Lajme

“Guximtarët” e Vjosa Osmanit me një këmbë në Qeverinë Kurti e me tjetrën drejt LDK-së

Autori: Gazeta inFokus 17:04 | 06 April 2021

Lista “Guxo” e udhëhequr deri në momentin kur Vjosa Osmani mori pozitën e presidentes, do të regjistrohet si subjekt i vetëm politik, e nuk do të shkrihet në LDK e as në Lëvizjen Vetëvendosje. Parti kjo përmes së cilës morën besimin e qytetarëve katër deputetë, si dhe dy anëtarë arritën të udhëhiqnin me dy ministri. Ndonëse do të regjistrohet si subjekt politik, për njohësit e çështjeve politike në vend, predispozitat që kjo Listë të kalojë në LDK, janë të mëdha. Megjithatë, ata thonë se një gjë e tillë mund të ndodh vetëm në zgjedhjet e ardhshme e jo tani pas konsolidimit të institucioneve të reja të Kosovës.

Ishte vet ministrja e Jashtme e Listës “Guxo”, Donika Gërvalla ajo e cila ka paralajmëruar se kjo Listë do të regjistrohet si subjekt i vetëm politik.

Ajo madje ka shuar shpresat për një mundësi që kjo Listë të shkrihet në Lëvizjen Vetëvendosje, parti kjo përmes së cilës arritën të hyjnë edhe në Kuvendin e Kosovës apo në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), që e votuan Vjosa Osmanin për presidente të vendit.

-Advertisement-

“Nga kjo listë do të rezulton një subjekt i ri politik i qendrës së djathtë. Do ta regjistrojmë, nuk është vetëm regjistrimi, ne duhet të organizojmë njëherë degët tona dhe pastaj vjen momenti kur bëjmë një mbledhje solemne në Prishtinë, bëjmë zgjedhje”, tha Gërvalla gjatë ditës së sotme në media.

Edhe deputeti i Listës “Guxo”, Haxhi Avdyli ka thënë se një kalim i kësaj Liste në LDK-në e Lumir Abdixhikut, është i pamundshëm.

Madje sipas tij një gjë e tillë nuk është diskutuar asnjëherë me asnjë prej kryetarëve të partive të Kosovës.

“Deputeti nuk i nënshtrohet vullnetit të askujt. Ne jemi të zgjedhurit e qytetarëve, Ne kemi të bëjmë me një platformë politike, me një listë të përbashkët dhe do t’i përmbahemi asaj. Se do të kalojmë në LDK nuk është aspak e vërtetë, dhe nuk kanë asnjëherë në bisedë me asnjë kryetar të asnjë partie deri më tash. Ne jemi përfaqësues të qytetarëve dhe nuk i nënshtrohemi askujt përveç ndërgjegjes tonë”, tha Avdyli.

Por, njohësit e çështjeve politike në vend kanë qëndrime tjera lidhur me ecurinë politike që do ta ketë kjo Listë që dikur u udhëhiqte nga tashmë presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Sipas analistit Rasim Alija, LDK-ja mbetet subjekti politik kryesor që kjo Listë do ta ketë derën e hapur për të shkuar.

Alija ka theksuar po ashtu se një gjë e tillë nuk mund të ndodh në këtë legjislaturë që tashmë ka nisur edhe zyrtarisht punën.

“Rikthimi në LDK besoj se do të jetë skenar i mundshëm. Sepse dera e vetme e deputeteve të listës Guxo është partia amë siç është LDK-ja, që pothuajse të gjithë kanë dalë prej këtij subjekti politik. Rrjedhimisht është një rikthim në partinë amë siç është LDK-ja. Mirëpo nuk besoj që kjo do të ndodh brenda kësaj legjislature. Kjo mund të ndodh dikur më vonë mirëpo jo tani sepse ndarja e pozitave dhe posteve karshi listës Guxo e pamundësojnë gati një gjë të tillë”, theksoi Alija.

Shkrirja e Listës “Guxo” në Vetëvendosje, është një skenar tjetër sipas analistit.

“Është skenari tjetër, të jenë pjesë e LDK-së, e që ka shumë gjasa të ndodh si skenar, ose të shkrihet përfundimisht në Vetëvendosjes. Mirëpo faktikisht unë besoj që Lista Guxo nuk do ta bëj këtë. Pasi që i bie që ato 300 mijë votat e Vjosa Osmanit që i ka marrë duke qenë pjesë e VV-së, të mund t’i tjetërsojë dhe të shkojnë në një parti tjetër”, tha ai.

Por, ai ka vënë në dukje edhe dallimet politike e ideologjike që këtë Listë e ndajnë nga Vetëvendosja e Albin Kurtit.

“Mbi të gjitha përpos retorikës, gjërat që i bashkojnë janë shumë të vogla përpos kauzës që kanë të njëjtë luftimin e krimit dhe të korrupsionit. E sa i përket indologjive janë komplet të kundërta. Madje, unë besoj që nëse Lista Guxo si e tillë do të regjistrohet si subjekt politik, në zgjedhjet e ardhshme rrezikon që të mos bëhet më pjesë e Kuvendit”, u shpreh Alija.

Edhe për njohësin tjetër të çështjeve politike, Arton Demhasaj, kalimi i kësaj Liste në LDK do të nënkuptonte mashtrim i elektoratit.

Ai ka theksuar mundësinë që pas 2-3 viteve kjo Listë të kalojë përfundimisht në LDK, prej nga shumica e deputetëve kishin dalë nga aty.

“Kalimi i deputetëve të Listës Guxo, tash menjëherë në LDK, do të nënkuptohej që thjesht e paskan mashtruar në njëfarë mënyre elektoratin sepse kanë marrë mandatin duke garuar si Vetëvendosje e pastaj duke kaluar në LDK. Kjo mund të ndodh pas 2-3 vitesh”, ka përmendur Demhasaj.

Se a ka ekzistuar një marrëveshje ndërmjet deputetëve të LDK-së për ta votuar Vjosa Osmanin nga kjo Listë, për presidente të vendit, Demhasaj thotë se një gjë e tillë nuk mund të ketë ndodhur.

Kjo pasi sipas tij, me një marrëveshje të tillë kjo Listë do të nënkuptonte edhe pozicionin e vetë në Qeverinë e Albin Kurtit.

“Por nuk besoj që ka pasur një marrëveshje ndërmjet Listës Guxo dhe LDK-së për votat e Presidentit, duke pasur parasysh edhe faktin se janë tani disa ministri që udhëhiqen nga njerëzit e Listës Guxo, e me një kalim të tillë në LDK, do të nënkuptoheshin edhe pozicionet e tyre në Qeveri”, tha më tej ai.

Të dielën e 4 marsit në Kosovë mori fund drama politike rreth çështjes së presidentit duke shmangur zgjedhjet e reja parlamentare.

Vjosa Osmani në raundin e tretë të votimit mori besimin e 71 deputetëve të parlamentit të Kosovës për një mandat pesë vjeçar. /BS/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera