Lajme

Haradinaj paralajmëron për masa të reja ndaj Serbisë

Autori: Gazeta inFokus 17:09 | 11 December 2018

Kryeministri Ramush Haradinaj ka përsëritur se masa 100 për qind ndaj mallrave serbe nuk është drejtuar kundër komunitetit serb në Kosovë, ndërsa ka paralajmëruar se do të ketë masa tjera nëse Beogradi zyrtar do të vazhdojë me presionin e tij kundër vendit tonë.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Haradinaj potencoi se tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave me origjinë serbe nuk do të hiqen deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.

Kryeministri Haradinaj, ka thënë se nëse Serbia vazhdon kështu me agresivitet, është bërë një listë e këtyre masave, të gjitha janë të identifikuara, të gatshme për vendim.

-Advertisement-

“Problemi është krijuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Prishtinës dhe Beogradit. Aksionet e Serbisë ishin agresive dhe të rrezikshme jo vetëm për funksionimin tonë si shoqëri dhe shtet, por edhe për stabilitetit tonë duke vendosur taksën prej 100 për qind. Ne kemi identifikuar edhe masat e reja të mundshme, por ne nuk kemi mundur të bëjmë garë se kush çka mund të bëjë më shumë. Jemi të interesuar që këtë ta qetësojmë pak dhe jemi të vendosur që të zgjidhim të gjitha çështjet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe kjo mund të bëhet në tavolinë dhe çështja e taksave mund të zgjidhet përmes njohjes së Kosovës nga Serbia. Do të thotë se nuk jemi ne që dëshirojmë të provokojmë, por duhet të kundërpërgjigjemi”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka reaguar edhe ndaj ndaljes së deputetit serb Sllobodan Petroviq, i cili kohë më parë ishte marrë në pyetje nga BIA serbe, ndërsa i bëri thirrje shqiptarëve të taksat.

“Nuk është mirë që është ndalur serbi nga Kosova, i cili është i zgjedhur, deputet dhe ish-zëvendëskryeministër, politikan publik në Kosovë, i njohur edhe në Serbi, sikur në ish-sistemin e vjetër. S’është në rregull kjo. Mendoni se në çfarë ka kaluar ai. Do të lutja qytetarët e Kosovës, edhe shqiptarët dhe serbët se kjo nuk është kundër serbëve, do të lutja shqiptarëve që të bien në eufori se ne këtë po e bëjmë kundër serbëve në Kosovë”, tha Haradinaj.

I pyetur nga mediat se cilat do të jenë masat shtesë që do të vendosen kundër Serbisë, kryeministri Haradinaj tha se nuk mund ta thotë këtë për momentin, pasi që ato janë vetëm propozime.

“Nuk mundem, nuk mundem. Pasi nuk janë marrë vendime, këto janë propozime, por nëse vazhdon presioni, duhet të shkojmë më tutje”, tha Haradinaj.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera