Lajme

Haradinaj për Qeverinë Kurti: Nuk e kryen asnjë punë të hajrit për 1 vit qeverisje

Autori: Gazeta inFokus 18:19 | 13 July 2022

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka akuzuar kryeministrin Kurti për bllokimin e Ligjit të pagave përmes së cilit do të ishte bërë zgjidhje e qëndrueshme për shumë kategori, sidomos për mjekët.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se ka pritur punë të mira nga kryeministri Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje por siç shprehet ai, është zhgënjyer deri në palcë.

“Kam qenë ndër të rrallët në mos i vetmi që kam folur hapur se Kosova kishte nevojë për rotacion të pushtetit. Kam besuar se Albin Kurti dhe Vetëvendosje do të ishin zgjidhje e duhur, por sot jam i zhgënjyer deri në palcë me qeverisjen e tyre. Po si nuk e kryen një punë të hajrit për një vit e sa që janë në qeveri!?”, ka shkruar Haradinaj.

-Advertisement-

Ai ka shtuar se e ligjin e ri të pagave të miratuar nga qeveria e udhëhequr nga ai, të cilin e ka bllokuar Albin Kurti, një mjek specialist do ta kishte pagën bazë 1200 euro

“Si e bllokuan ligjin e pagave, që nuk është tjetër pos hajni ordinere ndaj mjekëve, mësuesve, policëve, ushtarëve, punëtorëve…Me ligjin e ri të pagave të miratuar nga qeveria ime, të cilin e ka bllokuar Albin Kurti, një mjek specialist do ta kishte pagën bazë 1200 euro. Sot e ka 703 euro. Kjo i bjen që Qeveria Kurti, e ka dëmtuar secilin prej tyre nga 6045 euro për vit. Natyrisht pa e kalkuluar inflacionin vjetor prej 14.1 %, i cili do të duhej të ishte harmonizuar me rritjen vjetore të pagave. Ngjashëm është edhe më të gjitha kategoritë tjera të të punësuarve, një numër jo i vogël i të cilëve tashmë e kanë marrë rrugën e mërgimit”, është shprehur Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se qeverisë i janë rritur të hyrat, por u janë zvogëluar qytetarëve.

“Nuk ka asnjë shpjegim logjik, se pse kjo Qeveri nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për mbajtjen, sado kudo nën kontroll, të rritjes enorme të çmimeve. Qeverisë i janë rritur të hyrat, por u janë zvogëluar qytetarëve. Nga punët e Qeverisë Kurti, kanë mbetur vetëm deklaratat qesharake të eksponentëve të saj, se “pagat në Kosovë janë rritur më shumë se sa çmimet”. Kam dashur shumë që kjo qeveri të ketë sukses, por ajo sot është shndërruar në qeverinë më antipopullore që ka pasur Kosova ndonjëherë”, ka përfunduar Haradinaj.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI – Universum International College sërish pjesë e Panairit të Edukimit, vazhdon të ofroj studime me standarde amerikane

Të tjera