Lajme

Gjykimi ndaj 20 policëve të veriut, dëshmitarët thonë se i akuzuari Kompiroviq nuk ka ndonjë lokal në Zubin Potok

Autori: Gazeta inFokus 21:36 | 19 April 2023

Në rastin ku 20 policë po akuzohen për korrupsion dhe kontrabandë me mallra në veri, dëshmitarët Boshko Janiqeviç dhe Ognjen Bisevaç ka thënë se i akuzuari Dragosh Kompiroviq nuk është pronar i ndonjë lokali në Zubin Potok.

Në këtë rast po akuzohen Zvezdan Spasojeviq, Biljana Nedeljkoviq, Abdurrahim Haxhiq, Albert Maxhuni, Milija Milunoviq, Oliver Kuzmanoviq, Ramadan Mustafiq, Dejan Spasojeviq, Dragosh Kompiroviq, Jasna Durleviq, Zenel Bahtiri, Ali Pllana, Zoran Radunoviq, Reshat Kuçi, Vukadin Tomasheviq, Blagica Tomoviq, Ljubisa Vujinoviq, Burim Merovçi, Blagoje Lazoviq dhe Nebojsa Gogiq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Një deklarim të tillë, dëshmitarët Janiqeviç dhe Bisevaç e dhanë në seancën e së mërkurës, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit së të akuzuarit Kompiroviq, avokatit Millosh Delleviq.

-Advertisement-

Këtë pyetje avokati Delleviq, ka thënë se e parashtron për shkak se sipas tij, dëshmitari i mbrojtur F2 kishte përmendur se i akuzuari Kompiroviq ka përdorur një punë të tij që të merrej me aktivitete kriminale dhe se ka qenë pronar i një lokali.

Dëshmitarit Janiqeviq ka thënë se, në rrugën magjistrale në Zubin Potok nga viti 2011 e deri në vitin 2019 pronar i atij lokali ka qenë ai, të cilin lokal ai tha se e kishe pasur me qira.

“Unë atë lokal e kam pas me qira dhe biznesi ka qenë i imi dhe jam marrë me shitjen e sanitari së dhe gjë sendeve tjera për ujësjellës”, ka thënë dëshmitari Janiqeviq.

Ai deklaroi se të akuzuarin Kompiroviq e ka kumbarë dhe se gjatë asaj periudhe kohore rrallë herë i akuzuari Kompiroviq ka shkuar tek ai në lokal për ta vizituar.

“Rrallë ndodhte kjo, dhe kur isha unë aty shumë shkurt ndodhke. Zakonisht ai vinte pa uniformë, aty afër është një lokal ku kemi pirë kafe”, theksoi i njëjti.

Sipas tij, kamerat e vendosura në lokal nuk kanë qenë të vërteta por të njëjtat ai tha se i kishte vendosur të qëndrojnë aty vetëm për punëtorët.

“Kamerat kanë ekzistuar po s’kanë qenë kamera të vërteta vetëm të qëndrojnë aty për punëtorë, nuk i kam pasur kushtet që të instaloj kamera te vërteta, nuk kanë funksionu si kamera”, shtoi dëshmitari Janiqeviç.

E për të vërtetuar që kamerat nuk kanë qenë të lidhura ai tha se një herë kishte ndodhur një aksident para lokalit me c ‘rast policia i kishte kërkuar incizimet po sipas dëshmitarit Janiqviç ata e kanë parë që s’ka incizime dhe ato kamera kanë qenë jo të vërteta.

Janiqeviç ka thënë se askush nuk kishte lënë ndonjëherë ndonjë porosi në lokalin e tij për të akuzuarin Kompiroviq.

I njëjti po ashtu ka deklaruar se, derisa kishte qenë në një udhëtim, kishte dëgjuar natën vonë se ka qenë një aksion i policisë e pastaj kur ishte kthyer, së bashkë me kumbarën e tij tani të akuzuarin Kompiroviq së bashku kishin shkuar në Stacionin Policor në Mitrovicë.

“Kur kam ardhur nga rruga kumbara më ka njoftuar që emri i tij qëndron në atë listë më ka thënë që do të shkoj të lajmërohet dhe të sheh se për çka bëhet fjalë, vet kemi shkuar unë, kumbara edhe vëllai i tij në stacionin policor në Jug të Mitrovicës”, ka deklaruar ai.

Këtë përgjigje dëshmitari Janiqeviç e ka dhënë pasi që i njëjti u pyet nga i akuzuari Kompiroviq se a e kishte arrestuar policia apo vet ishte lajmëruar në polici.

Kurse, dëshmitari Bisevaç ka thënë se pronar i lokalit në Zubin Potok është ai, por të njëjtin me qira ia kishte lëshuar dëshmitarit tjetër Janiqeviç, e ndërsa tani për tani e shfrytëzon dikush tjetër.

Ai tha se nuk ka pasur rast që i akuzuari Kompiroviq ta ketë marrë me qira atë lokal.

Gjithashtu, ai tha se i akuzuari Kompiroviq nuk ka pasur ndonjë lokal në atë magjistrale.

I pyetur se i akuzuari Kompiroviq a është marrë edhe me aktivitete tjera, ai tha se sa ishte në dijeni i njëjti ka punuar tokën e ka mbjellë arat.

Tutje, Bisevaç ka thënë se kishte dëgjuar që lokali posedon kamera por kishte dëgjuar se ato kamera nuk janë të vërteta.

“Ka qenë një sulm në një bankë përball kam dëgjuar nga gruaja ime se janë kërkuar kamerat e lokalit dhe po ashtu kam dëgjuar se ato kamera kane qenë të pavërteta dhe nuk funksionin”, ka thënë ai.

Ato kamera ai tha se nuk i kishte vendosur ai por qiramarrësi në këtë rast Janiqeviç.

Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mentor Bajraktari ka thënë se nga seanca e kaluar gjykata e kishte obliguar të akuzuarin Zoran Radunoviq dhe mbrojtësin e tij avokatin Zivojin Jokanoviç që të sjellin të dhënat personale sa i përket dëshmitarit të propozuar Miladonoviq, për shkak se gjykata nuk ka pasur të dhëna të sakta për këtë dëshmitarë.

Por, sipas gjykatësit Bajraktari deri në mbajtjen e kësaj seance, gjykata nuk ka pranuar ndonjë njoftim lidhur me obligimin që kanë pasur të njëjtit ta përmbushin për gjykatën.

Në seancë, lidhur me këtë i akuzuari Radunoviq ka thënë se e ka kontaktuar dëshmitarin por sipas tij, për arsye të situatës i njëjti nuk ka mundur të paraqitet.

Për shkak se propozuesit në këtë rast i akuzuari Radunoviq dhe avokati Jokanoviç nuk kanë munduar të sigurojnë të dhënat personale të dëshmitarit gjykata ka revokuar vendimin e saj për dëgjimin e të njëjtit.

“Deri tek ky vendim i revokimit gjykata ka ardhur për shkak se gjykata konsideron se kjo paraqet zvarritje të procedurës dhe po ashtu duhet të ekonomizohet procedura”, ka thënë tutje gjykatësi Bajraktari.

Seanca ka vazhduar me procedurën e administrimit të provave materiale, prokurori Burim Çerkini ka bërë specifikimin e provave materiale dhe ua ka dorëzuar palëve një indeks-shkresë në të cilën ka specifikuar transkrtiptat e bisedave të cilat i ka propozuar që të administrohen si prova.

Lidhur me këtë indeks të prokurorisë që palët e pranuan në këtë seancë, mbrojtësi i të akuzuarit Milija Milunoviq avokati Nebojsa Vlajiç ka thënë se nuk mund të deklarohet sot pasi që të njëjtat duhet t’i shqyrtoj dhe të shoh që nëse ndonjë deklaratë mund të jetë e papranueshme.

Mbrojtësi i të akuzuarës Jasna Durleviq, avokati Asdren Hoxha ka kërkuar që provat e titulluara si raportet e përgjimeve-transkriptat e bisedave të urdhëruara nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special për të dyshuarit të nxjerra nga vetura zyrtare dhe nga zyra e SKPM-së në Zubin Potok të shpallen prova të papranueshme dhe të veçohen nga shkresat e lëndes.

Lidhur me këtë indeks të prokurorisë që palët e pranuan në këtë seancë, mbrojtësi i të akuzuarit Milija Milunoviq avokati Nebojsa Vlajiç ka thënë se nuk mund të deklarohet sot pasi që të njëjtat duhet t’i shqyrtoj dhe të shoh që nëse ndonjë deklaratë mund të jetë e papranueshme.

Propozimet e avokateve Hoxha dhe Vlajiç i kanë mbështetur edhe të gjithë mbrojtësit tjerë të të akuzuarve.

Në fund, gjykatësi Bajraktari njoftoi palët se seanca e paraparë për 25 prill 2023, nuk do të mbahet për shkak të disa angazhimeve, ndërsa seancat e radhës janë të caktuara më 17 dhe 18 maj 2023.

Ndërkaq, bashkë me 20 policët e veriut, akuzoheshin edhe Bozhidar Milosavljeviq dhe Krsto Subotiq, por ndaj të njëjtëve gjykata ka pushuar procedurën penale, për shkak se kishin ndërruar jetë.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 16 qershor 2020, 33 të akuzuarit e kanë mohuar fajësinë, ndërsa dy të akuzuarit Krsto Subotiq i cili ka ndërruar jetë dhe Nysret Jashari kishin pranuar fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje.

Bashkë me 20 policët e veriut, në këtë rast për kontrabandim me mallra janë të akuzuar Izet Jashari, Jeton Morina, Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Nysret Jashari, Sabri Isufi, Xhevdet Jashari, Arben Isufi, Bajram Uka, Besnik Morina dhe Faton Isufi, mirëpo rasti ndaj tyre ishte veçuar.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 16 qershor 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj 33 personave për dyshimin se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrje ryshfeti”, “Kontrabandë me mallra”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Zvezdan Spasojeviq në cilësinë e komandantit të stacionit, Biljana Nedekjkoviq në cilësinë e udhëheqëses së ndërrimit dhe të akuzuarit Milija Milunoviq, Albert Maxhuni dhe Abdurahim Haxhiq në cilësinë e policëve patrullues në kuadër të ndërrimit “A”, të SPMK në Zubin Potok, nga viti 2017 e deri në maj 2019, në bashkëkryerje me të akuzuarin Dejan Vukashinoviq i cili ndodhet në arrati, me dashje kishin shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar.

Në aktakuzë thuhet se kishin lejuar dhe mundësuar kontrabandimin e mallrave të ndryshme si: kafshë, derivate, pije alkoolike, joalkoolike dhe mallra ushqimore nga Serbia në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, nëpërmjet rrugëve ilegale, derisa kishin qenë në detyrë zyrtarë duke mbikëqyrur rrugët kufitare.

Sipas PSRK-së, të njëjtit iu kishin mundësuar përfitim pasuror të kundërligjshëm të akuzuarve Dragoslav Igrutinoviq, Boban Radojkoviq, Dalibor Djukiq, Miljan Radisavljeviq, Miljojko Radisavljeviq, Zoran Vukomanoviq dhe persona të tjerë si transportues të mallrave, duke iu shmangur kontrollit doganor me rastin e importimit të mallrave, me ç’rast i kishin shkaktuar dëm material buxhetit të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, sipas PSRK-së këta 5 të akuzuar kishin pranuar shuma të ndryshme të parave, për të vepruar në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare dhe atë për çdo automjet nga 20 deri në 100 euro, apo 150 euro, e që një pjesë të këtyre parave e kishin marrë për vete, ndërsa pjesën tjetër ua kishin ndarë policëve të ndërrimit.

Për të njëjtat veprime po akuzohen edhe Oliver Kuzmanoviq në cilësinë e udhëheqësit të ndërrimit, Ramadan Mustafiq, Dejan Spasojeviq, Dragosh Kompiroviq, Jasna Durleviq, Zenel Bahtiri, Bozhidar Milosavljeviq dhe Ali Pllana, në cilësinë e policëve patrullues në kuadër të ndërrimit “B”, të SRMK, në Zubin Potok dhe të akuzuarit Zoran Radunoviq në cilësinë e udhëheqësit të ndërrimit si dhe të akuzuarit Krsto Subotiq, Reshat Kuqi, Vukadin Tomasheviq, Blagica Tomaviq, Ljubisa Vujinoviq, Burim Merovci dhe Blagoje Lazoviq në cilësinë e policëve patrullues në kuadër të ndërrimit “C”.

Për këto veprime, PSRK, në vazhdim dhe bashkëkryerje po i ngarkon me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”, për të cilat veprime dhe me të njëjtat vepra penale po ngarkohet edhe udhëheqësi i ndërrimit “D”, Nebojsha Gogiq.

Sipas PSRK-së, të akuzuarit Izet Jashari, Arben Isufi, Faton Isufi, Bajram Uka, Nysret Jashari, Xhevdet Jashari, Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Besnik Morina, Jeton Morina dhe Sabri Isufi, nga viti 2017 e deri në maj 2019, në bashkëkryerje me Dragoslav Igrutinoviq dhe Boban Raojkoviq të cilët gjenden në arrati, kishin kontrabanduar kafshë nga Serbia për në Kosovë, duke iu shmangur kontrollit doganor.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Besnik Morina, Jeton Morina dhe Sabri Isufi kishin udhëtuar në Serbi ku atje kishin blerë kafshë dhe më pas të njëjtat përmes marrëveshjes i kishin dorëzuar tek të akuzuarit Dragoslav Igrutinoviq dhe Boban Radojkoviq të cilat kafshë i kishin kontrabanduar përtej kufirit në mënyrë ilegale dukë bashkëpunuar me zyrtarët policorë në SPMK-Zubin Potok, për të cilat shërbime ishin paguar në shumën prej 50 deri në 60 euro për një kafshë.

Më pas, siç thuhet në aktakuzë, të akuzuarit Izet Jashari, Arben Isufi, Faton Isufi, Bajram Uka, Nysret Jashari, Xhevdet Jashari, i kishin marrë kafshët nga fermat e të akuzuarve Dragoslav Igrutinoviq dhe Boba Radojkoviq dhe i kishin dorëzuar tek pronarët e tyre në fshatrat Pasomë dhe Akrashticë të komunës së Vushtrrisë dhe fshatin “Sankovc”, në Drenas, ku për bartjen e këtyre kafshëve kishin marrë 30-35 euro për një kafshë.

Sipas PSRK-së, vetëm për dy rastet e proceduara vlera e shmangies për mallrat e kontrabanduara është mbi 5 mijë euro, ku të njëjtit pas hetimit nga ana e policisë ishin arrestuar.

Për këto veprime, Izet Jashari, Arben Isufi, Faton Isufi, Bajram Uka, Nysret Jashari, Xhevdet Jashari, Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Besnik Morina, Jeton Morina dhe Sabri Isufi, po ngarkohen me veprën penale “Kontrabandë me mallra”, nga nenin 317, par.1 lidhur me nenet 81 dhe 31 të Kodit Penal.

Po ashtu, të akuzuarit Nysret Jashari dhe Faton Isufi po ngarkohen edhe për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”, pasi gjatë urdhër kontrollit nga ana e policisë, tek i akuzuari Jashari ishin gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri AK-47, një pushkë M-48, 12 fishekë të pushkës automatike, 30 fishekë të pushkës M-48, një pjesë vazhduese e pushkës automatike.

Ndërsa, tek i akuzuari Isufi policia kishin gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjuetie ”Zastava”, dhe dy fishekë të kalibrit 12 mm, të cilat armë dy të akuzuarit i kishin poseduar pa autorizim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Coffee shkon edhe në Ferizaj – ambient i ngrohtë e risi në menu (VIDEO)
-Advertisement-

Të tjera