Lajme

Hamza pjesë e samitit të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në Vjenë

Autori: Gazeta inFokus 15:52 | 04 July 2018

Ministri i Financave Bedri Hamza, ka marrë pjesë në samitin e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili u mbajt në Vjenë të Austrisë.

Ky samit vjen si vazhdimësi e procesit të Berlinit dhe ka për qëllim t’i diskutojë zhvillimet ekonomike të vendeve të rajonit me qëllim të bashkëpunimit dhe të lehtësimit në qasjen në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Njëkohësisht, ky takim  i paraprin takimit të kryeministrave të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet javën e ardhshme në Londër.

-Advertisement-

Në fjalën e tij, ministri i Financave diskutoi për hapat që Qeveria e Kosovës i ka marrë për të ruajtur stabilitetin makro-fiskal dhe financiar dhe për të përmirësuar ambientin e të bërit biznes ku si rezultat i këtyre veprimtarive në vitin e kaluar Kosova është ranguar si njëra ndër vendet top reformatore në Raportin e të Bërit Biznes të Bankës Botërore.

Më tej, ai theksoi sfidat kryesore me të cilat po ballafaqohet sektori privat për të pasur qasje në financa dhe në këtë kuadër ftoi të gjitha Institucionet Financiare Ndërkombëtare që të ofrojnë mbështetje dhe të ofrojnë produkte të reja financiare për të cilat kanë nevojë bizneset në Kosovë.

Në kuadër të diskutimeve lidhur me zhvillimet në fushën e ekonomisë digjitale, Ministri Hamza përmendi hapat që kanë ndërmarrë institucionet e Kosovës për t’i mbështetur të  gjitha nismat që janë në favor të shtrirjes së formave të veprimtarive ekonomike digjitale në Kosovë.

Ky takim është organizuar nga Britania e Madhe në bashkëpunim me Austrinë dhe në të kanë marrë pjesë ministrat e fushave ekonomike të vendeve të rajonit dhe të disa vendeve të Bashkimit Evropian, si dhe Komisioneri Evropian Johannes Hahn.

Në këtë samit, pjesëmarrësit u pajtuan për progresin e arritur në zbatimin e Planit Shumëvjeçar të Veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale, në kuadër të katër fushave të këtij plani; në tregti, investime, mobilitet dhe integrim digjital.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera