Opinione

Harruarje përtëritjeje e (pa)qëllimshme

Autori: Gazeta inFokus 11:11 | 01 December 2020

Sipas National Democratic Institute (NDI) zhvillimi i demokracisë varet nga 11 tregues kryesorë: 1. Të drejtat civile, 2. Të Drejtat Ekonomike dhe Sociale, 3. Pjesëmarrja Civile dhe Politike, 4. Partitë politike, 5. Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme, 6. Sundimi i Ligjit, 7. Kontrolli Ushtarak dhe Policor, 8. Llogaridhënia e Qeverisë, 9. Korrupsioni, 10. Media, dhe 11. Përgjegjshmëria e Qeverisë.

Sigurisht që Kosova ka vetëm 12 vite shtetësi dhe se ende është në nivelet fillestare të përmbushjes së treguesve të lartëpërmendur. Do të ishte befasia e shekullit po të ishte e kundërta. Ndërkohë që, ka shumë shtete në BE, me traditë shtetërore mbi 100 vjeçare, që as për së afërmi nuk kanë arritur t’i përmbushin treguesit e lartëpërmendur të demokracisë. Por kjo, në asnjë mënyrë nuk duhet të jetë arsyetim dhe dekurajim për Kosovën për të mos u munduar t’i përmbushë. Megjithatë, arritja e treguesve të demokracisë varet nga shumë faktorë historikë e aktualë, nga kapaciteti i atij shteti dhe para se gjithash vullneti politik pa të cilin nuk mund të hapet rruga dhe fryma e përparimit dhe zhvillimit të demokracisë.

Krahas nevojës së madhe për përmbushje të treguesve tjerë të demokracisë, Kosova ka nevojë po aq të madhe për përmbushje të treguesit 4 që ka të bëjë me partitë politike, pra me mënyrën se si kanë funksionuar, si funksionojnë ato sot dhe ç’frymë mbretëron dhe alternativat brenda tyre për të ecur përpara. Pa u reformuar partitë politike përmes debatit gjithëpërfshirës e të sinqertë që nga baza e deri te koka dhe pa iu nënshtruar votës së lirë gjithandej strukturave partiake, as që mund të reformohen.

Pastaj, nëse reformimi i nuk i paraprin demokratizimit të mëtejmë të partive politike, çdo përmbushje e treguesve tjerë të demokracisë bëhet e vështirë, nëse e pamundur. E realiteti e dëshmon që partitë politike në Kosovë nuk japin përshtypjen që marrin vendime përmes debateve gjithëpërfshirëse dhe të sinqerta që nga baza e deri te koka. Ato – para çfarëdo gjithëpërfshirjeje kohezive politike – më shumë preferojnë përjashtimin e shumicës dhe promovimin e pakicës që veç sa e ka humur përfaqësimin dhe lidhjet në terren dhe që s’para më u bën për bazën dhe problemet e vërteta të qytetarëve.

-Advertisement-

Duhet theksuar faktin që reformimi i partive politike është proces po aq kompleks sa edhe vetë reformimi i administratës publike të një shteti. Kjo për faktin se partitë politike janë grupime të interesave të ndryshme dhe kjo sigurisht që përbën pengesë të madhe për reformim. Të rralla janë ato parti që kanë mundur të reformohen duke qenë në pushtet. Shikoni Partinë Socialdemokrate (SPD) në Gjermani, e cila që nga viti 2005 ende nuk ka mundur ta merr veten për të fituar zgjedhje në Gjermani. Vazhdimisht thonë se janë duke ndërmarrë hapa reformues, por rezultati është vazhdimisht i mangët.

Ose, mjafton t’u referohemi përpjekjeve të vështira për reformimin e Partisë Demokratike në Shqipëri për të parë se sa e vështirë është një ndërmarrje e tillë. Hiq më lehtë nuk kishte kaluar, nëse ka kaluar, as Partia Socialiste. Pikërisht këto janë pasojat e drejtuarjes së një partie politike nga një pakicë, e cila përpos që moti ka humbur lidhjet me bazën dhe problemet e vërteta të qytetarëve, është mbërthyer në luftën e brendshme politike brendapartiake, së cilës nuk i shihet fundi. E nëse ka një shtet në Evropë që ka shpenzuar aq shumë mund e sakrificë për të zhvilluar demokracinë, kuptohet për aq sa ka mundur, Shqipëria do të duhej të ishte në vend të parë. Gjithësesi, që edhe përkundër zhvillimeve të shumta që kanë ndodhur atje, niveli i demokratizimit lë ende për të dëshiruar, ashtu sikurse lë në Kosovë, te shqiptarët në Maqedoni të Veriut dhe gjetkë ku ka shqiptarë.

Harrohet fakti që reformat në shekullin 21 nuk përfundojnë kurrë, ashtu siç nuk përfundon kurrë dhe zhvillimi i demokracisë. Pikërisht, këtë fakt nuk kanë qenë në gjendje ta kapin, ta analizojnë dhe pse jo përbrendësojnë partitë politike në Kosovë. Po deshe të mbijetosh politikisht, reforma dhe përtëritja duhet të vazhdojnë pambarimisht, sepse aq të shpejta janë dinamikat zhvillimore sot në glob, saqë po u ndale, e ke humbur hapin. Ashtu siç nuk ndalet hulumtimi dhe inovacioni në ndërmarrje e korporata të ndryshme anekënd globit, njëjtë nuk duhet ndaluar puna hulumtuese, përtëritëse dhe pse jo inovative nëpër parti politike.

Të kthehemi te Kosova. Një fjalë popullore thotë “ec me kohën”. Njëri prej segmenteve që do të duhej të kishte vazhdimësi zhvillimi është përgatitja e resurseve të nevojshme brenda partive politike. Pra, pa resurse të duhura as nuk ka shtet të mirëfilltë, as ndërmarrje e as parti politike. E përgatitja e resurseve – përpos që së pari duhet nënshtruar debatit gjithëpërfshirës, votës së lirë për të hyrë shëndetshëm dhe ndershëm brenda një partie – do të duhej nënshtruar formimit politik të strukturave partiake nëpër shkolla e institute të ndryshme që janë të specializuara për këtë punë.

Jo rastësisht partitë politike në botën demokratike kanë themeluar institute përkatëse, përmes të cilave formësojnë politikisht resurset politike. Nuk ndodh atje sikur te ne, të del një politikan të flet dhe mos ta kuptojë askush çfarë flet për shkak të gabimeve logjike pambarimisht të shumta në ndërtimin e fjalive dhe fjalimeve në tërësi. Nuk ndodh atje të thotë të jetë i majtë e veprimet t’i bëjë të djathta, ose e kundërta. Nuk duhet harruar faktin se përgatitja e resurseve, përpos që është e kushtueshme, merr shumë kohë.

Partitë politike në Kosovë në vend që të investojnë shumë dhe pandërprerë në resurse të reja dhe profesionale, ato përkundrazi e kanë mbyllur qarkun për prurje dhe as që u bën fare për resurse të reja. Kjo, sepse resurset e reja në të shumtën e rasteve shihen si rrezik për të vjetrat e futura shpesh nëpër elemente të shumta korruptive dhe çdo tentim-depërtim i ri brenda partive politike pa përjashtim, dekurajohet qëllimshëm qysh në start dhe pse jo shuhet në formën më të keqe të mundshme. Nuk janë të rastësishme garat e ndyra brenda për brenda partive politike, ku secili lufton secilin edhe pse thirret se i përket të njëjtit subjekt politik. Dhe kjo garë e ndyrë është bartur dhe shtrirë gjithandej edhe në jetën institucionale, ndaj edhe sot kemi çoroditje institucionale të vazhdueshme.

Në vend që partitë politike të rekrutonin të rinj dhe të reja dhe më pas t’i përgatisin ata/ato përmes formimit të ndershëm dhe të shëndoshë politik, ato përkundrazi riciklojnë resurse të bjerra, të cilat s’mund të paraqesin më vlerë të shtuar për trendet dhe dinamikat e shpejta nëpër të cilat po kalon shoqëria jonë, rajoni dhe globi. Nëse trendi global sot – ashtu sikurse nesër -do të jetë dija, dixhitalizimi dhe shpejtësia e paparë e dinamikave të zhvillimeve shumëdimensionale, atëherë partitë politike duhet vepruar konform trendit, e jo ta ndrydhin atë. Nëqoftëse themi se kemi popullatën më të re në Evropë, atëherë këtë duhet ta dëshmojmë edhe me vepra duke mbështetur dhe promovuar rininë në të gjitha drejtimet e mundshme, përfshirë promovimin politik të tyre, e jo duke e penguar me çdo kusht atë.

Sikur partitë politike të përgatisnin me kohë kuadro të reja profesionale dhe t’i mbështesnin sinqerisht ato, sigurisht që do të kishin udhëheqës politikë të të gjitha niveleve, duke filluar nga drejtoritë nëpër komuna, kryetarë komunash dhe të gjitha nivelet politike qeveritare e parlamentare. Praktika e gjertanishme ka treguar që njerëzit ftohen për kandidatura të ndryshme politike aty për aty dhe pa asnjë plan, ndaj dhe rezultatet jo rrallë janë dëshpëruese.

Sigurisht që në garë politike dikush fiton e dikush humb, por kur ke resurset e përgatitura me kohë si profesionalisht ashtu edhe politikisht, suksesi – nëse jo sot – nesër do të jetë i garantuar. Partitë politike, përpos nevojës imediate për resurse të reja profesionale, duhet të menaxhohen duke ndarë punët dhe përgjegjësitë për secilin, pa përjashtuar askë, përkundrazi duke vepruar sipas motos “njeriu i duhur në vendin e duhur.” Sikur të shkohej me këtë moto brenda partive politike dhe e njëjta të shtrihej pastaj edhe në jetën institucionale, atëherë performanca e përgjithshme, jo vetëm e partive politike, por edhe e institucioneve publike do të ishte shumë më e mirë se sa që është sot.

Prandaj, reformimi i partive politike ka vetëm një emër: gjithëpërshirje e sinqertë, resurse të reja profesionale dhe formim adekuat politik. E të gjitha këtyre iu paraprin vullneti i partive për të ecur drejt reformimit të shëndoshë dhe të sinqertë, i cili më pastaj padyshim që do të nxiste profesionalizmin dhe zhvillonte demokracinë e brendshme. Përndryshe, mund të vazhdohet me riciklim resursesh, të cilat, edhe ashtu të bjerra tashmë, jo vetëm që nuk mund t’u sjellin më asgjë subjekteve që u takojnë, por ato s’kanë ç’u ofrojnë më as qytetarëve nga rutina e partishme e krijuar tashmë.

Kush i kap me sinqeritet nevojat e qytetarëve dhe ndërton frymën trenduale, do të ecën sigurtë përpara, e kush ndrydh ndjenjat dhe promovon riciklimin, do të mbetet pambarimisht me sy e gojë hapur para përparimit politik të tjetrit. Fundja, reformimet e partive politike, për aq sa janë të nevojshme për zhvillimin e mëtejmë të tyre, janë po aq të nevojshme edhe për zhvillimin e mëtejmë të vetë demokracisë në nivel vendi duke i hapur kështu rrugë prosperitetit dhe integrimit në BE.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera