Lajme

Haradinaj: E mbajta burgun me të rritur ndonëse isha i mitur, e arrestuan edhe motrën 15-vjeçare

Autori: Gazeta inFokus 12:15 | 11 January 2022

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj ka folur për arrestimin e tij nga forcat serbe gjatë vitit 1981.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit mbrojtës Toby Cedman, Haradinaj tha se me të u arrestua edhe motra e tij 15-vjeçare.

“Ishte në prill të vitit 1981, diku në mesnatë, kur veç kishin shpërthyer demonstratat në Kosovë. U arrestuam unë edhe motra 15-vjeçare. Arsyeja për botën e civilizuar dhe për ju mund të jetë jonormale por arsyeja ishte që ne të jetonim të lirë si gjithë popujt në ish-Jugosllavi dhe asgjë tjetër”, ka thënë ai.

Ai tha se u dënuar me pesë vite burgim dhe u dërgua në burgje për të rritur edhe pse ai ishte i mitur.

“Motra ishte ende e vogël shumë. Mua dhe babën në qitën në gjyqe. Atë e dënuan me dënim kapital që u quajke, pra me 16 vite, më pas iu rikthyen 14 vite, teksa mua me pesë vite burg sepse isha i mitur. Ajo çfarë është më e keqe, edhe pse ka pasur burgje për të mitur, mua më kanë çuar dhe e kam mbajtur burgun në burgje për të mëdhenj, në Leskoc dhe në Nish që ishin burgjet më famëkeqe asokohe”, ka thënë ai.

Më tutje, Haradinaj tha se pas lirimit nga burgu ka qenë vazhdimisht i observuar nga shërbimi sekret.

“Kam qenë i observuar nga shërbimi sekret dhe më kanë marrë vazhdimisht në pyetje. E kisha një vëlla të ikur në azil në Suedi. Kështu që isha kujdestari fajtor çdoherë për regjimin. Ka qenë një thirrje që neve të na ndalohet edhe martesa”, tha ai.

Në Speciale, Haradinaj foli edhe për fejesën dhe martesën me Gjejlone Haradinajn. Ai tha se posa e ka marrë vesh regjimi për këtë fejesë, gruan ia kanë larguar nga Fakulteti i Fizikës, ndonëse e njëjta ishte bursiste.

“Unë jam fejuar në vitin 1985 dhe sapo jam fejuar shoqja ime ka qenë bursiste në Fakultetin e Fizikës, menjëherë i është ndërpreu edhe e drejta e shkollimit edhe bursat dhe është leqit në një mënyrë. Vetëm sepse është fejuare. Kanë filluar pyetjet, marrjet nga hetuesia ndaj meje dhe shoqes. Jemi detyruar që të dalim ilegalisht në Shqipëri për ta shpëtuar atë”, ka thënë ai.

Të tjera