Lajme

Haradinaj: Me marrëveshjen mes presidentëve, Kosova kthen Kullën e Çakorrin

Autori: Gazeta inFokus 23:40 | 07 March 2018

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se me marrëveshjen mes presidentit të Kosovës dhe atij të Malit të Zi për demarkacionin, Kosova ka siguruar fitore të dyfishtë.

Sipas tij, Kosova do të kthejë kufirin në Çakorr dhe Kullë, por edhe do të marrë liberalizimin e vizave.

“Nëse e kthejmë Çakorrin e Kullën dhe marrim liberalizimin e vizave është “win-win” (Fitore e dyfishtë). Fituese është Kosova”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

-Advertisement-

Ai ka thënë se problemi që po vonohet votimi i demarkacionit është vetëm mungesa e numrave dhe se nuk ka mosmarrëveshje me LDK-në se si të shkruhet ligji.

Haradinaj ka thënë se më e mira do të ishte që deputetët e Vetëvendosjes të votonin pro marrëveshjes dhe që votimi të mos varet prej Listës Serbe, e cila ka kushte për të votuar. Ai ka thënë se numrat do të bëhen, por “pse të paguajmë çmim për një marrëveshje që mund të na sjellë dëme anësore”.

“Dëshira do të ishte të votonte Vetëvendosje meqë patëm një kauzë të përbashkët të kundërshtimit dhe kemi arritur një marrëveshje për rishikim të këtyre pikave kufitare. Edhe presioni i popullatës është i madh që t’i jepet vota pro për lëvizjen e lirë. Presioni dhe kërkesa jonë ka qenë rishikimi i Kullës dhe Çakorrit. Do të kthehen pikat aty ku ishin. Mendojmë se deklarata e presidentëve e bën të detyrueshme rishikimin. Do të mbërrijmë në Kullë e Çakorr. Qëllimi final është ta kthejmë kufirin aty. Mendoj se në këto rrethana Lista Serbe ka një dilemë se nëse do të votojë për këtë do të njohë edhe shtetin e Kosovës. Unë mendoj se do të duhej qysh moti ta pranonte. Pres që ka shumë deputetë të arsyeshëm dhe besoj se deputetë të Vetëvendosjes do të japin votë pro. Kam raport me plot që kanë mirëkuptim që e shohin si një zgjidhje e përbashkët”, ka thënë më tej ai.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera