Lajme

Haradinaj për draft-statutin e Asociacionit: Serbia ka arsye të ndihet fituese

Autori: Gazeta inFokus 21:16 | 07 November 2023

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se e ka lexuar dokumentin e plotë të draft-statutit të Asociacionit të propozuar nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Italisë, Francës, Gjermanisë dhe BE-së.

Haradinaj tha ky dokument iu prezantua gjatë takimit të sotëm me emisarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Dokumenti i plotë na është dhënë për t’u lexuar, unë dhe kolegu im Besniku (Tahiri) e kemi lexuar ndaras dhe kemi pasur të drejtë të marrim shënime, por jo ta fotografojmë. Dokumenti nuk na është dhënë me vete, që i bie se ende është një fazë e hershme”, tha Haradinaj në Rubikon të Klan Kosovës.

-Advertisement-

Ish-kryeministri tha se ky draft bazohet në Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e vendit, derisa shtoi se dokumenti është i pasur me shumë të drejta për komunitetin serb në Kosovë.

“Në dokument janë dhënë shumë mundësi dhe shumë lehtësi në qeverisje, në jetën qeverisëse të nivelit komunal, ato që veç i kanë komunat, por edhe një kooperim mes komunave, pra Asociacioni, janë dhënë po ashtu të drejta, ose përgjegjësi në shëndetësi, në edukim, me përkrahje të Serbisë siç ndodhë edhe sot, por me një dallim se do të jetë validitimi i tyre i dyanshëm ta zëmë e diplomave, ndërsa në të gjitha këto situate të parapara që Asociacioni i ka si rasti i asamblesë, kryetarit, nënkryetarit, bordet, administratën, financimin, për të gjitha i referohet pra në bazë të kushtetutës, ligjeve të Kosovës edhe atyre neneve që Kushtetuta jonë thirret në konventat ndërkombëtare për obligimet, ose të drejtat që ua njeh komuniteteve”, tha Haradinaj në Rubikon.

Kreu i AAK-së tha se ky draft-statut i Asociacionit i jep të drejta edhe Serbisë për financim në fusha të ndryshme, derisa shtoi se serbët e Kosovës dhe Serbia kanë arsye të ndihen fitues.

“Asociacioni i Komunave u jep mjaftë mundësi funksionimi dhe zbatimi të jetës, dhe njëkohësisht i jep disa të drejta edhe Serbisë, pra Serbia ka të drejtë të bëjë financim të Asociacionit, shëndetësisë, arsimit dhe po ashtu e lë Kosovën si mbikëqyrëse, sepse ia lejon auditimin, financimi thotë se duhet të ndodhë përmes institucioneve financiare të licencuara në Kosovë, pra bankave të licencuara në Kosovë, transparencë, por edhe auditimi si janë administruar ato bëhet nga ne, nga Kosova”.

“Mendoj se i bën fitues. Serbët e Kosovës dhe Serbia kanë arsye të ndihen fitues me këto garanca që u janë dhënë komunave me shumicë serbe, me këto të drejta që ka një koordinim të këtyre të drejtave, me obligimet që i merr Kosova në nivelin qendror lidhur me Asociacionin, nuk mendoj se është i thatë ky dokument, ka mjaft materie”, tha Haradinaj në Rubikon të Klan Kosovës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Viva Fresh Store triumfon në çmimet Best Buy Award 2024/2025 në Kosovë!
-Advertisement-

Të tjera