Lajme

Haradinaj: Na duhet marrëveshja me Serbinë për njohjen e kufijve ekzistues

Autori: Gazeta inFokus 14:03 | 19 July 2019

Kryeministri i Qeverisë, Ramush Haradinaj ka deklaruar se Kosovës i duhet një marrëveshje me Serbinë për njohjen reciproke me kufijtë ekzistues.

Haradinaj këto komente i bëri gjatë një takimi me një delegacion prej 56 studentësh të programit Akademia Verore, nga 28 shtete të ndryshme, ku tha se shpreson që marrëveshja me Serbinë të arrihet përmes dialogut.

Ai studentët i ka njoftuar me të arriturat dhe sfidat që ka vendi jonë, derisa ka shtuar se Kosova angazhohet për anëtarësim në Bashkim Evropian dhe në NATO.

-Advertisement-

“Është një sfidë për ne besimi brenda komuniteteve, kemi progres por kemi edhe punë për të bërë. Na duhet një marrëveshje me fqinjët tanë Serbinë për njohjen e kufijve ekzistues. Ne shpresojmë që dialogu do ta sjell këtë dhe përmes dialogut do ta arrijmë këtë, do të thotë që qëllimi jonë nuk është vetëm që të bashkohemi Evropës si anëtarë por gjithashtu edhe NATO-s në një botë që rreshtohemi me parimet që drejtohet nga SHBA dhe shtetet, aleatë tjerë“, tha ai.

Haradinaj para studentëve ka thënë se ekonomia jonë është shkatërruar tërësisht gjatë luftës, kurse, tash ka mungesë të vendeve të punës për rininë.

Sipas tij, sundimi i ligjit është përmirësuar dhe ende vazhdon të përmirësohet në luftimin e korrupsionit.

“Fokusi im është fuqizimi i sundimit të ligjit dhe gjithashtu në aspektin ekonomik për herë të parë ne po implementojmë politika fiskale që janë shumë të avancuara për ndërmarrësit dhe prodhuesit”, tha ai.

Përndryshe, sot është dita e fundit e qëndrimit në Kosovë të 56 studentëve nga 28 shtete të ndryshme.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera