Lajme

Harris nga “Fox News” sulmon Trump-in: Atij i pëlqejnë problemet në vend që t’i zgjidhë ato

Autori: Gazeta inFokus 08:30 | 17 October 2024

Gjatë një interviste për rrjetin televiziv “Fox News” të mërkurën, Nënpresidentja demokrate Kamala Harris u pyet mbi përpjekjet e administratës Biden për të trajtuar rritjen e numrit të emigrantëve të paligjshëm në kufirin jugor të vendit. Ajo fajësoi republikanët për dështimin në miratimin e një projektligji për kufirin.

Në një intervistë me shkëmbime të nxehta me gazetarin e Fox News-it, Bret Baier, zonja Harris u pyet se çfarë mendonte mbi vendimin e hershëm të administratës (Biden) për të ndryshuar disa nga politikat kufizuese të rivalit republikan Donald Trump mbi emigracionin, si dhe t’i përgjigjej një nëne që foli në Kongres mbi humbjen e fëmijës së saj në duart e një emigranti të paligjshëm.

“Më vjen shumë keq për humbjen që ajo ka pësuar, por le të flasim për atë që po ndodh tani”, tha zonja Harris.

-Advertisement-

Kamala Harris tha se Donald Trump u kërkoi republikanëve të refuzonin një projektligj dypartiak mbi imigracionin sepse sikurse tha ajo “atij i pëlqejnë problemet në vend që t’i zgjidhë ato”.

Intervista ishte pjesë e një apeli të drejtpërdrejtë nga ana e zonjës Harris drejtuar votuesve republikanë teksa theksoi mbështetjen e republikanëve për fushatën e saj në një shtet fushëbeteje si Pensilvania përpara se të dilte për intervistën në Fox News, një rrjet me prirje konservatore.

Gjatë intervistës zonja Harris u pyet në lidhje me komentin e saj të bërë së fundmi se nuk do të ndryshonte “asgjë” në lidhje me ato çfarë ka bërë administrata Biden. Për ‘Fox News’ ajo tha se:

“Më lejoni të jem shumë e qartë, presidenca ime nuk do të jetë një vazhdim i presidencës së Joe Bidenit”, por pa dhënë më shumë detaje.

Më herët, në qarkun Bucks, në periferi të Filadelfias, zonja Harris foli mbi ato që i quajti përpjekje të zoti Trump për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhje katër vjet më parë.

Zonja Harris tha se veprimet e zotit Trump shkelën Kushtetutën dhe siç tha ajo, nëse atij do t’i jepej mundësia, do ta shkelte atë përsëri.

“Ai refuzoi të pranonte vullnetin e popullit dhe rezultatet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ai dërgoi një turmë të armatosur në Kapitol dhe ata sulmuan me dhunë oficerët e policisë, zyrtarët e zbatimit të ligjit dhe kërcënuan jetën e nënpresidentit (të kabinetit) të tij”, tha zonja Harris.

Mbi 100 republikanë iu bashkuan zonjës Harris në qarkun Bucks, mes tyre Adam Kinzinger, një ish-ligjvënës dhe anëtar i komisionit që hetoi sulmin e 6 janarit ndaj Kapitolit nga mbështetësit e ish-Presidentit Trump.“Pavarësisht se për kë keni votuar herën e fundit, ka një vend për ju në këtë fushatë”, tha zonja Harris.

Nënpresidentja udhëheq me 46% për qind krahasuar me 43 që është mbështetja për kandidatin republikan Donald Trump sipas një sondazhi të fundit të agjencisë ‘Reuters’.

Zonja Harris ka tentuar më parë të afrojë votuesit e zhgënjyer me zotin Trump. Në fillim të këtij muaji, ish-ligjvënësja republikane Liz Cheney, vajza e ish-nënpresidentit Dick Cheney, u bëri thirrje amerikanëve të vendosin vendin mbi partinë e të votojnë për zonjën Harris, duke thënë se zoti Trump nuk ishte i përshtatshëm për të udhëhequr Shtetet e Bashkuara.

Zonja Harris përsëriti të mërkurën zotimin e saj për të emëruar një republikan në kabinetin e saj, nëse zgjidhet./VOA/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
E PREMTJA E BARDHË NË ETC ME ZBRITJE DERI 50%
-Advertisement-

Të tjera