Lajme

Hasani: Kurti ka luajtur rolin tërësisht gabim, vetëmenaxhimi do të sjellë pasoja afatgjate

Autori: Gazeta inFokus 22:45 | 28 March 2023

Me krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe do të bëhet një rend i ri paralel kushtetues, ka deklaruar ish-kryetari i Kushtetueses, Enver Hasani. Ai ka theksuar se nëse “vetëmenaxhimi” do t’i nënshtrohej një testi të Kushtetueses, është i bindur se nuk do ta kalonte.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka deklaruar se kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka luajtur gabim rolin e tij, dhe për rrjedhojë, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe do të ketë pasoja afatgjate për Kosovën.

I ftuar në RTV Dukagjini, Hasani ka thënë se marrëveshja e arritur në Ohër në mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe ajo e Brukselit, i japin autonomi komunitetit serb në Kosovë.

-Advertisement-

“Pa asnjë diskutim. Jo veç të Veriut, por komunitetit serb në Kosovë. Veriut është pak më e theksuar, mund të vendosen institucionet… pa asnjë diskutim. Territoriale për aq sa zbatohet në Veri”, ka thënë Hasani, gjersa ka theksuar se “Kryeministri i Kosovës ka luajtur rolin tërësisht gabim dhe kjo do të ketë pasoja afatgjate”.

Ndër të tjera, ish-kryetari Hasani ka thënë se me krijimin e Asociacionit do të bëhet një rend i ri paralel kushtetues, e me të, edhe e quajtura “Kushtetuta materiale”.

“Marrëveshja e Ohrit me planin e zbatimit do të prodhojë një rend paralel kushtetues. Ne i themi ‘Kushtetutë materiale’, e cila e rregullon materien e Kushtetutës, siç e rregullon kjo Kushtetuta Formale që e ka votuar Kuvendi, por pa ndjekur procedurat. Kjo është ‘Kushtetutë materiale’ e Kosovës që po krijohet. Këto struktura të kësaj autonomie të komunitetit serb do ta rivalizojnë, nuk është pushtet i tretë, se po të ishte pushtet i tretë e ke një kontroll mbikëqyrës”.

Ndër të tjera, Hasani ka deklaruar se një gjë e tillë ka dalë jashtë kontrollit të Kushtetueses dhe se po krijohet një rend i ri i saj, me të cilin, do të mësohet të jetohet. Sipas tij, nëse “Vetëmenaxhimi” do t’i nënshtrohej një testi të Kushtetueses, nuk do ta kalonte.

“Asnjëherë…jam i bindur që jo”, ka deklaruar ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Hasani: Këto çka thotë Kurti janë irelevante, marrëveshja e Ohrit përmban diçka tjetër

Ishte kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ai i cili kishte deklaruar se Marrëveshja e Ohrit nënkuptonte një njohje De Facto, për ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, një deklaratë e tillë është irelevante.

“Këto që thotë ky [Albin Kurti] është irelevante, është tautologji fjalësh dhe nuk kanë asnjë efekt për qëllimet e implementimit, dhe ajo marrëveshje përmban diçka tjetër prej kësaj”, ka deklaruar Hasani.

Ambasadori Hill kishte deklaruar se dialogu ka për qëllim zgjidhjen e problemeve në mes Kosovës dhe Serbisë e jo ndonjë çështje tjetër siç është ajo e pakicave. Lidhur me këtë deklaratë është pajtuar edhe Hasani. Ky i fundit ka thënë se mbrojtja e pakicave nuk mund të jetë objekt reciprociteti.

“Kjo çka e thotë ambasadori Hill është e saktë dhe e thotë edhe ambasadori i Shqipërisë. Në të ardhmen po të pytej njëjtë… Mbrojtja e pakicave nuk mund të jetë objekt reciprociteti ndërmjet shteteve. Mbrojtja e pakicave ekziston në rendin ndërkombëtar, jo në rendin kushtetues”, ka deklaruar Hasani.
Bashkimi Evropian e ka quajtur si shumë të suksesshëm takimin e 18 marsit në Ohër, në mes të kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq.

BE-ja ka thënë se palët janë pajtuar për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja.

Ndër të tjera, mbrëmjen e së mërkurës, Kurti e pranoi që marrëveshja me Serbinë ka Asociacionin, ai e përmendi nenin 10, në të cilin, sipas tij, flitet për këtë gjë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera