Lajme

Haradinaj akuzon LDK-në: Është në mbështetje të mashtrimeve të Kurtit dhe Osmanit

Autori: Gazeta inFokus 12:59 | 18 December 2023

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës është në mbështetje siç i quan ai, të mashtrimeve të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani. Haradinaj akuzoi LDK-në se në shumë situata nuk ka qenë e unifikuar me opozitën dhe ka mbështetur pushtetin.

Haradinaj ka folur edhe për draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të propozuar nga emisarët euro-amerikanë, për të cilin thotë se ka elemente shqetësuese, mirëpo theksoi se Gjykata Kushtetuese mund ta pastrojë atë dhe t’i largojë nenet jokushtetuese.

“(Presidentja Osmani) Është staf i Kurtit dhe të gjithë të tjerët nga Lista Vetëvendosje, Osmani, Konjufca janë staf i Kurtit dhe përcjellin mashtrimin e Kurtit, janë pjesë e këtij mashtrimi. Për fat të keq edhe një pjesë e opozitës tonë, shihet se LDK-ja është në mbështetje të këtyre mashtrimeve në shumë situata deri më sot, që nga votimi i presidentes pastaj mospërkrahja e mocionit dhe shumë raste edhe kjo prezenca për me i bë një lloj dekori fjalimit vjetor të presidentes, e cila s’pati asnjëherë gjatë gjithë vitit një qëndrim të prerë për të cilëndo çështje të rëndësishme të jetës sonë”, ka thënë Haradinaj.

-Advertisement-

Lideri i AAK-së kërkoi nga kryeministri Kurti të tregojë sesi e ka paraparë implementimin e Asociacionit, meqenëse sipas tij, e ka pranuar të njëjtin në kuadër të marrëveshjes së Brukselit, madje ka kërkuar edhe nënshkrimin e palës tjetër.

Haradinaj e sheh të pamundshme që të ndryshojë versioni i draftstatutit të Asociacionit, pavarësisht vërejtjeve të kryeministrit Kurti te ndërmjetësit. Andaj, ai thotë se nëse dokumenti dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese kësisoj siç iu është prezantuar partive opozitare, atëherë do të dërgojnë komente në kushtetuese për të kundërshtuar disa nene të draftstatutit të Asociacionit.

“Qeveria duhet të tregojë sesi e ka paraparë implementimin, meqenëse e ka bërë një pranim në planin ndërkombëtar dhe tani çka pason. Nëse logjika është se qeveria dokumentin e paprekur, pa ndërhyrje fare e dërgon në Gjykatë Kushtetuese atëherë palët e shqetësuara, palët e tjera dërgojnë komente, pra me bërë ankesë. Ne si Aleancë mund t’i dërgojmë komente, mund të kundërshtojmë në disa nene këtë draftstatut të Asociacionit. Komentet (vërejtjet e qeverisë) nuk vlejnë më pas gatishmërisë për ta pranuar.

Ju lutem, komentet kanë vlejtur deri para këtij qëndrimi të qeverisë, në kuptimin për t’ia dërguar BE-së. Por në momentin kur kryetari i qeverisë ka deklaruar se është i gatshëm për nënshkrim por kërkon nënshkrimin edhe të palës tjetër, atëherë me siguri kjo situatë ka përfunduar. Pra nuk ekziston mundësia e komentimit te ndërmjetësi, por prapë së prapë besoj se është e mundshme që Gjykata Kushtetuese ta pastrojë këtë dokument prej disa pikave që ndërhyjnë në Kushtetutën e vendit”, thekson Haradinaj për KP.

Sipas tij, Kurti, Osmani dhe Konjufca e kanë pranuar draft-statutin e Asociacionit, ani pse ka elemente shqetësuese brenda tij.

Për këtë arsye, ai i sheh si jorelevante, siç thotë tendencat për të paraqitur diçka tjetër në publik.

“Dokumenti është shqetësues, ka elemente shqetësuese, meqenëse e ka pranuar qeveria s’ka mbet asnjë filtër tjetër, përpos gjykatës. Sa i përket Konjufcës, presidentes dhe Kurtit ky është një dokument i pranuar”, përfundoi Haradinaj.

Deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, javën e kaluar kanë bojkotuar fjalimin vjetor të presidentes Vjosa Osmani në Kuvendin e Kosovës.

Presidentja Osmani ka paralajmëruar se do t’i thërras partitë opozitare në takim për të diskutuar në lidhje me dialogun me Serbinë dhe draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Zbritje dhe plot 5 dhurata – Oferta spektakulare e dyshekëve Comodita
-Advertisement-

Të tjera