Fokus

Greva shtyn provimet në Universitetin e Prishtinës

Autori: Anita Krasniqi 14:39 | 23 January 2019

Diellza Ferati nuk do t’iu nënshtrohet provimeve në afatin e janarit në fakultetin e Edukimit.

Kjo pasi që edhe Universiteti i Prishtinës iu bashkangjit grevës së SBAShK-ut, shkruan gazeta inFokus.

“Këtë javë do duhej të hynim në provime. Por ja që tanimë nuk dihet as kur do të fillojmë, kjo po shkakton konfuzitet tek studentët se nuk e dimë për kur duhet të përgatitemi”, ka thënë ajo.

-Advertisement-

Përmes gjitha webfaqeve të fakulteteve në UP , studentët janë informuar se është shtyrë afati i provimeve të janarit, i paraparë të fillojë më 21 janar.

“UP-ja njofton studentët, personelin dhe gjithë opinionin, se mbështetë grevën në institucionet arsimore. Si rrjedhojë, UP shtynë të gjitha aktivitetet akademike dhe administrative për një afat të pacaktuar, duke përfshirë këtu edhe mbajtjen e provimeve të afatit të janarit, në të gjitha njësitë akademike të Universitetit”, thuhet në njoftim.

Por shpërfillje ndaj këtij njoftimi ka bërë departamenti i Gazetarisë, në fakultetin Filologjisë.

Shefi i këtij departamenti, Milazim Krasniqi, ka bërë të ditur se provimet e janarit do të mbahen sipas orarit.

“Kush jam unë që të kam të drejtë t’u them studentëve që kanë ardhur nga katër anët e vendit për të mbajtur provim, se nuk kam provim? Nuk e bëj”, ka shkruar Krasniqi.

E drejtori ekzekutiv i Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), Rron Gjinovci, për inFokus ka thënë se mbajtja e grevave është e drejtë pasi ka pabarazi institucionale.

“Pagat e personave që punojnë në administratën e universitetit janë tepër të vogla, sidomos nësë i krahasojmë me pagat e profesorëve që bëjnë shumë ma pak punë. Jemi duke pasur problem me pabarazinë institucionale dhe me atë ekonomike. Mendoj që duhet të gjithë sektorët që ndihen të anashkaluar prej projektligjit të pagave që të bëjnë presion që ai projektligj të rikthehet dhe të ribëhet në baza të parimit të barazisë e jo diskrepancave që ka tash”, ka thënë Gjinovci./Gazeta inFokus/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera