Lajme

Guri i Shpumë, Guri i Dellocit dhe ai i Plakës vendosen në pulla postare (FOTO)

Autori: Gazeta inFokus 11:45 | 23 October 2023

Posta e Kosovës ka lëshuar sot në qarkullim postar emisionin “Monumentet natyrore”, ku përfshihen tri pulla postare me imazhet e tri monumenteve natyrore të Kosovës, për të cilat janë bartur gojëdhëna, rrëfime legjendash e mitesh ndër breza përgjatë shekujve.

Në këto pulla postare përfshihen: Guri I Shpumë, Guri I Dellocit dhe ai i Plakës

Guri i Shpumë – gjendet në qytetin antik të Kaçanikut, i cili karakterizohet nga ngjarje të shumta dhe elemente të trashëguara të rëndësisë së veçantë. Pamjeve magjepsëse të Grykës së Kaçanikut në veçanti dhe vlerë të shtuar i jep Guri i Shpumë, vend i preferuar për shumë vizitorë.

-Advertisement-

Guri i Dellocit – gjendet në fshatin Delloc të Komunës së Suharekës, me lartësi mbi 1700 metra, me një pamje sa të bukur aq edhe intriguese për identifikimin e kohës së krijimit të tij. Sipas gojëdhënave daton që nga koha e lashtë ilire dhe nga banorët njihet si Guri i Diellit, që sipas studiuesve ka mundur ta ketë rolin e orës diellore, pretendime këto që mbetet t’i konfirmojë shkenca.

Guri i Plakës – tërheq vëmendjen me pamjet piktoreske të Komunës së Drenasit. Është monument natyror me karakter gjeo-morfologjik, i vënë nën mbrojtje si aset i trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Republikës së Kosovës nga viti 2006. Gurin e Plakës e karakterizon mrekullia mbresëlënëse e kalimit të trenit në mes të tij, duke e shndërruar atë në atraksion prej shumë vizitorësh vendorë dhe të huaj.

Posta me këto tri pulla postare promovon pamjet mahnitëse të bukurive natyrore të Kosovës, ndërsa koleksionistët, qytetarët dhe bizneset, tanimë munden t’i blejnë ato që t’i vendosin në dërgesat dhe zarfet e tyre, si kujtime të rralla për më të dashurit e tyre kudo nëpër botë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Keiretsu Forum Southeast Europe dhe BKT Kosova, një bashkëpunim i guximshëm për herë të parë në llojin e tij, në…
-Advertisement-

Të tjera