Lajme

Haki Abazi i kërkon Prokurorisë të merren me Shpend Ahmetin e Vlora Çitakun: Punuan për ndarjen e Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 13:32 | 28 October 2021

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, i ka bërë thirrje Prokurorisë që të thirrin para përgjegjësisë, kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmetin dhe ish’ambasadoren e Kosovës në SHBA, tani nënkryetare e PDK’së, Vlora Çitakun, pasi sipas tij, të dy kanë punuar për ndarjen e Kosovës.

Kjo deklaratë e Abazit, vjen pas reagimit në Twitter të politikanes boshnjake Sabina Cudic, e cila ka thënë se në takimet me Shpend Ahmetin si përfaqësues i ekipit negociator të Kosovës dhe Vlora Çitakut si ambasadore e Kosovës në SHBA, kishte kuptuar se Kosova nuk ishte kundër shkëmbimit të territoreve me Serbinë.

“Ndarjen e Kosovës e kanë shtyer dhe e kanë përkrahur edhe në rolin zyrtar Vlora Çitaku si ambasadore e Kosovës dhe Shpend Ahmeti kryetari i Prishtinës. Këtë e kemi thënë gjatë gjithë kohës, tani me dëshmi për këtë gjë në Twitter nga Sabina Cudic”, ka thënë Abazi.

-Advertisement-

Ai tutje, me këtë e ka lidhur edhe mospunën e Ahmetit në Prishtinë, duke aluduar se ai është marrë më shumë me punë të nivelit nacional, e jo me ato për të cilat e kishin zgjedhur kryetar qytetarët e Prishtinës.

“E qytetarët pyesnin pse nuk po rregullohet rruga Muharrem Fejza?! As sot nuk është e rregulluar. Ka qenë i zënë me ndarjen dhe propagandën për të krijuar paranoja dhe ndarje mbrenda LVV”.

Në fund të reagimit të tij, ish’zëvendëskryeministri Abazi i ka bërë thirrje Prokurorisë që të thirrin para përgjegjësisë të dy, Ahmetin dhe Çitakun, pasi me këtë ata sipas tij kanë bërë veprime antikushtetuese.
“Prokuroria e shtetit duhet të veprojë kundër secilit që bën veprime antikushtetutese dhe që janë kundër integriterit territorial”, ka thënë Abazi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Artmotion vjen me Super Zbritje – Mos e humb!
-Advertisement-

Të tjera