Fokus

Gratë e kthyera nga Siria fyhen për shkak të mbulesës

Autori: Sylejman Sylejmani 20:00 | 25 April 2019

“Kësaj i thonë kokën mbuluar e b*** zbuluar”, është një nga komentet në adresë të njërës nga gratë e kthyera nga Siria bashkë me 33 të tjera në Kosovë.

Veshja e tyre me burka, që përfshinë mbulimin e trupit në tërësi bashkë me fytyrën ka bërë që kosovarët të shpërthejnë ne rrjetet sociale me komente fyese për gratë e kthyera në vendlindje.

Shumë prej tyre konsiderojnë se ato vetëm i bëjnë dëm Kosovës, shkruan Gazeta inFokus.

-Advertisement-

Një pjesë e madhe kanë kërkuar që ato të kthehen sërish në Siri.

Megjithatë, gjithë këto komente i kanë penguar Igballe Rugovës, nga Rrjeti i Grave të Kosovës.

Rugova në një prononcim për Gazetën inFokus ka thënë se qytetarët duhet të ndihen të lumtur që ato janë kthyer.

“E para këto gra nuk guxojnë me u mbyll, por duhet të integrohen në shoqëri. E dyta këto ofendimet që u bëhen, njerëzit nuk e kanë mendu që ato gra janë mashtru nga bashkëshortët e tyre, kinse po shkojnë në Turqi, kurse më pas jo me dëshirën e tyre i kanë dërgu në Siri. Duhet të jemi të lumtur që ato janë kthyer”, ka theksuar Rugova.

Qeveria, sipas saj duhet të ketë një program ri-integrimi për këto gra.

“Duhet të kemi program ri-integrimi për to. Qeveria nuk duhet t’i lë këto gra të mbyllen nëpër arreste shtëpiake, por duhet të ndihmojë në integrimin e tyre”, ka deklaruar ajo.

Rugova ka treguar se aktiviste nga Rrjeti me të cilin udhëheq janë në kontakt të vazhdueshëm me avokatet e grave të kthyera.

Ajo pret që Qeveria ta krijojë një program për to.

“Kur të flet hetuesia, kur ta jep vendim e saj ne mund të reagojmë ndaj Qeverisë se a pajtohemi apo jo me vendimet e tyre. Në këtë rast ne nuk pajtohemi me arreste shtëpiake. Ne presim që Qeveria ta marrë hapin tjetër dhe ne patjetër do të reagojmë”, ka thënë Rugova për inFokus.

Bashkë me 34 gratë e kthyera nga Siria, në Kosovë kanë ardhur edhe 74 fëmijë, si dhe katër luftëtarë.

Kthimi i tyre në vendlindje u mundësua përmes një bashkëpunimi të autoriteteve kosovare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera