Kulturë

‘Gratë në Parlament’ kulminacion teatror, një shfaqje që nuk duhet humbur

Autori: Gazeta inFokus 13:04 | 02 April 2021

Shfaqja ‘Gratë në parlament’ me regji dhe adaptim të Elmaze Nurës që u dha në Teatrin ‘Adriana’ në Ferizaj,  është komedia që me çdo batutë jep mesazh, pikërisht për shkak të temës që trajtohet në të dhe shprehjes mjeshtërore artistike. Kritikë të artit, dramaturgë e aktorë, për Syri.net Kosova kanë potencuar vlerat e larta artistike, inovacionin dhe guximin regjisorial në këtë shfaqje

Në teatrin ‘Adriana’ në Ferizaj është dhënë me sukses premiera e shfaqjes ‘Gratë në parlament’, me adaptim dhe regji të regjisores së njohur shqiptare, Elmaze Nura.

Kjo shfaqje ka rikthyer interesimin e publikut për teatrin, edhe pse në kushte pandemie kur dihet se numri i shikuesve është më i kufizuar.

-Advertisement-

Kritikët e artit, kanë folur për Syri.net Kosova, duke dhënë vlerësimet e tyre për projektin më të ri teatror të regjisores Nura.

Fadil Hysaj, regjisori kosovar, në një prononcim për Syri.net Kosova, ka thënë se shfaqja e Elmaze Nurës edhe pse komedi, ka përçuar një mesazh në mënyrë shumë interesante nga ana e regjisores.

“Forma e aktrimit të meshkujve që kanë luajtur femrat, në fakt nuk ka qenë e rastësi. Në fillim nuk e kam kuptuar, por, pas një mendimi të gjatë, erdha në përfundim që Elmazja ka dashur që përmes aktrimit të femrave nga ana e burrave, t’i fus këta të fundit nën lëkurën e grave, që të shohin më pas se si është jesh pjesë e kësaj gjinie”, është shprehur Hysaj. Sipas tij kjo shfaqje ka mësuar gratë që nuk e kuptojnë saktë çka nënkupton barazi gjinore, por, edhe burrat, të cilët duhet të kuptojnë që barazi gjinore nënkupton lumturi e dashuri.

“Unë e vlerësoj lart guximin e Elmazes për këtë adaptim që e ka bërë të kësaj vepre të vjetër dhe formën se si ka dashur ta paraqes te publiku”, potencoi regjisori Fadil Hysaj.

Si shfaqjen më të mirtë që ka parë në Teatrin e Ferizajt, e ka cilësuar dramaturgu kosovar, Arian Krasniqi.

Për Syri.net Kosova, Krasniqi tha se publiku kosovar ka pasur nevojë për një shfaqje të tillë.

“Shfaqja ‘Gratë në parlament’ me adaptim dhe regji të Elmaze Nurës është një prej realizimeve më të veçanta, në skenën e Teatrit të Ferizajt. Përmes kësaj shfaqjeje, një tekst i antikes, i shkruar 2500 vjet më herët, vjen i kontekstualizuar në bashkohësinë tonë, përmes një koncepti dhe qasje regjisoriale moderne”, vlerësoi Krasniqi.

“Shfaqja shquhet për skena dhe situatat që prodhojnë të qeshurat, jo vetëm si qëllim në vete, por, si një korespondim me aktualitetin tonë”, vijoi më tej ai.

“Publiku ynë ka nevojë për më shumë komedi të tilla, që të bëjnë të qeshin dhe të shtyjnë të mendosh thellë për angazhimin dhe trajtimin e gruas në politikë. Shfaqja ka komunikuar mirë me publikun dhe besoj që do të ketë jetë të gjatë në skenën e teatrit”, tha Krasniqi.

Po ashtu, dramaturgu shtoi se edhe trupa e aktorëve të këtij qyteti u shfaq me tërë potencialin e tyre interpretues, duke krijuar galeri të shumëllojtë të personazheve.

Punën me regjisoren Nura dhe angazhimin në këtë shfaqje e ka vlerësuar shumë edhe aktorja Vjosa Abazi, e cila në bisedë për Syri Kosova tha se 3 rolet që i ka pasur në këtë komedi dhe gjithë realizimi, kanë qenë të veçanta për të.

“Është projekti i tretë që e punoj me Elmazën dhe e njoh natyrën e saj të punës. Për mua është shumë e rëndësishme që të punoj në një ekip ku ka energji të mirë dhe kjo energji nuk mungoi në ekipin tonë. Mendoj që procesi i punës ka ardhur në kohën e duhur sepse edhe pse u shkrua para 2500 vjetësh, shfaqja dhe mesazhi që përçoi është mjaft aktual edhe sot. Sa i përket suksesit, gjatë procesit të punës e di saktë se si do jetë ‘feedbacku’, por, kësaj radhe jam befasuar sepse pëlqyeshmëria e publikut ka qenë shumë e madhe se sa e kemi pritur”, tha ajo për Syri.net Kosova.

Po ashtu, Abazi shtoi se kanë qenë skeptike se si do reagojë gjinia mashkullore për këtë shfaqje, duke qenë se tematika e saj ka qenë fuqizimi i gruas.

“Skeptik kemi qenë, por, realiteti është se kemi dëgjuar shumë duartrokitje pikërisht nga meshkujt që ishin prezentë në publik, në sallë dhe kjo ka qenë shumë gjë e mirë. Shfaqja në çdo batutë e sjell nga një mesazh dhe mesazhi më i bukur ka qenë kur gratë thonë “Ne nuk duam të sundojmë, por, as të sunduara nuk duam të jemi”,  potencoi Abazi.

Puna me regjisoren Elmaze Nura ne projektin “Gratë në parlament”, ka qenë tejet e mirëseradhur edhe për aktorin e kësaj shfaqje, Mevlan Saraçin.

Saraçi për Syri.net Kosova tha se puna me Nurën nënkupton sukses të garantuar, e këtë gjë e dëshmoi suksesi i kësaj shfaqjeje.

“Sigurisht se kur punon me Elmaze Nurën suksesi është i garantuar, pavarësisht rrethanave të punës. Ndonëse jemi në periudhë pandemie dhe njerëzit kanë frikë të dalin, në sallë ka pasur publik aq sa është paraparë nga organet e rendit. Njëjtë ka qenë edhe në reprizën e parë të shfaqjes, sepse, mendoj që kur regjisorja është e mirë dhe me kualitet, nuk ka se si të mungojë suksesi. Është nder edhe për teatrin e Ferizajt që Elmazja këtë vit është zgjedhur si regjisore për këtë sezon teatral”, tha Saraçi.

Për regjisoren e shfaqjes, “Gratë në parlament”, është një shfaqje e realizuar me mjaft përkushtim, me mesazh të fortë dhe që ka komunikuar shumë mirë me publikun.

“Jam shumë e lumtur që kemi bërë një shfaqje të nivelit të lartë artistik, me një ekip shumë profesional, që e kanë mundësuar realizimin e konceptit tim regjisorial. Të gjitha elementet e shfaqjes kanë frymuar në harmoni me njëri-tjetrin, duke rezultuar në një komedi që dhuron humor, por edhe përcjell porosi të forta për realitetin tonë”, është shprehur Nura për Syri.net Kosova.

Sipas saj, nuk kishte si të shënohej më mirë Dita Botërore e Teatrit, sesa me “Gratë në Parlament”.

Ajo  ka falenderuar aktorët dhe bashkëpunëtorët e saj, për përkushtimin në këtë shfaqje.

Mevlan Saraçi, Vjosa Abazi, Blin Sylejmani, Valdrin Osmani, Jajush Ramadani, Milot Salihu, Valdrin Osmani dhe Doruntina Xhemajli, luajnë në këtë projekt teatror.

Kompozitor është Gëzim Hasani, tekstet e këngëve janë shkruar nga Blerim Haxhiaj, skenografia është bërë nga Bekim Korça, kostumografia nga Eleonora Gagica, ndërsa koreografia nga Kreshnik Musolli.

Projekti është mbështetur nga Komuna e Ferizajit, Drejtoria për Kulturë si dhe Teatri “Adriana Avdullahu”.

Kjo është hera e dytë që regjisorja Elmaze Nura bën shfaqje në Teatrin e Ferizajit. Më herët, me shfaqjen, ‘Kopraci”, produksion i po këtij teatri, ajo përfaqësoi Kosovën në një ndër Festivalet më të mëdha në botë në Kajro të Egjiptit –Cifcet, ndërsa u shpërblye në Festivalin e Dibrës në Maqedoni me çmimin për Regjinë më të mirë.

Në vitin 2020, Nura u shpall regjisorja më e mirë e vitit, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për regjinë në shfaqjen “Kopraci”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera