Gucati në Hagë: Një punëtor i ZPS-së ka pirë raki në zyrën time
Autori: Gazeta inFokus
15:27 | 08 Dhjetor 2021
Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka thënë se një hetues i Zyrës së Prokurorit të Specializuar u ka thënë zyrtarëve të organizatës së mund t’i mbajnë dokumentet edhe për një muaj, në ditën kur hetuesit kishin shkuar në zyrat e OVL-UÇK për t’i konfiskuar ato. Në ditën e tretë të dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara në Hagë, Gucati ka thënë se mbi dosjet të cilat kishin arritur në OVL-UÇK ishte e vendosur një letër në të cilën bëhej e ditur se do të vinin edhe shtatë mijë dokumente të tjera.
I akuzuari Hysni Gucati ka thënë se një hetues i ZPS-së i cili e fliste gjuhën shqipe kishte shkuar në zyrat e organizatës dhe u kishte thënë se duhet t’i marrin dokumentet, por fillimisht Gucati ka thënë se hetuesi i ka fotografuar ato dhe ka konfirmuar se janë të Speciales.
Gucati, derisa është përgjigjur në pyetjet e prokurores Valeria Bolici, ka deklaruar t’i ketë thënë hetuesit se dorëzimin e tyre duan ta bëjnë në praninë e Policisë së Kosovës por sipas tij ai i ka thënë se edhe një muaj mund të qëndrojnë dokumentet në organizatë dhe policia nuk shkon të bëhet dëshmitar në pranim-dorëzim.
“Nëse ke qenë ti aty ashtu është siç thua ti, por unë po them që ti nuk ke qenë aty fare çka kemi biseduar ne. Zotëria më ka thënë ‘edhe një muaj ditë mund t’i mbani dokumentacionet, Policia e Kosovës nuk vjen’, dhe ne kemi rënë dakord bashkë me Tomë Gashin dhe inspektorin që fliste shqip dhe ja kemi dhënë shumë me mirësi, ka pirë edhe kafe në zyrën time, do ta tregoj edhe një sekret atëherë, ka pirë edhe raki njëri prej tyre në vendin e punës, ka pirë edhe raki në zyrën time një punëtor i juaji. Kjo është reale çka po them, nuk gënjej asnjë fjalë, nuk kam arsye të gënjej se nuk kam lind me gënjeshtra, nuk jetoj me gënjeshtra, nuk kam ardhur në burg me gënjeshtra”, ka thënë Gucati.
Ish-kryetari i OVL-UÇK ka thënë se në momentin e hapjes së paketës që në organizatë kishte arritur nga një person i panjohur, kanë qenë të pranishëm ai, Nasim Haradinaj e zyrtarë të tjerë të organizatës.
Letrën me numrin “7000” Gucati ka thënë se e ka hedhur pa qenë i vetëdijshëm për ndonjë rëndësi që mund të ketë në të ardhmen si dëshmi.
“Atë letër e konsiderova të pavlerë fare, një shkrim një shtatë dhe tre zero, asgjë më shumë, kjo është krejt çka ka shkruar në atë shkrim, nuk kam nevojë të gënjej e kam gjuajtur në koshin e plehrave, nëse doni të zgjasni këtë pyetje sa të doni rrimë këtu para trupit gjykues… Do të vdes me zhig me u zbulu se kush i ka pru ato dokumentacione, do të vdes me atë që nuk mund të zbulohet kush i ka pru ato dokumente. Të kisha ditë që letra çon peshë, qysh mendoni, një numër 7 dhe tre zero, nuk e kisha humb përjetë, do ta kisha pru këtu, kjo është e gjitha që po ju them”, ka thënë Gucati.
Prokurorja Bolici e ka pyetur Gucatin rreth deklarimeve të Nasim Haradinajt në konferenca për shtyp dhe emisione televizive, nëse ai pajtohet me ato çka janë thënë nga Haradinaj.
Lidhur me këtë, Gucati ka thënë se Nasim Haradinaj nuk ka përmendur emra apo deklarata të dëshmitarëve duke shtuar se i njëjti nuk ka gabuar në deklarimet e tij.
“Kjo është e saktë sa kemi të drejtë me lexu, keni të drejtë apo mundeni, unë nuk jam gjuhëtar por gjuhën shqipe e kuptoj dhe e di. Nuk dua ta mbroj Nasimin të jeni të bindur, se secili e mban barrën për vete, edhe Hysniu edhe Nasimi se nuk jemi të vogël por nuk dua ta mbroj Nasim Haradinajn por besoj që Nasim Haradinaj përderisa nuk ka përmend emër dhe deklaratë dhe ju tërhiqet vërejtja mediave që mos të bëni publike ashtu unë mendoj, por tek e fundit jemi të dytë në një bankë të të akuzuarit, kështu që unë mendoj që Nasimi nuk ka bërë vepër, unë mendoj ashtu”, ka thënë Gucati.
Gucati ka thënë se dokumentet e arritura në organizatë i kanë vendosur në tavolinë gjatë konferencave për shtyp por nuk i kanë shpërndarë ato dhe sipas tij kanë bërë thirrje që mos të publikohen emrat e dëshmitarëve.
“Ne i kemi lënë në tavolinë, ne vetëm kemi treguar kanë dalë disa dokumente nga Gjykata Speciale që për ne ka qenë një befasi, të dalin ato dokumente nga zyrat e juaja më përpara, tek ne thotë një fjalë e urtë popullore ‘e kisha mendu vdekjen sesa të dalin dokumentacionet nga ju’, kjo është fjalë popullore që përdoret tek ne, edhe unë po ju them më përpara kisha mendu të vdes pesë herë sesa të dalin këto dokumente të juaja dhe të na vijnë në zyrat tona. Këtë kush e ka bërë me qëllime të caktuara, apo pa qëllime, për me na qit neve në lajthitje ju e dini më mirë se ne”, ka thënë Gucati.
Në ditën e tretë të dëshmisë së tij në Hagë, Hysni Gucati ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka kryer vrasje ndaj qytetarëve serbë apo komuniteteve të tjera në Kosovë.
Gucati ka thënë se asnjëherë nuk ka kërcënuar ndonjë dëshmitarë përmes paraqitjeve publike apo ndonjë forme tjetër.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.
Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës. /KP/

T� tjera
-
Gërvalla: Vrasja e Arlindës e ka tronditur thellë Kosovën, vetëm një burrë i lig ngre dorën ndaj një gruaje
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Ze...
-
Nëna e Liridona Ademajt ndan dhimbjen me familjen Zekaj: Kur e mora vesh se edhe një çikë e Kosovës u bë viktimë e vrasjes, mu rihapën plagët
Nëna e Liridona Ademajt, e cila u vra nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli ka...
-
Rasti i gruas në Pejë, Tahiri: Do të duhej të kishte dorëheqje – s’mjaftojnë ngushëllimet
Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kërkuar dorëheqje dhe shkarkime pas vr...
-
Vëllai i Arlinda Zekajt: Zemra nuk po ma mban me shkru për vrasjen tande
Alban Zekaj, vëllai i Arlinda Zekajt, gruas që u vra mizorisht mbrëmë, tre di...
-
Osmani: Vepra e dhunës në familje do të duhej ta kishte dënimin e njëjtë si terrorizmi
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar përgjegjësi institucional...
-
Hoxha: Arlinda sot s’mund të flasë, por letra e saj na akuzon të gjithëve që kemi përgjegjësi – kjo ditë është pasqyra jonë
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha tha se ndjen turp për...
-
Haxhiu del në mbrojtje të Gërvallës e Sveçlës pas vrasjes së Arlinda Zekaj: Çfarë faji kanë ministrat?
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dalë në mbrojtje të mini...
-
Haxhiu për vra*sjen e Arlinda Zekajt: Nuk mjaftojnë raportet që përfundojnë në sirtar, kërkohen masa ndaj atyre që shkelën detyrën
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar hetim të plotë t...
-
Seanca e Kuvendit nis me një minutë heshtje për Arlinda Zekajn
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, që po mbahet për rastin e vrasjes mizore...
-
Haxhiu për vra*sjen e Arlinda Zekajt: Fjalët e saj sot tingëllojnë si paralajmërim tragjik që nuk arritëm ta parandalonim
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka folur për vrasjen e Arli...
-
Macron paralajmëron: E shtuna e ardhshme mbetet “ditë me rrezik të lartë” nga protestat
Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi të hënën se e shtuna e ardhsh...
-
Gjyqtari e lejoi dhunuesin të jetojë në një shtëpi me viktimën, ia ndaloi t’i afrohej në distancë dy metrash në shtëpinë ku jetonin
Migjen Kastrati, gjyqtar i Gjykatës Themelore në Pejë, kishte marrë një vendi...



































