Sport

Habit Douglas Costa: Kam menduar tërheqjen nga futbolli për shkak të dëmtimeve!

Autori: Gazeta inFokus 09:53 | 26 May 2020

Douglas Costa është një nga lojtarët më të rëndësishëm që ka në dispozicion Juventusi në repartin e avancuar, sidomos në skemat e trajnerit Maurizio Sarri. Gjithsesi dëmtimet e shpeshta që nga momenti që është bërë pjesë e bardhezinjve kanë kushtëzuar shumë karrierën e sulmuesit anësor i cili në një intervistë të dhënë sëfundmi ka treguar një prapaskenë tronditëse.

“Kam pasur aq shumë dëmtime saqë e pyesja veten nëse ia vlente që të vazhdoja të luaja. Por pastaj shihja futbollin në televizor dhe mendoja se ai është pasioni im. Përveç të tjerave, bashkë me Alex Sandro tallem gjithmonë, i them se kam më shumë rezonanca magnetike se ndeshje në fushë. Por është shumë bezdisëse të dëgjosh që për fajin tim apo për shkak të ndalesave fizike, nuk jam kurrë në maksimumin e formës time”, theksoi braziliani.

Në këtë sezon Douglas Costa ka luajtur vetëm 14 ndeshje me fanellën e Juventusit në kampionat si pasojë e dëmtimeve të njëpasnjëshme, vetëm 6 si titullar dhe vetëm 1 prej tyre e ka çuar deri në fund të 90 minutave. Megjithatë Douglas Costa tashmë ndihet në formë dhe është gati për rifillimin e sezonit.

-Advertisement-

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Las Vegas Market prezanton linjat e reja të dyshekëve për tregun amerikan

Të tjera