Lajme

Haradinaj: Nuk ka gjyq që mund ta gjykojë përpjekjen e një populli për liri

Autori: Gazeta inFokus 12:50 | 13 July 2020

Sot, kur pritet që presidenti Hashim Thaçi të intervistohet nga prokurori special në Hagë, ka reaguar ish kryeministri Ramush Haradinaj, duke thënë se populli shqiptarë kanë bërë luftë mbrojtëse në mbrojtje të dinjitetit dhe atdheut, raporton Gazeta inFokus.

Ai ka thënë po ashtu se e vlerëson lartë gatishmërinë e Thaçit që t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për intervistim nga Gjykata Speciale.

Haradinaj e ka përmbyllur statusin e tij në “Facebook”, duke shkruar se nuk ekziston asnjë gjyq që mund ta gjykojë përpjekjen e një populli për të jetuar si gjithë të tjerët të lirë në tokën e vet./Gazeta inFokus/

-Advertisement-

Postimi i plotë

Shqiptarët kanë bërë luftë të pastër dhe të drejtë, në mbrojtje të pragut të shtëpisë, dinjitetit dhe Atdheut. Në çdo rrethanë përgjatë tërë historisë, kemi dëshmuar pjekuri, guxim, mikpritje e bashkëpunim, e këtë e dëshmon edhe gatishmëria jonë anipse nga pozita e viktimës, t’i përgjigjemi thirrjeve të drejtësisë sado të pa drejta qofshin ato.

E vlerësoj lartë gatishmërinë e presidentit Thaçi që t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për intervistim nga Gjykata Speciale. Lufta e popullit shqiptar, të rreshtuar përkrah UÇK-së ishte e drejtë, vlera e së cilës, pavarësisht përpjekjeve për ta dëmtuar, nuk do t’i humbë as sot, e as kurrë. Nuk i kemi ikur asnjëherë ballafaqimit me drejtësinë sa herë ajo e ka kërkuar këtë, pa marrë parasyshë pozitat tona shtetërore, i jemi përgjigjur dhe do t’i përgjigjemi.

Nuk ekziston asnjë gjyq që mund ta gjykojë përpjekjen e një populli për të jetuar si gjithë të tjerët të lirë në tokën e vet.

RH

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera