Lajme

Gjykimi për korrupsion ndaj tre drejtorëve komunal të Deçanit, në fjalën hyrëse mbrojtësit thanë se të akuzuarit nuk i kishin tejkaluar kompetencat e tyre

Autori: Gazeta inFokus 21:10 | 23 May 2023

Mbrojtësit e tre të akuzuarve për korrupsion, drejtorë komunal të Deçanit, Ramë Melaj, Jashar Hulaj dhe Tahir Tolaj thanë se me prova të shkresave të lëndës do të vërtetohet paanshmëria e tyre, ndërsa prokuroria thotë se me ato prova do të vërtetohet kryerja e veprës penale.

Fjalën hyrëse e dhanë prokurorja Lumtirije Vuqetaj si dhe mbrojtësit e tre të akuzuarave, avokatët Kadri Mjekiqi, Florian Fetani si dhe Mustafë Kastrati,raporton “Betim për Drejtësi”.

Prokurorja Vuqetaj në fjalën hyrëse tha se në çështjen penale kundër të pandehurve Ramë Melaj, Jashar Hulaj dhe Halil Tolaj, në shqyrtim gjyqësor do të administrohen provat e listuara në aktin akuzues si dhe do të dëgjohen të dëmtuarit dhe dëshmitarët e propozuar mbi bazën e të cilave konsideron se do të vërtetohet se të pandehurit Melaj dhe Tolaj si të emëruar politik në cilësinë e drejtoreve kanë vepruar në kundërshtim me përgjegjësitë e të njëjtëve të përcaktuara me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale neni 62 pika 62.3.

-Advertisement-

Sipas prokurores Vuqetaj, do të vërtetohet se i pandehuri Jashar Hulaj, i zgjedhur sipas konkursit publik ka vepruar në kundërshtim me obligimet e përshkruar nga vendimi i punës e ku sipas saj, me këtë që të tre kanë konsumuar veprat penale për të cilat janë akuzuar.

Tutje, mbrojtësi i dytë i të akuzuarit Melaj, avokati Kadri Mjekiqi, tha se në lidhje me veprën e parë gjatë shqyrtimit do të vërtetohet se i mbrojturi i tij nuk i kishte tejkaluar veprimet dhe detyrat e tij, e gjithashtu tha se do të vërtetohet se nuk kishte qëndruar dashja as motivi për të kryer vepër penale.

Kurse, sipas përshkrimit të veprës së dytë, ai tha se do të vërtetohet se në asnjë moment nuk i ka tejkaluar obligimet e veta dhe se nuk ka pasur interes të i shkaktoj dikujt tjetër përfitime.

Ndërsa për veprën e tretë mbrojtja tha se gjatë zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se i mbrojturi i tij me rastin e nxjerrjes së vendimit kishte vepruar në kuadër të autorizimit të veta ligjore si drejtori i Urbanizmit dhe nuk ka pësuar ndërtimin e projektit ashtu siç pretendon prokuroria.

Dhe sipas tij, për të gjitha veprat e përcaktuara nga prokuroria tha se do të vërtetohet e kundërta, dhe fakti se ka vepruar në pajtim me detyrat e tij zyrtare.

Tutje, mbrojtësi i parë i të akuzuarit Halil Tolaj, avokati Florian Fetani, tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të provohet që asnjë nen, dispozitë, që prokuroria ka përfshirë në përshkrimin faktik të aktakuzës në lidhje më të akuzuarin Tolaj, nuk e detyron të njëjtin të marrë vendim për rrënim madje as nuk ja lejon ligji.

Sipas tij, në shqyrtim gjykata do të vlerëson provat që në veprimet apo mosveprimet e të mbrojturit të tij assesi nuk qëndron dashja direkte për t’i mundësuar investitotit përfitim të kundërligjshëm pasuror përmes shtimit të etazhitetit.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Jashar Hulaj, avokati Mustafë Kastrati tha se gjatë shqyrtimit do të argumentohet se aktakuza e prokurorisë në raport me të mbrojturin e tij Jashar Hulaj, është e pabazuar me prova dhe mbështetet në ndicje të cilat mund të kategorizohen edhe si informacione e jo në prova përkatëse, norma ligjore dhe akte normative të cilat kanë rregulluar përgjegjësitë dhe fushëveprimin e vendit të punës së të akuzuarit Jashar.

“Se përse Jashar Hulaj është i pafajshëm dhe mbi cilat fakte e bazojnë këtë pretendim dhe në cilat norma ligjore nuk është thirur prokuroria i kemi cekur në ankesën e datës 24.11.2022 të parashtruar në aktvendimin e kësaj gjykate për refuzimin e kundërshtimit të aktakuzës, veçanërisht së të vërtetojmë faktin se i akuzuari Jashar Hulaj nuk ka pasur kurrfarë kompetence as detyre që e ngarkon ligjin dhe sistematizimi i vendit të punës të nxjerr aktvendim për rrënim sepse ajo ka qenë kompetence e inspektoriatit të ndërtimit”, ka thënë Kastrati.

Pasi që nuk ishin prezent të dëmtuarit dhe përfaqësuesja e AKP-së, si dhe i akuzuari Ramë Melaj nuk dëshiroi të vazhdoi shqyrtimin gjyqësor pa prezenceën e mbrojtësit të parë Kujtim Kërveshit, seanca u ndërprit për të vazhduar më 26 maj 2023.

Ndryshe, në seancë nuk ishin prezentë përfaqësuesja e Agjencionit Kosovar për Privatizim Antigona Halili, përfaqësuesi i MMPHI-së, i dëmtuari Isuf Cacaj, si dhe dëshmitarët Bashkim Ahmetaj dhe Adriatik Gacaferi.

Sipas kryetarës së trupit gjykues, nga shkresat e lëndës rezulton se përfaqësuesi i MMPHI-së, është ftuar me ftesë të rregullt por mungesën nuk e kishte arsyetuar, si dhe i dëmtuari Isuf Cacaj.
Ndërsa, nuk kishte dëshmi që përfaqësuesja e AKP-së, ishte ftuar në mënyrë të rregullt pasi që nuk kishte fletëkthesë në shkresa të lëndës.

Zyrtarët e Komunës së Deçanit, Ramë Melaj, drejtori i Urbanizmit, Halil Tolaj, drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit dhe Jashar Hulaj, shef i sektorit për Inspeksion, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 12 shtator të vitit të kaluar ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat e Prokurorisë së Pejës.

Lidhur me këtë rast, kryetarja e turpit gjykues Violeta Husaj-Rugova, ka bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi” se që nga shqyrtimi fillestar dhe nga kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave nga të akuzuarit, Gjykata e Apelit ende nuk ka vendosur lidhur me të edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, me 18 korrik 2022, i pandehuri Ramë Melaj akuzohet se më 3 mars 2020, në objektin e Komunës së Deçanit, në cilësinë e Drejtorit për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, tejkalon kompetencat e tij, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore/projektit nga BE-ja në shumë prej 170 mijë euro, për organizatën “Shtëpia Alpike”, me përfaqësues Jeton Berisha .

Sipas aktakuzës i pandehuri duke vepruar në kundërshtim me nenin 4 të Ligjit për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” dhe në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit për ndërtim, lëshon vendimin nr. 04.nr.6082/1 për lejimin e ndërtimit të objektit të qendrës turistike në “Bjeshkët e Nemuna”, ashtuqë i pandehuri me rastin e pranimit të kërkesës nga Drejtoria për Ekonmi dhe Zhvillim në Komunën e Deçanit, lëshon lejen në fjalë me të cilën ia mundëson dhe lejon organizatës ndërtimin e objektit të qendrës turistike në ngastrën kadastrale Izniq, në pasuri shoqërore, pronë kjo nën administrim të AKP-së, e cila shtrihet në zonën e parkut kombëtar, me të cilën menaxhon MMPHI-ja e për të cilën ngastër nuk mund të lëshohet asnjë lloj vendimi pa miratimin e Planit Hapësinor të zonës së veçantë për Parkun Nacional “Bjeshkët e Nemuna”.

I pandehuri po ashtu akuzohet se kishte nxjerrë vendim për leje mjedisore komunale në bazë të kërkesës së përfaqësuesit të autorizuar të OJQ “Kosovo Montain Club”, Adriatik Gacaferri për lejimin e zbatimit të projekteve të tyre “Zhvillimi i shtegut të ngjitjes Sportive –Via Ferata Deçan”, si dhe “Shtegu për ngritje në faqe shkëmbore në Gryken Deçanit”.

Sipas akuzës nxjerrë vendim për leje mjedisore që mundëson OJQ-së zbatimin e projektit në dy ngastra kadastrale- pasuri shoqërore nën administrim të AKP-së-në zonën e parkut kombëtar me të cilën zonë në bazë të ligjit menaxhon MMPHI-ja dhe për të cilën nuk mund të lëshohet asnjë lloj vendimi në mungesë të miratimit të planit hapësinor të zonë së veçantë për Parkun Nacional “Bjeshkët e Nemuna”.

Në dispozitivin e tretë i pandehuri ngarkohet se kishte keqpërdorur duke tejkaluar kompetencat e tij si Drejtor i Urbanizimit me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore/grantit nga BE-ja, në shumë prej 323.160 mijë euro për personin Bashkim Ahmetaj.

Sipas akuzës i pandehuri lëshon pëlqimin për aplikim dhe ndërtim të objektit me etazhitet B+P+1, ndërtimin e 24 bujtinave dhe hapësirave për montimin e lojërave rekreative, kjo duke vepruar sipas kërkesës së parashtruar nga i lartëcekuri për ndërtimin në ngastrën kadastrale me nr.209/0 ZK Isniq, pronë e të njëjtit, me të cilën ia mundëson zbatimin e projektit të sipërshënuar në zonën e parkut kombëtar, me të cilën zonë në bazë të ligjit menaxhon MMPHI-ja dhe për të cilën nuk mund të lëshohet asnjë lloj vendimi në mungesë të miratimit të Planit Hapësinor të zonë së veçantë për Parkun Nacional “Bjeshkët e Nemuna”.

Kurse në dispozitivin e katërt i pandehuri ngarkohet se ka lëshuar vendimin për ndërtimin e objektit afariso-banesor për subjektin ekonomik “Lika Trade”, SHPK, me pronar Jahir Likaj, duke qenë në dijeni se kushtet për ndërtim nga PRRU-ja dhe për marrëveshjen paraprake të datës 15 nëntor 2011 e lidhur me Komunës së Deçanit dhe investitorit “Gogaj AG”, si dhe duke qenë nënshkrues i aktvendimit me nr. 04. 167/1, i datës 28.01.2013 si dhe kushteve të lokacionit për ngastrën nr.1073/1 PSH e Komunës së Deçanit, me përfitues subjektin ekonomik “Gogaj AG”, edhe përkundër kësaj i njëjti lëshon vendimin për leje ndërtimore me përfitues subjekti ekonomik “Lika Trade”, të cilit ia mundëson ndërtimin e objektit afaristo-banesor në ngastrën e njëjtë, e me vlerë inventive prej 24 mijë e 134.17 euro.

Me këtë ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 par.2 e lidhur me par.1 të KPRK-së.

Të pandehurit Halil Tolaj dhe Jashar Hulaj ngarkohen se më 11 shkurt 2019 e në vazhdimësi deri më sot, në bashkryerje nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim që të përfitoj personi tjetër.

Sipas akuzës i pandehuri Halil si drejtor i Inspeksionit në Deçan dhe i pandehuri Hulaj si shef i sektorit për Inspeksion në këtë komunë, nuk ndërmarrin veprimet e nevojshme për të zbatuar inspektimin sipas detyrimeve ligjore, duke i mundësuar ndërtimin e tre kateve shtesë dhe katit tërheqës në objektin afariso-banesor “Lindi Residence”, që sipas lejes ndërtimore i lejohej ndërtimi me etazhitet B+P+3K. Përkundër që kanë qenë në dijeni për këtë fakt sipas inspektimit të datës 5 mars 2021 dhe inspektimit të datës 11 qershor 2021, ku edhe janë vënë shiritat për mbyllje të vendpunimit, si ndërtime të kundërligjshme, e që të njëjtit sipas detyrës zyrtare kanë qenë të obliguar të marrin vendim për rrënim, mirëpo nuk veprojnë në këtë drejtim duke i mundësuar që investitori të vazhdojë me punime ndërtimore të kundërligjshme, duke përfunduar objektin afarit-banesor, duke i mundësuar përfitim përmes rritjes së sipërfaqes rreth 2500m2.

Me këtë në bashkryerje ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 par.2 e lidhur me par.1, nenin 31 dhe 77 të KPRK-së.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Diplomon gjenerata e dytë e studentëve UNIK të UNI-të me diploma të fuqizuara nga Arizona State University
-Advertisement-

Të tjera