Lajme

Haga e liron Isni Kilajn, i caktohet dorëzani prej 30 mijë eurosh dhe kushte të tjera

Autori: Gazeta inFokus 11:53 | 15 May 2024

Isni Kilaj u lirua në Kosovë sot me kushte të rrepta, kanë njoftuar Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

“Z. Isni Kilaj u lirua në Kosovë sot, më 15 maj, me kushte të rrepta, në bazë të vendimit të Gjykatësit të Vetëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) të datës 3 maj 2024. Në vijim ky vendim u konfirmua edhe nga një Panel i Gjykatës së Apelit i DHSK-së më 13 maj 2024. Në Vendimin mbi Rishikimin e Paraburgimit të Isni Kilajt, Gjykatësi i Vetëm konstatoi se ende ekziston dyshimi i bazuar se z. Kilaj ka kryer, vetë ose së bashku me të tjerë, vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Gjykatësi i Vetëm konstatoi gjithashtu se vazhdon të ekzistojë rrezik i moderuar që z. Kilaj të arratiset dhe mund të pengojë ecurinë e procedurave penale dhe të kryejë vepra penale të tjera. Ai konstatoi më tej se asnjë prej kushteve të paraqitura nga Mbrojtja e z. Kilaj dhe asnjë nga kushtet e tjera të vendosura nga Gjykatësi i Vetëm nuk mund të kufizojnë plotësisht aftësinë e z. Kilaj për të penguar ecurinë e procedurave të DHSK-së dhe për të kryer vepra penale të tjera”, thuhet në njoftim.

Ndonëse është liruar, Kilaj vazhdon të jetë i dyshuar në proceset e DHSK-së dhe lirimi i tij është objekt i kushteve të rrepta të vendosura nga Gjykatësi i Vetëm i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

-Advertisement-

  • duhet t’i japë Administratores një garanci financiare (dorëzani) në shumën 30.000 euro si kusht paraprak për lirimin e tij;
  • nuk duhet të largohet nga territori i Kosovës, përveçse me leje të një paneli kompetent të DHSK-së dhe t’i dorëzojë Administratores pasaportën dhe çfarëdo dokumenti tjetër udhëtimi të tij;
  •  duhet të japë adresën në të cilën do të banojë gjatë kohëzgjatjes së procesit gjyqësor dhe të paraqitet çdo javë në policinë e Kosovës, në përputhje me procedurat e përcaktuara nga Administratorja;
  •  nuk duhet të bëjë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, deklarata publike në media dhe/ose mediat sociale lidhur me DHSK-në, ZPS-në dhe ose proceset e DHSK-së, përfshirë deklarata që përmbajnë kërcënime, dhunë ose frikësim të dëshmitarëve dhe pengim të hetimit penal;
  • duhet të marrë pjesë në çdo seancë gjyqësore të kërkuar nga DHSK-ja dhe të përmbushë çdo vendim apo urdhër tjetër të Gjykatës.

Gjykatësi i Vetëm theksoi se në rast të mospërmbushjes së ndonjë prej kushteve, do të lëshohet menjëherë urdhër për arrestimin e Kilajt.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Diplomon gjenerata e dytë e studentëve UNIK të UNI-të me diploma të fuqizuara nga Arizona State University
-Advertisement-

Të tjera