Lajme

Haradinaj: Taksa ndaj Serbisë, ndikoi në rritjen e shitjes së produkteve vendore

Autori: Gazeta inFokus 14:06 | 06 February 2019

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka vizituar fabrikën e “Vipa Chips” me ç’rast tha se shitjet në këtë fabrikë janë rritur qysh prej vendosjes së taksës ndaj produkteve të Serbisë, përcjell inFokus.

Haradinaj po ashtu tha se është e rëndësishme që në këtë fabrikë janë qindra të punësuar. Ndërsa shtoi se taksa prej 100% e vënë ndaj produkteve serbe, ka ndikuar në rritjen e shitjes se këtij produkti vendor.

“Mund të krenohemi me këto produkte. Eksportohen në Gjermani e Suedi dhe tregje shumë të avancuara. E mora vesh që është rritë shitja e produkteve që nga vendosja e taksës ndaj Serbisë”, ka thënë Haradinaj.

-Advertisement-

Njëherësh, Haradinaj potencoi problemin që ka kjo fabrikë lidhur me energjinë.

“Ekziston ende një problem që është energjia. Këta duhet ta ndërtojnë trafostacionin e vet. Shpresoj që edhe këtu t’i japim përkrahje që të mos ta kenë koston kaq të lartë të energjisë”, ka thënë Haradinaj.

I pyetur nga gazetarët duke cituar presidentin Hashim Thaçi se a do të ketë korrigjim të lehtë kufijve në marrëveshjen me Serbinë, Haradinaj ka mohuar një gjë të tillë.

“Me i thënë Bedriut (pronari i VIPA-s) me ia korrigju ndonjë arë nuk pranon t’i luajë megjat. Pra, nuk do ndodhë ashtu, Kosova është e gatshme për një marrëveshje që i rregullon të gjitha por jo një për kufijtë, ka thënë Haradinaj.

Kurse pronari i fabrikës “Vipa”, Bedri Kasumi, tha se gjatë vizitës e njoftoi kryeministrin me sfidat që ka kjo kompani dhe pritshmëritë nga qeveria.

“U diskutua edhe çështja e taksës, për prodhuesit vendorë është vendim shumë i qëlluar. Por ne duam që edhe barkodi jonë të pranohet në treg”, ka thënë Kosumi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera