Lajme

Guxo del me deklaratë publike për gjendjen në veri

Autori: Gazeta inFokus 21:04 | 31 May 2023

Partia në koalicion me VV-në, Guxo, ka dalë me një deklaratë publike rreth zhvillimeve të fundit që lidhen me tensionet në veri, pas përplasjeve të serbëve lokalë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.

Nëpërmjet një deklarate të gjatë, të publikuar nga zëdhënësi Blerim Gashani, thuhet se Guxo do të angazhohet për tejkalimin e kësaj situatë në bashkëpunim të ngushtë me aleatët strategjikë, SHBA-në dhe vendet perëndimore.

Ky reagim i Guxo vjen pas acarimit të raporteve të Qeverisë së Kosovës me faktorët perëndimorë, veçanërisht SHBA-të, të cilat kanë filluar vendosjen e sanksioneve ndaj Kosovës për situatën në veri.

-Advertisement-

“Partia Guxo si subjekt politik, por edhe me anën e përfaqësuesve të vet në Qeveri, do të angazhohet për tejkalimin e kësaj situate në veri të vendit, mbi bazën e ligjit dhe në bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë strategjikë, SHBA-të dhe vendet e demokracive perëndimore”, thuhet në këtë deklaratë.

Deklarata e plotë pa ndërhyrje:

Deklaratë e Partisë Guxo rreth zhvillimeve në vend

Partia Guxo po përcjell me vëmendje, por edhe, me anën e përfaqësuesve të vet në institucione, në Qeveri dhe Kuvend, po merr pjesë në zhvillimet më të reja në vend, veçanërisht ato që lidhen me situatën në veri të vendit.

Pas zgjedhjeve të fundit lokale në komunat e veriut të vendit dhe betimit të kryetarëve të zgjedhur, vendosja e kryetarëve në objektet komunale për t’i kryer detyrat e tyre zyrtare, është obligim ligjor.

Grupet e dirigjuara ekstremiste kriminale plasuan kërcënime publike dhe më 26 maj 2023 bllokuan hyrjen në objektet komunale. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kërkoi asistencë dhe Policia e Kosovës, në kuadër të kompetencave të saj ligjore, u detyrua të ndërmarrë masat e nevojshme për shpërndarje të turmës, pasi paraprakisht kishin kërkuar nga protestuesit të lirojnë hyrjet në objekte. Turma e ekstremistëve ka reaguar me dhunë në të tri komunat (Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok), por më së shumti në Zveçan, dhe nga sulmet me mjete të ndryshme, janë lënduar 5 zyrtarë policorë si dhe janë shkaktuar dëme materiale. Kryetarët e Komunave janë vendosur në zyrat e tyre sipas kërkesës së MAPL-së.

I njëjti skenar i grupeve të organizuara kriminale ka filluar të zbatohet edhe në mëngjesin e datës 29 maj 2023 dhe përplasjet mes protestuesve të dhunshëm, të maskuar e të armatosur, janë zgjeruar edhe me KFOR-in dhe, për pasojë, mbi 30 ushtarë të KFOR-it janë lënduar, 3 nga ta me armë zjarri.

Partia Guxo dënon sulmet ndaj KFOR-it dhe u dëshiron shërim të shpejtë ushtarëve të plagosur duke falënderuar njëkohësisht KFOR-in për ndihmën e dhënë organeve të sigurisë për mirëmbajtjen e rendit dhe ambientit të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit.

Partia Guxo mbështet plotësisht institucionet e Republikës së Kosovës në përpjekjet demokratike për qeverisje lokale, për rend, rregull dhe ligj. Partia Guxo mbështet fuqishëm qëndrimin e institucioneve se kryetarët e komunave duhet të punojnë nga objektet zyrtare komunale dhe, natyrisht, në çdo ndërtesë zyrtare e qeveritare duhet të valojë flamuri i shtetit të Kosovës.

Partia Guxo dënon ashpër sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe mbështet fuqishëm punën e Policisë së Kosovës në kryerjen e detyrave kushtetuese, duke shprehur vlerësimin më të lartë për performancën profesionale të pjesëtarëve të saj në zbatimin e ligjeve të Republikës së Kosovës dhe në respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Po ashtu, Partia Guxo mbështet komunikimin e sinqertë e të vazhdueshëm, bashkërendimin e bashkëpunimin e ngushtë të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës me misionet e me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilin partneritet e bashkëpunim vëllazëror, Republika e Kosovës ka trasuar e ndërtuar rrugën e vet drejt lirisë, pavarësisë, demokracisë e zhvillimit të saj si shtet i pavarur, sovran e unik.

Dënojmë sulmet e protestuesve të dhunshëm ndaj gazetarëve që po e kryejnë detyrën me dinjitet e profesionalizëm, gjë për të cilën meritojnë mirënjohjen tonë më të thellë.

Falalënderojmë të gjithë qytetarët e Kosovës për maturinë e qetësinë, për mbështetjen e institucioneve tona si dhe për respektimin e rendit dhe ligjeve të Republikës së Kosovës.

Partia Guxo si subjekt politik, por edhe me anën e përfaqësuesve të vet në Qeveri, do të angazhohet për tejkalimin e kësaj situate në veri të vendit, mbi bazën e ligjit dhe në bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë strategjikë, SHBA-të dhe vendet e demokracive perëndimore.

Sovraniteti i Republikës së Kosovës është i panegociueshëm. Forcimi i institucioneve demokratike të vendit, shtrirja e sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës i shërben të gjithë qytetarëve të saj pa asnjë dallim.

Blerim Gashani

Zëdhënës i Partisë Guxo

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!
-Advertisement-

Të tjera