Lajme

Gjykimi ndaj ish-inspektorëve, dëshmitarja thotë se prokurorja e pështyu e i tha “puh Zoti të marroftë”

Autori: Gazeta inFokus 11:50 | 07 May 2022

Dëshmitarja Miradije Rrustemi lidhur me incidentin që e kishte me prokuroren Drita Hajdari, thotë se kjo e fundit e pështyu dhe i tha “Puh Zoti të marroftë po mirë të paskan përgatit”.

Këtë deklarim, dëshmitarja Rrustemi e bëri në seancën e së premtes, në gjykimin ndaj katër ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës, Ismet Haliti, Mërgim Shala, Skender Canolli dhe Vehbi Abdullahu, të cilët po akuzohen për korrupsion, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Prokurorja në korridor dul dhe më pshtyti më tha “puh Zoti të marroftë po mirë të paskan përgatit”, me çfarë të drejte me dalë me pshty në korridor, çfarë vepre bëra që me dalë me pshty”, deklaroi Rrustemi.

-Advertisement-

Po ashtu, e njëjta deklaroi se pas dhënies së dëshmisë në seancë, ka dalë nga salla së bashkë me Vehbiun, me të cilin nuk ishin duke folur lidhur për rastin dhe shtoi se nuk e kishte ditur se ka qenë e ndaluar të bisedojë me kolegë.

Tutje, dëshmitarja tha se para seancës është takuar e përshëndetur me kolegë, mirëpo asnjëherë që nga pranimi i ftesës për seancë nuk është takuar me kolegët, të cilët janë të akuzuar në rastin në fjalë.

Prokurorja Hajdari tha se ka dyshuar që dëshmitaren e kanë përgatitur, për shkak se në pyetjet relevante është përgjigjur që nuk i kujtohet dhe për këtë arsye thotë se ishte e detyruar ta ballafaqojë me deklaratën e saj të mëparshme.

Prokurorja shtoi se e shtyrë nga ky dyshim, ka dalë në korridor të gjykatës dhe e ka parë dëshmitaren të kapur për dore me të akuzuarin Abdullahu.

“Kam dalur pas saj në korridorin e gjykatës dhe e kam parë që pas daljes që është kapur për dore me të akuzuarin Vehbi Abdullahu, po ashtu gjatë qëndrimit në korridor është afruar dhe tek dëshmitari Gjemshit Aliu. Ndërsa, pastaj kanë arritur edhe të akuzuarit e tjerë dhe e kanë rrethuar të gjithë duke qeshur dhe kënaqur me deklaratën e saj”, tha prokurorja Hajdari.

Ajo tha se i kishte thënë që të mos kontaktojë me dëshmitarin tjetër, në këtë rast dëshmitarin Aliu, me arsyetimi se e njëjta kishte arritur t’i thotë diçka atij.

“Ku pastaj i thashë Zoti të marroftë sa mirë të kanë përgatitë, ajo më është vërsulur dhe unë me gjeste- dorë i kam thënë të largohet dhe kam hyrë në sallë”, shtoi prokurorja, duke e mohuar se e ka pështyrë, me arsyetimin që nuk është në kulturën e saj.

Paraprakisht, në seancë u dëgjua dëshmitarja Miradije Rrustemi, e cila tha se punon dhe se ka punuar gjatë periudhës për të cilën po ngarkohen të akuzuarit në fjalë, në Drejtorinë për Inspektim në Komunën e Prishtinës, si asistente administrative në sektorin e ndërtimit.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Hajdari, dëshmitarja deklaroi se kompetencë e saj në raport me inspektorët e ndërtimit ka qenë që raportet e punës së tyre në terren që ia kanë dërguar, të bëjë një përmbledhje të tyre.

Ajo tha se raportet e mbledhura i ka përmbledhur në mënyrë elektronike, ndërsa të printuara i ka dorëzuar tek shefi i sektorit Ismet Halitit, për shkak se nuk kanë pasur e-maila zyrtarë.

Dëshmitarja ka theksuar se raportet e inspektorëve kanë përmbajtur thirrjet që u kanë lënë palëve, procesverbalet në lidhje me atë rast, urdhërndalesat që kanë lëshuar dhe aktvendimet e rrënimit.

Gjithashtu, dëshmitarja Rrustemi deklaroi se përmbaruesi Skender Canolli ka pasur obligim që t’ia dorëzojë raportet javore dhe mujore, por se çka ka përmbajtur ai raport javor tha se nuk i kujtohet.

Prokurorja e pyeti se a ka njohur se kush e ka lëshuar aktin për rrënimin dhe se a ka pasur ndonjëherë akt për rrënim.

“Nuk kam pas një akt të tillë, ndërsa shkresa të tjera të raportit të lëndës i kam pasur”, tha dëshmitarja, duke shtuar se nuk ka njohuri për këtë gjë.

Ndërsa, pas rikujtimit nga prokurorja Hajdari, dëshmitarja tha se i kujtohet që në pyetjen se kur e ka shtypur aktin për rrënim, kujt i ishte adresuar, ishte përgjigjur se i është adresuar ekzekutuesit Skender Canolli.

Po ashtu, edhe lidhur me deklarimet e tjera në gjykimin e 26 prillit 2016, tha se janë të vërteta sepse gjatë deklarimit ka thënë të vërtetën dhe mbetet pranë atyre deklaratave.

Gjatë përgjigjeve në pyetjet e mbrojtëses të akuzuarit Skender Canolli, avokates Ibadete Veliqi-Ajvazi, dëshmitarja ka thënë se kompetencë e inspektorit ka qenë nxjerrja e një vendimi për ndërprerjen e një punimeve të objektit, nxjerrja e vendimit për largim të personelit dhe mjeteve materiale në ndërtim dhe nxjerrja e vendimit.

Ndërsa, shtoi se nuk ka njohuri se kush ka qenë kompetent për mbikëqyrjen e këtyre vendimeve.

Duke u përgjigjur në pyetjet e të akuzuarit Mërgim Shala, e njëjta ka pohuar se të gjitha urdhërndalesat dhe vendimet për rrënim i kanë shtypur në kompjuterin e saj, në prezencë e inspektorit përkatës dhe se në përgjithësi, këto janë shtypur në kompjuterin e saj në prezencë të inspektorit, shefit ose ekzekutuesit.

Kurse, e pyetur nga përfaqësuesi i Komunës, avokati Arbër Istrefi, dëshmitarja deklaroi se ankesat e bëra nga qytetarët i ka regjistruar me të gjitha procedurat, çka ka ndodhur deri në fund të vendimit lidhur me ato ankesa.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Valon Kurtaj, ka thënë se vendimi që ka qenë në procesverbal, shefi e ka ditur që është marrë pasi që i ka pasur raportet, inspektori e ka lëshuar vendimin për rrënim, ndërsa se kush e ka zbatuar apo kush ka qenë i obliguar nuk e di.

Ajo shtoi se pozitën e përmbaruesit e kupton me qenë aty derisa të rrënohet ai objekt, ndërsa e njëjta tha se nuk mund ta di nëse përmbaruesi e ka ekzekutuar vendimin e përmbaruesit.

Më pas, e njëjta tha se përmbarues ka qenë Skender Canolli, me të cilin ka punuar 2-4 vjet, i cili ka ardhë në zyrë dhe ia ka dorëzuar raportin javor në mënyrë fizike, në të cilin e ka cekur që me këtë datë u ekzekutua vendim-rrënimi.

Gjithashtu, në këtë seancë e kanë dhënë dëshminë e tyre edhe dëshmitarët Gjemshit Aliu dhe Agim Pajaziti.

Dëshmitari Aliu deklaroi se si zyrtar për ndërtim, ka dalë së bashku me inspektorin në terren dhe se detyra e tij ka qenë shoqërim i inspektorit, fotografimi i objektit dhe ndonjëherë edhe ftesa për palën.

Ai ka thënë se investitori i objektit “Hysi Group”, ka pasur leje ndërtimi, por që ka bërë tejkalim të lejes dhe ka shtuar se edhe pse nuk është pjesë e sektorit një ditë e kishte parë që tani është duke u ndërtuar.

I njëjti tha për sa i përket objektit “Hysi Group”, ka punuar me Drita Rukiqin dhe Granit Cenajn, ndërsa me Blerina Sylën ka qenë më herët, me të cilën nuk ka punuar.

Po ashtu, ka thënë se në terren kanë përpiluar procesverbale, të cilat i ka bërë ai apo inspektori cili ka qenë më i lirë por që kanë nënshkruar të dy.

Tutje, i njëjti tha se nuk ka di se çka ka bërë shefi, pasi e ka pranuar aktvendimin për rrënim, por një kopje e çdo vendimi mbetet tek shefi dhe vuloset aty e se mbetet një kopje aty, një inspektorit, një palës, pasi kështu kanë qenë procedurat.

Më tutje tha se për objektin “Hysi Group”, nuk i kujtohet nëse është nxjerrë akti për rrënim, ndërsa në përgjithësi aktet janë bërë nga shefi Ismeti Haliti.

Aliu deklaroi se e ka shkruar me dorë një letër që nuk merr përgjegjësi për këtë objekt, me fjalë t “Që nuk marrë përgjegjësi për këtë lëndë”, të cilën e ka vendosur në lëndë pa e njoftuar askënd.

I njëjti tha se te “Hysi Group” kanë vendosur shirita, të cilët shirita të nesërmen janë larguar dhe se një gjë e tillë është konstatuar me procesverbal dhe inspektori nuk e di pastaj se a e ka njoftuar shefin apo ndonjë.

Ndërsa, ka shtuar se përmbaruesi ka pasur ekzekutimin e vendimeve për rrënim, nëse iu është dhënë akti.

Kurse, kur është lëshuar vendimi për pezullim të punimeve dhe nëse pala nuk e ka ndërprerë, tha se ka vazhduar është lëshuar vendimi për rrënim.

Ndërsa, dëshmitari Agim Pajaziti deklaroi se vetura “Q7” është në emër të tij, të cilën e ka blerë më 8 qershor 2012 me para kesh në auto sallonin “Alberti”, në shumën prej 37 mijë euro.

Ai deklaroi se për veturë fillimisht ka paguar 2 mijë për të mos e shitur, e pastaj shumën prej 35 mijë euro.

Dëshmitari Pajaziti tha se kur ka paguar këtë shumën prej 2 mijë euro, kanë shkuar për ta shikuar veturën së bashku me bashkëshorten dhe me Ismet Halitin, të cilin e ka mik pasi që vajza e tij është martuar me djalin e të akuzuarit Haliti.

Ndërsa, i njëjti tha se përveç tij, veturën “Q7” e kanë vozitur shumë persona, ndër ta edhe dhëndri Fatosi, vëllai i dhëndrit, vëllai i tij, djemtë, djali i mixhës, po ashtu dëshmitari.

Po ashtu, Pajaziti pohoi se veturën ia ka dhënë edhe Ismet Halitit, pasi që e ka mik shtëpie.

I njëjti tha se servisin e veturës e ka bë vëllai i tij Naim Pajaziti, në servisin e tyre dhe se Fatosi nuk e ka bërë.

Mirëpo, pas rikujtimit të deklaratës së tij të dhënë në polici më 20 maj 2014, ku i njëjti ishte përgjigjur “se një herë dhëndri Fatos Haliti e ka dërguar një herë, sa e di unë e ka dërguar tek Reforma”, i njëjti tha se i kujtohet që e ka dërguar, por në çfarë kohe dhe në cilin vit nuk i kujtohet, pasi kanë kaluar 8 vite.

Tutje, dëshmitari Agim Pajaziti tha se faturat e prezantuara në polici në emër të Xhamil Pajazitit kanë qenë fatura që kanë shitur pasuri-tokë, pasi që një pjesë e tokës ka qenë e tij dhe pse ka qenë në emër të vëllait të madh, Xhamil Pajazitit.

Po ashtu, tha se toka ishte shitur më 2006-2008 dhe se ato i ka ruajtur për veturë e për nevoja personale.

Ai tha se këto fatura i kishte prezantuar në polici, për arsye se ata i kishin bërë presion që nuk kishte pasur mundësi me ble veturën dhe të pranojë që është vetura e Ismetit.

I njëjti tha se për një pjesë i kanë takuar 60 mijë dhe për një pjesë 125 mijë, pasi që është shitur në dy pjesë, të cilat para kishin qenë në llogari të Xhamilit dhe tha që paratë i ka tërhequr Xhamili kesh dhe ia ka dhënë ato dhe se ai kesh e kam paguar veturën.

Dëshmitari ka shtuar se të njëjtit ia kanë kërkuar veturën dhe ia kanë kthyer atë, por ka qenë ditore, por ka mundur të zgjasë edhe 2-3 ditë.

Po ashtu, dëshmitari deklaroi pasi që ka shkuar për të dhënë deklaratë tek policia, aty i është konfiskuar vetura, si dhe shtoi se nuk e ka kërkuar veturën nga Ismet Haliti, pasi që ai të njëjtën nuk ia ka marrë.

Sipas tij, koha më e gjatë që e ka vozitur Ismeti atë veturë, ka qenë 2 ditë, ndërsa tha se ia ka dhënë dhëndrit dhe se ka pasur mundësi t’ia ketë dhënë vëllait të tij, mirëpo shtoi se dhëndri i tij, Fatos Haliti, nuk ka ndodhur ta mbajë me muaj apo vjet.

Në fund tha se nuk ka pasur objekt ai apo dikush nga familja e tij, që është dashur të inspektohet apo të rrënohet.

Ndërsa, prokurorja Hajdari propozoi që të lexohen të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve të propozuar në aktakuzë, me të cilin propozim nuk u pajtua mbrojtja.

Për këtë, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Suzana Çerkini tha se gjykata duhet të vendos me një vendim, që refuzohet propozimi i prokurores dhe atë për momentin do të refuzohet propozimi.

Në seancën e së premtes ishte paraparë të dëgjohej në cilësinë e dëshmitarit ministri Xhelal Sveçla, por i njëjti nuk ishte i pranishëm në seancë.

Lidhur me mungesën e ministrit Sveçla, gjykatësja Çerkini konstatoi se i njëjti është ftuar me ftesë të rregullt, mirëpo zyrtarja e tij ka njoftuar gjykatën se i njëjti e ka të pamundur të jetë sot në gjykatë, për shkak të një takimi të rëndësishëm dhe ka premtuar se i njëjti herën e ardhshme do t’i përgjigjet ftesës së gjykatës.

Po ashtu, në këtë seancë nuk ishin të pranishëm as dëshmitarët Qefsere Lakna dhe Naim Pajaziti.

Lidhur me mungesën e dëshmitares Lakna, gjykatësja Çerkini tha se e njëjta ka qenë e njoftuar në seancën e fundit, ndërsa për dëshmitarin Pajaziti tha se pas konstatimit që adresa është e panjohur, ka kërkuar nga stacioni policor Veriu verifikim adrese, mirëpo deri në këtë moment nuk kanë marrë ndonjë njoftim.

Paraprakisht gjyqtarja Suzana Çerkini njoftoi se fillimisht mbrojtësve të të akuzuarve u është dërguar një njoftim përmes e-malit zyrtar lidhur me kërkesën e tyre për përjashtimin e prokurores së çështjes Drita Hajdari.

Lidhur me këtë kërkesë, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës më 24 mars 2022 ka nxjerrë vendim, me të cilin i është refuzuar e avokatëve mbrojtës të të akuzuarve, me arsyet e cekura si në vendim.

Pas dëgjimit të dëshmitarëve, seanca u ndërpre ndërsa të radhës u caktuan më 8, 10 dhe 13 qershor 2022, ku pritet të dëgjohen dëshmitarët e tjerë sipas radhës në aktakuzë.

Ndryshe, në seancën e 15 dhjetorit 2021, prokurorja Hajdari e ka ndryshuar aktakuzën, ku në pikën e parë të aktakuzës, të akuzuarit Haliti dhe Canolli akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, të kryer në formën e bashkëpunimit- bashkëkryerjes në vazhdimësi siç tha ajo.

Në pikën e dytë të aktakuzës së ndryshuar, që ka të bëjë me objektin “Dodona”, sipas prokurores Hajdari, i pandehuri Abdullahu akuzohet se në bashkëkryerje me të pandehurit Haliti dhe Canolli kanë kryer në formën e bashkëpunimit- bashkëkryerjes veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, lidhur me nenin 31.

Në pikën tre të aktakuzës së ndryshuar, prokurorja Hajdari tha se kjo pikë ka bëjë me të pandehurit Haliti, Canolli dhe Abdullahu me objektin në lagjen “Ilirida”, rruga “Xheladin Kurbaliu”, e që në aktakuzën bazë ishte në pikën 1.10, ku sipas aktakuzës së ndryshuar, prokuroja tha se të pandehurit e lartcekur akuzohen se në formën e bashkëpunimit-bashkëkryerjes kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës.

Ne pikën katër dhe pesë të aktakuzës së ndryshuar, të cilat pika sipas prokurores Hajdari kanë të bëjnë me objektin nga investitori “Ramiz Sadiku” dhe “Simon Invest”, i akuzarit Haliti akuzohet për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 të Kodit Penal.

Ndërsa, krejt në fund të pikave të dispozitivit të kësaj aktakuze të ndryshuar, konkretisht në pikën gjashtë, i pandehuri Shala akuzohet për veprën penale e cila ishte në pikën 1.4 në aktakuzën bazë, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 të Kodit Penal.

Ndryshe, sipas aktakuzës së parë, Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, akuzohen se në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kishin përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit.

Dy nga të akuzuarit në këtë rast, Ismet Haliti dhe Skender Canolli ngarkoheshin edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, kurse për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve akuzohej edhe biznesmeni Qemajl Pozhegu.

Fillimisht, në gjykimin e parë, Gjykata Themelore në Prishtinë më 20 prill 2018, të akuzuarin Haliti e kishte dënuar me 3 vjet e 6 muaj burgim, për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe me 1 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje, duke iu konfiskuar edhe vetura dhe para në shumën prej 11 mijë euro si dhe një pistoletë.

Skënder Canolli për keqpërdorim të pozitës zyrtare ishte dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim si dhe me 1 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje. Atij i ishte konfiskuar makina e tipit “Passat” dhe 10 mijë franga zvicerane.

Inspektorja Blerina Syla ishte dënuar me 2 vjet burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Vehbi Abdullahu, gjithashtu me 2 vjet burgim, Blerim Ibishi me 2 vjet, Mergim Shala, me 2 vjet dhe gjithashtu i ishte konfiskuar banesa në lagjen “Kalabria”, derisa Drita Rukiqi ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj, Arbenita Ajeti 1 vit e 6 muaj, Ardian Muhadri me 1 vit burgim dhe Granit Cenaj 1 vit burgim.

Kurse, afaristi Qemajl Pozhegu, ishte dënuar me 20 mijë euro gjobë për falsifikim të dokumenteve.

Të pakënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë, avokatët mbrojtës të të gjithë të akuzuarve ishin ankuar në Apel për aktgjykimin e Themelores nën pretendimet se ka shkelje esenciale të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, shkelje të ligjit penal si dhe në lidhje me vendimin për sanksionin penal.

Duke aprovuar ankesat e mbrojtësve, në dhjetor të vitit 2018, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin e Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Gjykata Themelore e Prishtinës më 10 nëntor 2020, të akuzuarin Ismet Haliti për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtare”, e kishte dënuar me dy vite burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje i kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 1 mijë euro.

Për keqpërdorim detyre, i akuzuari Skender Canolli ishte dënuar me 1 vit burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje, ishte dënuar me gjobë në shumë prej 1 mijë euro.

Të akuzuarit Syla, Abdullahu dhe Ibishi ishin dënuar me 6 muaj burgim, i cili dënim me pëlqimin e tyre mund t’iu shndërrohej në dënim me gjobë në shumë prej 12 mijë euro.

Me 6 muaj burgim ishin dënuar edhe të akuzuarit Ajeti, Shala dhe Rukiqi, por me pëlqimin e tyre ky dënim do t’iu zëvendësohej me gjobë në shumë prej 10 mijë euro.

Po ashtu, me gjashtë 6 muaj burgim ishin dënuar edhe të akuzuarit Muhadri dhe Cenaj, por me pëlqimin e tyre, ky dënim do t’iu zëvendësohej me gjobë në shumë prej 8 mijë euro.

Kurse, për veprën penale “falsifikim i dokumenteve”, i akuzuari Pozhegu është dënuar me 18 mijë euro gjobë.

Tutje, të akuzuarve Haliti, Canolli dhe Shala iu ishin konfiskuar pasuritë e fituara me kryerjen e veprave penale.

Të pakënaqur me dënimet e shqiptuara ankesë kishin ushtruar në Gjykatën e Apelit, edhe të akuzuarit përmes mbrojtësve të tyre, duke kërkuar për të dytën herë pafajësinë.

Më 19 gusht 2021, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin e shkallës së parë me 3 vite burgim dhe 42 mijë euro gjobë ndaj katër ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës të akuzuar për korrupsion si dhe ndaj pronarit të kompanisë “Pozhegu Brothers”, Qemajl Pozhegu. Ndërsa, në mungesë të provave i ka lënë të lirë gjashtë inspektorë tjerë të akuzuar se nuk kishin ndalur ndërtimet pa leje prej vitit 2010 deri më 2014 ndaj tetë ndërtuesve në kryeqytet.

Kundër vendimit të Apelit, mbrojtësit e të akuzuarve Haliti, Canolli, Abdullahu dhe Shala kishin paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, ku kjo e fundit i ka aprovuar këto kërkesa dhe çështjen e ka kthyer ne rigjykim dhe rivendosje në shkallë të parë vetëm për veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

Ndërsa, kjo gjykatë kishte refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtësi i të akuzuarit Qemajl Pozhegu.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte ngritur aktakuzë më 12 qershor të vitit 2015 me pretendimin se të pandehurit Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kishin përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit.

Dy nga të akuzuarit në këtë rast, Ismet Haliti dhe Skender Canolli ngarkoheshin edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, kurse për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve po akuzohej edhe biznesmeni Qemajl Pozhegu.

10 ish-inspektorët thuhet se nuk i kanë parandaluar ndërtimet kundërligjore ndaj objekteve të investitorëve Isen Sadiku nga kompania ”Hysi Group”, Ymer Veliu ”Naki Trade”, Arbër Kryeziu ”Al Petrol”, Bedri Prishtina, “Tregtia”, Shefik Rexhepi “Euro Abi”, Azem Rusinovci ”Reforma”, Bejtush Gashi ”VG Construction” dhe Fisnik Morina nga kompania “ART Group”.

Tutje, të akuzuarit thuhet se nuk i kanë ekzekutuar vendimet e Inspektoratit për rrënimin e këtyre objekteve.

Ndërkaq, në këtë rast i pandehuri Qemajl Pozhegu, pronar i kompanisë “Pozhegu Brothers”, akuzohej për falsifikim të dokumenteve, pasi që i njëjti, pretendohet se ka ndryshuar lejen e ndërtimit me qëllim të shfrytëzimit të tij si dokument origjinal.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studio MASTER në UNI, Merr Diplomë dhe lejeqëndrim t’përhershëm në GJERMANI

Të tjera