Lajme

Haki Abazi jep detaje rreth procesit të emërimit të ambasadorëve

Autori: Doresa Geci 15:34 | 23 September 2021

Vetëm pesë kandidatë për ambasadorë janë intervistuar nga Komisioni për Punë të Jashtme, nga 12 sa priten të dekretohen gjithsej nga presidentja, Vjosa Osmani.

Shtatë të propozuarit e tjerë priten të mos kalojnë fare kah Kuvendi, por të presin emërimin e drejtpërdrejt nga presidentja.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi për Gazetën Infokus.

-Advertisement-

“E kemi kryer intervistimin e kandidatëve për ambasadorë para tre javësh. Tash është çështje e protokollit. Prej Komisionit shkon tek presidentja një pjesë, pasi që kemi për të vazhduar grupe- grupe. Por pjesën e parë e kemi përfunduar, ka shkuar te presidentja. Tash presidentja i procedon tutje. Nuk do të thotë që duhet të intervistohen të gjithë pasi që mund të ketë edhe lëvizje për brenda tash që janë bërë me çelës politikë. Pra këta të parët janë intervistuar, derisa këta të tjerët janë çështje e brendshme e Ministrisë së Punëve të Jashtme”, ka thënë Abazi për Infokus.

Lexo edhe: Mungesa e ambasadorëve në 12 shtete, Shasha: Cilësia para shpejtësisë

Edhe sipas hulumtuesit për Politikë të Jashtme, në Demokracia Plus, Emir Abrashit, vetëm ambasadorët e emëruar me çelës politik duhet të kalojnë të Komisioni për Punë të Jashtme.

“Përderisa të emëruarit me çelës politik duhet të kalojnë nga Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit, ata të karrierës shkojnë direkt për dekretim tek Presidentja. Deri më tani, edhe 5 muaj që nga tërheqja e 12 ambasadorëve me çelës politik, MPJD-ja ka qenë e aftë t’i dërgoj Kuvendit vetëm 5 emra të kandidatëve për ambasadorë me çelës politik, nga 16 sa do të duhej”, ka thënë Abrashi për Infokus.

Gazeta Infokus ka pyetur edhe zyrën e presidentes se kur do të bëhet dekretimi i pesë emrave të dërguar nga Komisioni, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Aktualisht presidentja, Vjosa Osmani dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz gjenden në NewYork, ku po zhvillojnë takime në margjina të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.

Kosova që nga muaj maj i këtij viti ka mbetur pa 12 ambasadorë në vendet e ndryshme të botës./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Lansohet aplikacioni më i ri i lojalitetit që sjell t’mira pafund Kartela Plus!
-Advertisement-

Të tjera