Lajme

Greqia në flakë, digjen 20 banesa

Autori: Gazeta inFokus 14:24 | 14 August 2017

Forcat zjarrfikëse greke po luftojnë që të përballojnë zjarret e fuqishme që kanë shpërthyer në rajonin verilindor rreth kryeqytetit Athinë.

Mediat vendase shkruajnë se një person është raportuar i zhdukur, ndërsa autoritetet lokale thonë se ka shkuar në 20 numri i banesave që kanë pësuar dëme të mëdha.

Ndërkohë zjarret që filluan të dielën në zonën Oropos, u përhapën me shpejtësi për shkak të pyllësisë së dendur dhe erërave të fuqishme që po fryjnë pa pushim, ndërsa ndryshojnë vazhdimisht drejtim.

-Advertisement-

Agjencia zyrtare e lajmeve ANA-MPA, i cilësoi si “biblike”, dëmet e shkaktuara deri më tani. Bashkia Oropos është shpallur në gjendje të jashtëzakonshme.

Sipas autoriteteve përkatëse, disa prej kampeve verore të fëmijëve që funksionojnë në zonë janë evakuuar.

Bëhet e ditur se në në orët e para të së hënës, 2 avionë dhe 2 helikopterë po hedhin vazhdimisht ujë, ndërsa veprojnë më shumë se 200 zjarrfikës. Mjete të tjera raportohet se po vinë nga rrethet fqinje me Athinën.

Aktualisht vatrat e zjarrit janë aktive në një brez të gjerë të brigjeve verilindore të Atikës. Përpjekjet e zjarrfikësve janë shumë të vështira për shkak të përhapjes së gjerë të zjarreve.

Mediat greke raportojnë se 24 orët e fundit është shënuar numri më i madh i zjarreve në të gjithë Greqinë. Janë evidentuar 91 vatra zjarresh, shumica e të cilave ndërkaq janë vënë nën kontroll.

Autoritetet thonë se vendi po përballet me një plan të organizuar zjarrvëniesh të qëllimshme, por nuk kanë dhënë ndonjë detaj tjetër.

Përveç Atikës, gjendja mbetet dramatike në ishullin Zakinthos, ku zjarret po djegin për të katërtën ditë rresht, si dhe në ishullin Cefalonia në detin Jon.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Super Zbritje në Artmotion
-Advertisement-

Të tjera