Sport

Guardiola: Liverpool nuk ka asgjë në dorë, ja pse luan pa presion

Autori: Gazeta inFokus 09:16 | 07 May 2019

Pep Guardiola ka pohuar se gara për titullin e Premier League është më e lehtë për Liverpool, pasi nuk po luan nën presion të njëjtë si të tijtë. Manchester City u rikthye në krye të renditjes të hënën, falë fitores 1-0 në shtëpi ndaj Leicester City. Goli i Vincent Kompany shpëtoi nderin e “qytetarëve”. Guardiola do ta luajë ndeshjen e fundit kundër Brighton & Hove Albion, duke e ditur se fitorja siguron titullin e dytë radhazi në Angli.

Guardiola dhe Klopp kanë treguar respekt për njëri-tjetrin gjatë garës së fortë të titullit, por trajneri i Manchester City e kishte mendjen te ndeshja e fundit, që do të jetë vendimtare: “Ne kemi fituar 1-0 edhe në Burnley, por nuk jemi vënë para asnjë rreziku, asnjë goditje në portën tonë. Jemi ekip shumë më i mirë sesa kundërshtarët, sidomos në dy apo tre muajt e fundit. Ndonjëherë vuan, ke nevojë për një gol si ai i Vinnie sonte. Disa herë topi nuk shkon në portë, ndaj të përfshin presioni.

Ishte e jashtëzakonshme mënyra se si luajtëm në pjesën e dytë, sidomos për nga karakteri dhe personaliteti, duke e ditur sa e vështirë është t’i mposhtësh emocionet. Lojtarët e dinin që, nëse nuk fitonin, nuk mund të ishin kampionë. Liverpool tani luan pa presion, sepse e di që titulli nuk është në duart e tij. Për ne ndryshon puna, nuk është aspak e lehtë t’i luajmë këto ndeshje.

-Advertisement-

Ne kemi presion, sepse nuk mund të humbasim, sepse titulli është në duart tona. E meritojmë ta mbrojmë kurorën, na mbetet edhe një ndeshje tjetër dhe do ta provojmë. Goli i Vinnie? Ai u tregua i zgjuar se si goditi dhe shënoi.

Kemi shumë lojtarë të rëndësishëm në klub. Manchester City ka më shumë se një shekull histori, por i mungojnë trofetë e shumtë. Sidoqoftë, ka pasur lojtarë, që na kanë ndihmuar të jemi të tanishmit, si Joe Hart, Pablo Zabaleta… Kompany është njëri prej tyre. Vincent, për fat të keq ndonjëherë është i lënduar, por kur është i gatshëm, është mbrojtës i pabesueshëm qendror”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera