Fokus

Haki Pasha dhe drejtorët e tij që hanë nga 200 euro drekë e darkë në ditë (Dokument)

Autori: Doresa Geci 11:11 | 31 January 2019

Për darka e dreka, për telefon e shpenzime tjera të luksit nuk ka kush që i del para Haki Rugovës dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të Komunës së Istogut.

Një raport i publikuar për shpenzime komunale gjatë vitit 2018 lë të kuptohet se komuna e drejtuar nga Haki Rugova nuk kursen para për shpenzime luksi.

Shifrat e publikuara tregojnë se Komuna e Istogut ka bërë shpenzime marramendëse në dreka, darka, telefona, derivate si dhe mëditje.

-Advertisement-

Vetëm për dreka zyrtare del se komuna e Istogut ka shpenzuar dhjetëra mijëra euro.

Në total për të ushqyer krerët e komunës janë shpenzuar 45 mijë euro brenda vitit 2018.

Pjesëtuar në ditë pune i bie se për çdo dit janë gëlltitur ushqime në vlerë prej 182 euro.

Në këtë komunë nuk kanë kursyer as për telefonata.

Kjo pasi sipas të dhënave zyrtare vitin e  kaluar  Komuna e Istogut ka shpenzuar mbi 26 mijë euro në telefon, shkrua gazeta inFokus.

Komuna e vogël e Istogut nuk ka kursyer para edhe për meditje.

45 mijë euro janë shpenzuar atje brenda vitit vetëm për këtë kategori.

Krejt këto shpenzime është munduar ti arsyetoj Hysni Maxharraj, Drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Komunën e Istogut.

Ai i ka quajtur propagandë mediale nga opozita këto të dhëna.

Sipas tij arsyeja e këtyre shpenzimeve të mëdha është pasi që një pjesë e tyre kanë qenë edhe borxh të viteve paraprake.

“Komuna e Istogut gjatë vitit 2018 ka shpenzuar 45,508 euro për dreka zyrtare mirëpo 16,000 euro kanë qene borxhe të viteve paraprake”, ka thënë Maxharraj për gazetën inFokus.

Ndërsa për shpenzimet e mëdha të telefonit të cilat janë bërë ai thotë së këto përfshihen edhe shpenzimet për internet, shpenzimet e telefonisë, mobile, shpenzimet postare dhe shpenzimet e përdorimit të kabllit optik .

Sipas Maxharraj në  shumën 26,867 euro për komunikimet me telefon, nuk përfshihen vetëm shpenzimet e komunës por edhe shpenzimet që kanë bërë punëtorët e arsimit dhe  shëndetësisë.

Por në asnjë mënyrë këto nuk i arsyeton opozita në Istog.

Agron Avdiaj,  asamblistë nga Vetëvendosje  ka thënë për gazetën inFokus se këto shpenzime të cilat Komuna i ka bërë gjatë vitit të kalueshëm nuk janë të arsyeshme.

“Shihet shume qartë se për një komunë të vogël siç është komuna jonë këto shpenzimet e drekave zyrtare dhe shpenzimet e komunikimeve me telefon nuk kanë arsyeshmeri.” ka thënë ai për gazetën inFokus.

Sipas tij shpenzimi i buxhetit komunal duhet të fokusohet më shumë në funksion të rritjes së mirëqenies së qytetarëve e jo në shpenzime të lluksit./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova

Të tjera