Lajme

Gjykata Supreme vendos kundër referendumit të Skocisë për pavarësi

Autori: Gazeta inFokus 11:41 | 23 November 2022

Gjykata Supreme e Mbretërisë së Bashkuar konstatoi të mërkurën se Skocia nuk mund të mbajë referendum të dytë për pavarësi, pa lejen e Qeverisë britanike.

Ky vendim e kthen një hap prapa fushatën e Qeverisë skoceze që synonte të largohej nga Mbretëria e Bashkuar.

Në vitin 2014, skocezët nuk pranuan t’i jepnin fund bashkimit më shumë se 300-vjeçar me Anglinë, duke votuar 55% kundër pavarësimit nga Mbretëria e Bashkuar në referendumin e mbajtur në atë kohë.

-Advertisement-

Mirëpo, aktivistët që kërkojnë pavarësimin besojnë se referendumi do të kishte rezultate të tjera nëse mbahet sërish tani, dy vjet pas largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian, gjë që skocezët e kishin kundërshtuar.

Qeveria gjysmëautonome e Skocisë dëshironte të mbante referendum në tetor të vitit 2023 me pyetjen “A duhet të jetë Skocia vend i pavarur?”

Ministrja e Parë e Skocisë, Nicola Sturgeon, lidere e Partisë Kombëtare Skoceze (SNP) që mbështet lëvizjen për pavarësim, kishte bërë të ditur më herët këtë vit se referendumi planifikohej për 19 tetor, por se ai duhet të jetë i ligjshëm dhe të njihet ndërkombëtarisht.

Por, Gjykata Supreme konstatoi se nuk është në fuqinë e Parlamentit skocez “të bëjë legjislacion për një referendum për pavarësinë skoceze”.

Qeveria konservatore e Mbretërisë së Bashkuar në Londër ka refuzuar ta pranojë një votim të tillë, duke thënë se përgjigjja e kësaj pyetjeje ishte dhënë në një referendum të vitit 2014.

Anketat sugjerojnë se skocezët mbeten të ndarë në gjysmë lidhur me këtë çështje.

Sipas Aktit të Skocisë të vitit 1998, i cili krijoi Parlamentin skocez dhe ia kaloi atij disa kompetenca nga Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar, të gjitha çështjet që lidhen me Unionin e Mbretërive të Skocisë dhe Anglisë i rezervohen Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar./Rel

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Blerando i Big Brother Vip Kosova – fytyra e re e Prince Espresso
-Advertisement-

Të tjera