Hasani: Udhëzimi për largimin e kryetarëve kundërkushtetues, nëse shkon në Gjykatë do të rrëzohet
Autori: Gazeta inFokus 15:17 | 06 September 2023
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka thënë se një udhëzim administrativ i lëshuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal për largimin e kryetarëve të komunave nga funksioni, është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai e mbështet këtë qëndrim te mungesa e një Ligji për iniciativë qytetare apo referendum.
Mes tjerash, Hasani, aktualisht profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se pushteti po tregon mungesë vullneti për zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës, dhe se dorëheqja e kryetarëve të katër komunave të banuara me shumicë serbe në atë pjesë do të ishte vendimi më i duhur.
Zoti Hasani, a është udhëzimi i ri administrativ për largimin e një kryetari komune në përputhje me Kushtetutën e Kosovës?
Enver Hasani: Jo, sepse caktimi i të drejtave dhe detyrimeve, dhe mënyra e realizimit të tyre, duhet fillimisht të përcaktohet me ligj. Kushtetuta kërkon ligj. Këtu bëhet fjalë për demokracinë e drejtpërdrejtë, që është kategori kushtetuese, dhe mënyrat e realizimit të saj përcaktohen me ligj, zakonisht quhet Ligj për iniciativën qytetare, Ligj për referendum, ose Ligj për referendum dhe iniciativë qytetare. Kushtetuta tregon se çka mund të jetë dhe çka nuk mund të jetë subjekt i referendumit. Pastaj, ligjvënësi është i lirë që t’i përcaktojë këto dy çështje. Por, këto dy çështje nuk i ka rregulluar Kuvendi i Kosovës, dhe për pasojë ky udhëzim e ka uzurpuar një autorizim ligjor të Kuvendit, dhe e ka normuar një çështje që është dashur të normohet me Ligjin për iniciativën qytetare.
Çfarë mund të ndodhë tash?
Enver Hasani: Jam shumë i sigurt se nëse përfundon në Gjykatë Kushtetuese, ky ligj rrëzohet për arsyet që i thashë, por edhe për arsyen tjetër, që udhëzimin administrativ me përmbajtje të thellë të normave ligjore e ka nxjerrë organi administrativ, që është dikasteri ministror. Ky është konflikt i hapur i interesit, sepse këtu nuk bëhet fjalë për specifikimin e procedurave të realizimit të një të drejte, por caktohen të drejta shtesë prej autorizimit të zëvendëskryesuesit, pastaj mandatimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për organizim të zgjedhjeve, gjë që mund ta bëjë vetëm ligji, jo udhëzimi administrativ.
Sipas jush, a mund të procedojë KQZ-ja me këtë udhëzim, nëse i bëhet kërkesë për largim të një kryetari komune?
Enver Hasani: KQZ-ja, me këtë udhëzim, nuk mund të procedojë, sepse nuk mund t’i japë urdhër për procedim organi administrativ, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, për shkak se atë mund ta bëjë vetëm ligjvënësi. Nenet 70 dhe 71 [të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale] kanë autorizimin ligjor, dhe caktohen me ligj iniciativat për rregullat normative dhe politika komunale. Për ato ekzistojnë dispozita ligjore, për nenin 72 nuk ekzistojnë, dhe për pasojë nuk ka autorizim për nxjerrje të udhëzimit administrativ. Udhëzimet nxirren për ta zbatuar një ligj, një normë ligjore, dhe duhet të ketë autorizim në ligj. Neni 72 nuk flet fare për autorizim të ministrisë, as Qeverisë, as askujt. Flet për ligj, e ligji nuk ekziston.
Sipas Ligjit për Vetëqeverisje lokale, zgjedhjet e parakohshme për kryetarë mbahen në tri raste: nëse kryetari jep dorëheqje, nëse qytetarët e kërkojnë shkarkimin e tij përmes peticionit, dhe nëse kryetari nuk paraqitet në vendin e punës për më shumë se një muaj, pa arsye.
Enver Hasani: Largimi përmes peticionit i ka dy faza. Faza e parë është iniciativa me 20 për qind, dhe faza e dytë është faza e organizimit të zgjedhjeve. Aty ku të organizohen, duhet të shtrohet pyetja: “A jeni për largim të kryetarit të komunës? Po ose Jo”. Kështu formulohet ajo. Këtë formulim nuk mund ta bëjë organi administrativ, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Atë e bën vetëm ligji, duhet bërë ligj. Kjo nuk mund të bëhet me udhëzim.
Radio Evropa e Lirë: Po në rast se shkohet përpara me këtë udhëzim, a mund të ketë ai ndikim edhe në komunat tjera?
Enver Hasani: Ai udhëzim shihet që është bërë nga njerëz që e njohin drejtësinë, përkundër që është kundërkushtetues dhe kundërligjor. Ai nuk vlen vetëm për komunat e veriut, vlen për krejt Kosovën. Përmes një udhëzimi të tillë, për gjashtë muaj mund të përmbysen të gjitha rezultatet e zgjedhjeve, gjë që është e ndaluar, është tërësisht jokushtetuese. Aty përmendet 45-ditëshi. Pse përmendet ai afat, me çfarë të drejte? Duhet pasur autorizim ligjor. Pastaj, ku është logjika e autorizimit të KQZ-së, përmes udhëzimit administrativ të ministrisë? KQZ-ja është organ, vetë është organ administrativ. Ata dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal janë të barabartë para ligjit. Ato e zbatojnë ligjin, direkt. Ato e marrin udhëzimin prej ligjit, jo prej njëra-tjetrës.
Sipas jush, cila është rruga e duhur për dalje nga situata në veri?
Enver Hasani: Kjo është çështje e mungesës së vullnetit politik nga ana e pushtetit. Nëse pushteti do të donte ta rregullonte këtë punë, kjo çështje do të harrohej. Do të mund të ulej me opozitën dhe t’i thoshte se ne bëmë zgjidhje, i mbajtëm zgjedhjet siç na tha Kushtetua e ligji, dhe siç na përkrahen miqtë tanë ndërkombëtarë. Miqtë tanë nuk e konsiderojnë, sipas standardeve të shteteve të tyre, këtë rezultat, dhe ne për pasojë jemi të delegjitimuar.
Unë mendoj që Kosova nuk po i bën nder vetes. Mund t’iu thuhet [kryetarëve], ose mos shkoni një muaj në punë, ose jepni dorëheqje. Shumë më dinjitoze është të jepet dorëheqje dhe të mos shkohet në punë, sesa të largohen me nënshkrim. Sepse, në atë mënyrë, pushteti vetëm po u kundërvihet tezave të veta qe pesë-gjashtë muaj, që ata janë legjitimë. Ata nuk janë legjitimë aty. Ata janë legalë, sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, por legjitimiteti aty është zero.
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të hënën
Për të hënën parashikohet të mbajë mot i vranët, ku pritet depërtimi i një ci...
-
Donald Trump emëron gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka zgjedhur Gjeneralin Keith Kellogg si të...
-
Kurti ua lypë mërgimtarëve 74 mijë vota: Paramendojeni çka bojmë me na i dyfishu ju votat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota...
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...