Fokus

Gratë u dhunuan seksualisht nga taksistë, pronarë shtëpish e ish bashkëshortë, dukuria më shqetësuese në Kosovë

Autori: H.Smajli 11:28 | 24 April 2023

Numri i rasteve të dhunimeve dhe ngacmimeve seksuale në Kosovë po merr përmasa shqetësuese.

Për dy vite, 226 gra përjetuan tmerrin e dhunimit dhe ngacmimeve nga burrat.

Sipas të dhënave që Gazeta Infokus ka siguruar nga Policia e Kosovës, në vitin që lamë pas dhe deri në muajin shkurt të këtij viti, pati 109 raste të dhunimit.

-Advertisement-

E pre e ngacmimeve seksuale në periudhën janar – dhjetor 2022  dhe janar – shkurt 2023 ishin 117 gra.

 

Të dielën është raportuar se një vajzë në Ferizaj është dhunuar nga disa persona dhe ka mbetur edhe shtatzënë.

Rasti i rëndë sipas policisë ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në Ferizaj, ndërsa viktima është dërguar në QKUK për tretman mjekësor ku edhe ka rezultuar se kishte mbetur shtatzënë. Prokuroria tashmë ka nisur hetimet për rastin.

“Ankuesja femër kosovare ka raportuar se viktimën kosovare persona të panjohur e kanë shfrytëzuar seksualisht, dhe e njëjta ka mbetur shtatzëne. Viktima është dërguar në QKUK-në repartin e gjinekologjisë për tretman mjekësor. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke kryer procedurat hetimore”, ka njoftuar policia.

Ndërsa në javën e fudnit në raportin e policisë së Kosovës, u raportuan edhe tre raste të tjera të dhunimit. Këto gra u dhunuan nga taksistë e pronarë shtëpish derisa ishin duke u munduar të shkonin në shtëpi apo të gjenin shtëpi banimi.

Në rastin që ka ndodhur të martën në Prishtinë, një grua ka raportuar se është dhunuar nga pronari i shtëpisë që donte të merrte me qera, rrugës për në këtë shtëpi.

Në lidhje me këtë rast nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë konfirmuar për Infokus se do të kërkohet masa e paraburgimit për të dyshuarin në afatin e caktuar ligjor.

“Prishtinë 18.04.2023-18:00.  Viktima femër kosovare ka raportuar se derisa ka shkuar tek shtëpia e të dyshuarit mashkull kosovar (të cilën do ta merte me qera)  është sulmuar seksualisht pa dëshirën e saj. Viktima është dërguar për ekzaminim mjekësor ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhej në raportin e policisë.

Ndërsa në dy rastet tjera, në Kamenicë dhe në Gjilan, gratë u dhunuan nga shoferët e taksive që supozohej të kryenin punën e tyre dhe ti dërgonin në shtëpi.

Sipas prokurorisë viktima në Kamenicë ishte edhe e mitur e u dhunua nga një 23 vjeçar, shofer taksie. Rasti kishte ndodhur derisa e mitura kishte marrë një taksi për të shkuar në shtëpi dhe gjatë rrugës sulmohet seksualisht nga 23 vjeçari.

Ndryshe, mbi 20 raste në javë raportohen për dhunë në familje, dhunim dhe ngacmime seksuale./Gazeta Infokus/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik
-Advertisement-

Të tjera