ardhmen”, ka thënë ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…

Të tjera