Lajme

Haradinaj: Nuk dua ta prish festën e të tregoj se çfarë do të flasim sot me delegacionin e SHBA-së

Autori: Gazeta inFokus 11:44 | 27 February 2019

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar se takimi i sotëm me dy përfaqësuesit e administratës së Trump të cilët vijnë në Kosovë do të jetë i vështirë.Ai nuk ka pranuar të tregoj se çfarë do të flas me ta, sepse do t’i prishej festa e një takimi me një shqiptar nga Amerika.

Sot në Republikën e Kosovës do të vij një delegacion i lartë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i përbërë nga dy përfaqësues të Këshillit për Siguri që udhëhiqet nga John Bolton.

Ky delegacion do të udhëhiqet nga John Earth, kryefshef për çështjet evropianë në Këshillin Kombëtar të Sigurisë në Amerikë, dhe nga drejtori për çështje të Evropës në Këshillin Kombëtar, Willim Berkley.

-Advertisement-

Kjo vizitë e tyre vjen në Kosovë pas tri letrave të dërguara nga administrata e Trump ku bëhej thirrje e hapur që Kosova të pezullojë taksën ndaj produkteve serbe, me qëllim të vazhdimit të dialogut në Bruksel dhe arritjes së një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë që është edhe interes strategjik i Bashkimit Evropian.

Që në këtë vizitë të amerikanëve do të diskutohen tema të ndjeshme, e ka konfirmuar edhe vetë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në një konferencë për media të organizuar sot në mëngjes ku kishte pritur një shqiptar nga Amerika, anëtarin e Këshillit Bashkiak të New York City, Mark Gjonajn, të cilit i kishte dhënë edhe një çmim për kontributin e tij, Haradinaj nuk ka pranuar të tregojë se çfarë do të diskutojë me dy amerikanët tjerë të Shtëpisë së Bardhë të cilët do të qëndrojnë sot në Kosovë e ku do të takohen me krerët e shtetit.

Temat e pritura që do të diskutohen do të jetë taksa dhe marrëveshja finale me Serbinë.

“Për çfarë do të bisedojmë sot me miqtë tjerë që vijnë sot, do ta kemi rastin tjetër. Sot nuk dua ta prish këtë festën e mirë”, ka thënë Haradinaj kur është pyetur nga gazetarët rreth vizitën së dy përfaqësuesve të administratës së Trump që do të qëndrojnë sot në Kosovë.

Përveç dy amerikanëve, sot në Serbi ka mbërritur edhe një delegacion i Bashkimit Evropian i udhëhequr nga raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, David McAllister, pjesë e të cilit do të jetë edhe raportuesi për Kosovën, Igor Soltes.

Vazhdimi i dialogut me Serbinë do të jetë tema kryesore  këtij takimi. Në komunikatën e lëshuar për media, thuhet se qëndrimi i këtij delegacioni për idenë e shkëmbimit të territoreve është që në Ballkan nuk duhet të krijohen shtete në vija etnike.

Mbetet të shihet se cilat do të jenë rezultatet e këtyre dy vizitave të larta nga SHBA-të dhe Bashkimi Evropian të cilat janë si rezultat i presionit të vazhdueshëm ndërkombëtar për heqjen e taksës dhe vazhdimin e dialogut.

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera