Lajme

Haradinaj-Stublla flet pas marrëveshjes për targa

Autori: Gazeta inFokus 22:48 | 24 November 2022

Ish ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka bërë një analizë pas marrëveshjes së Brukselit lidhur me çështjen e targave.

Ajo ka listuar fitroet, humbjet, paqartësitë, mundësitë e humbura dhe rekomandimet lidhur me këtë çështje.

“Zotimi eksplicit i Serbisë veçanërisht, që ka pranuar të fillojnë urgjentisht diskutimet për planin franko-gjerman (evropian), është fitore e madhe e Qeverisë së Kosovës. Mos të harrojmë që Ministri i Jashtëm Daqiq vetëm para disa ditësh deklaroi se plani franko-gjerman është i papranueshëm për Serbinë andaj kjo duhet të konsiderohet triumf i Kosovës!” shkroi ndër të tjerash Haradinaj-Stublla.

-Advertisement-

Mëgjithatë, sipas saj, “dëmi që ka shkaktuar kriza për targat në veri në agjendën 12 vjeçare të liberalizimit të vizave, do të jetë potencialisht poaq i pariparueshëm sa ishte dëmi i shkaktuar me vonesat e ratifikimit të demarkacionit (të korrigjuar)”.

Ky është postimi i plotë i saj:

RRETH SHKËLQIMIT TË SOTËM DHE IMPLEMENTIMIT TË NESËRM TË MARRËVESHJES SË 23 NËNTORIT

Meqenëse nuk u publikua teksti i dakordimit të mbrëmshëm në Bruksel, është e vështirë të bëjmë analizë rreth kualitetit të saj, rreth shkallës së ruajtjes së interesit shtetëror të Republikës së Kosovës në të, dhe madhësisë së “dëmit” nga kompromisi i paevitueshëm që është bërë dje.

Në çdo mosmarrëveshje, palët ulën me qëndrime maksimaliste fillimisht, dhe përfundojnë me kompromise e fitore për të dyja palët. Zotësia negociuese e palëve qëndron në atë se sa bindshëm i argumenton kërkesat dhe çështjet e saj të panegociueshme, dhe sa me dinakëri din t’i përvjedhë kërkesat e saj me gjuhë ambiguoze dhe nënkuptim mes rreshtave në fjalitë e marrëveshjeve. Pra kjo është e keqja e negociimit, sepse nuk ka vetëm fitore! Në këtë frymë do të duhej të bëhej edhe analiza jonë, çka humbi e çka fitoi Kosova me këtë marrëveshje…

Fillimisht, dua t’i listoj FITORET:

1. Serbia defakto (dhe dejure nëse ka nënshkruar dokumentin) hoqi dorë nga pretendimi për sovranitet administrativ në veri të Kosovës, duke u pajtuar që të mos emetojë më targa ilegale me emërtim të qyteteve të Republikës së Kosovës.

2. Zotimi eksplicit i Serbisë veçanërisht, që ka pranuar të fillojnë urgjentisht diskutimet për planin franko-gjerman (evropian), është fitore e madhe e Qeverisë së Kosovës. Mos të harrojmë që Ministri i Jashtëm Daqiq vetëm para disa ditësh deklaroi se plani franko-gjerman është i papranueshëm për Serbinë andaj kjo duhet të konsiderohet triumf i Kosovës!

HUMBJET:

1. Heqja e tërësishme dorë nga vendimi i Qeverisë për sekuencim, i bën përsëri hisedarë e akterë kyç kriminelët që udhëheqin nga prapavija Listën serbe dhe kërcënojnë qytetarët normal serb.

2. Mundësimi që targat e Millosheviqit të jenë jetëgjatë jo vetëm deri në skadim, por edhe pas skadimit derisa të zgjasë dialogu me Serbinë ndoshta edhe përtej kësaj qeverie (ndërsa Amerika i kërkoi saktë 10 muaj). Nëse nuk ka marrëveshje në mars 2023, Serbia do të bazohet në këtë marrëveshje që ska afat për të zgjatur jetën këtyre targave ilegale pafundësisht.

3. Në deklaratën e Borrellit, për herë të parë janë saktësuar stacionet e radhës të Kosovës dhe Serbisë në rrugën eurointegruese, duke përmendur Grupin e Veçantë për Normalizim brenda MSA-së për Kosovën, dhe Kapitullin 35 për Serbinë. Kjo nënkupton se pas një marrëveshjeje potencialisht finale, Kosova do të bëhet shtet kandidat i BE-së ndërsa Serbia do të bëhet anëtare e plotë e BE-së – dhe kështu të vazhdojë t’a bllokojë e kushtëzojë pastaj Kosovën në rrugën e anëtarësimit të plotë në BE.

4. Qeveria ia humbi Kosovës edhe gjysmë milioni euro – aq sa thuhet se do të kushtojë organizimi i zgjedhjeve të reja lokale në komunat veriore të Kosovës – ku padyshim se sërish do fitojnë kryetarët e Vuçiqit nga Lista serbe!

PAQARTËSITË:

1. Kërcënimi i hapur i BE-së se do t’i jap fund procesit të lehtësimit të dialogut nësë palët vazhdojnë obstruksionet, ndonëse nuk saktësohet se si do të marr fund ky proces kur dihet se i tëri fillloi nga një Rezolutë e OKB-së nr 64/298 (2010).

2. Afati mars 2023 nuk figuron askund (që ishte shqetësimi kryesor i KM Kurti me datën 21 nëntor shprehur në konferencë për shtyp pas Mbledhjes së Qeverisë) dhe zëvendësimi i këtij afati me fjalën “urgjencë” e lë sërish të hapur mundësinë e zvarritjes, kushtëzimit të pafundëm, dhe bllokimit të marrëveshjes finale nga ana e Serbisë.

3. Mungesa e rolit të shtuar amerikan – për të adresuar shqetësimin kryesor për anshmërinë dhe paaftësinë e BE-së për ndërmjetësim të shprehur nga Presidentja, Kryeministri, opozita, e populli në përgjithësi ditëve të fundit, nuk u zëvendësua me asnjë zotim nga administrata amerikane për të fuqizuar rolin e tyre vendimtar në dialog me Serbinë. Është dështim i Qeverisë dhe pazotësi e saj për të argumentuar se roli amerikan është vendimtar në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, e jo vetëm në zgjidhjen e krizave momentale si kjo e targave. Kësisoji, Kosova do të vazhdojë të sillet poshtë e lartë në tavolinat e Brukselit, dhe të ketë vëmendjen amerikane vetëm në kohëra krizash siç ishte kjo me targat.

4. Me ardhjen e kryetarëve të ri të komunave veriore pas zgjedhjeve, do të shpallen edhe konkurset e reja për të zëvendësuar serbët qe dhanë dorëheqje nga institucionet vitale, dhe ku padyshim se do të kthehen po të njejtit serb që u dekoruan nga Vuçiqi dhe nënshkruan kontrata të reja pune me qeverinë e Serbisë. Qeveria e Kosovës nuk do të mund t’ua mohojë aplikimin të njejtëve serbë që dhanë dorëheqje, dhe nëse tenton ta bëjë një gjë të tillë, do të prodhojë një krizë të re!

5. Dëmi që ka shkaktuar kriza për targat në veri në agjendën 12 vjeçare të liberalizimit të vizave, do të jetë potencialisht poaq i pariparueshëm sa ishte dëmi i shkaktuar me vonesat e ratifikimit të demarkacionit (të korrigjuar).

MUNDËSITË E HUMBURA:

1. Heqja dorë nga afati eksplicit mars 2023 siç ishte propozuar nga ndërmjetësuesi para datës 21 nëntor (sipas deklaratës së KM Kurti).

2. Heqja dorë edhe nga qortimi përmes së cilit do të mund të kontrollohej qarkullimi dhe vazhdimi potencial i emetimit të targave ilegale nga Serbia pas datës 23 nëntor 2022.

3. Moskushtëzimi i anulimit të vendimit për sekuencim me një zotim të nënshkruar nga Serbia se Beogradi nuk do t’a pengojë më bashkëpunimin e plotë e të pakushtëzuar të kryetarit të ardhshëm të komunës së Mitrovicës Veriore me Qeverinë e Kosovës për të mundësuar hapjen e tërësishme për qarkullim të përgjithshëm të Urës së Ibrit, sipas marrëveshjes së Brukselit për lëvizjen e lirë.

REKOMANDIMET:

1. Qeveria të mirëmbajë me prioritet të lartë bashkëpunimin e ngushtë me Këshillin e Sigurisë Nacionale të Shtëpise së Bardhë (përmes Ambasadorit të Kosovës në SHBA apo përmes Ministres së Jashtme) rreth strategjisë dhe qëllimeve të Kosovës në marrëveshje finale.

2. Qeveria urgjentisht të zgjerojë, përmirësojë, e të pasurojë ekipin e zvKM Bislimi me ekspertë të rinj. Ambasada Amerikane përmes USAID pati përkrahur Zyrën e Kryeministrit në vitin 2018-2019 me ekspertë ligjor, të rinj të shkolluar në SHBA përmes programit TLP, të cilët kanë bërë një punë fantastike gjatë asaj kohe. Jam e bindur se Ambasada Amerikane do t’ia ofrojë po të njejtën mbështetje (mos më të madhe) tani edhe Qeverisë Kurti nëse e kërkojnë.

3. Qeveria urgjentisht të përfshijë ish-Kryenegociatorët e Kosovës në ekipin këshillëdhënës të Republikës së Kosovës (Edita Tahirin veçanërisht, por edhe Avni Arifin e Skender Hysenin) natyrisht nën betimin për konfidencialitet të plotë të procesit dhe strategjisë.

4. Qeveria të mbajë takime të rregullta javore me krerët e partive opozitare, dhe të koordinohet për strategjinë e qëllimet e RKS në përballjen finale me Serbinë, mundësisht me një ekip uniteti si në kohën e Rambujesë.

Vetëm UNITETI na shpëton nga kompromiset e dhimbshme që mund të burojnë nga marrëveshjet e dëmshme të së kaluarës (Asociacioni me kompetenca ekzekutive), dhe nga paqartësitë që dominojnë gjykimin e sotëm mbi marrëveshjen e 23 nëntorit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!

Të tjera