Lajme

Gjykata Speciale jep detaje për Nasim Haradinajn, Hysni Gucatin e Salih Mustafën

Autori: Gazeta inFokus 09:00 | 15 October 2020

Gjykata Speciale ka dhënë detaje në lidhje me akuzat ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të arrestuar javë më parë.

Gjykata ka thënë se tani po zhvillohet faza paragjyqësore, gjatë së cilës çështja po përgatitet për gjykim ndaj ish-shefit të Inteligjencës së FSK-së Salih Mustafës, i arrestuar më 24 shtator.

“Në çështjen e Salih Mustafës, paraqitja fillestare e të akuzuarit u mbajt më 28 shtator 2020, nga e cila z. Mustafa ka tridhjetë ditë për të deklaruar fajësinë ose pafajësinë në lidhje me secilën nga akuzat në aktakuzë. Pas paraqitjes fillestare të z. Mustafa, tani po zhvillohet faza paragjyqësore, gjatë së cilës çështja përgatitet për gjykim. Gjatë kësaj faze, gjyqtari i procedurës paraprake siguron që procedurat të mos vonohen padrejtësisht. Për shembull, gjyqtari i procedurës paraprake mund të mbajë seanca dëgjimore, nëse është e nevojshme, për përgatitjen e procedurave. Prokurori Special duhet të ndajë me Mbrojtjen provat që mbështesin aktakuzën dhe prova të tjera, përfshirë provat shfajësuese, në një proces të quajtur zbulim”, ka thënë Angela Griep, shefe e Informimit dhe Komunikimit Publik në Gjykatën Speciale.

-Advertisement-

Ajo ka shtuar se personat që besojnë se janë dëmtuar nga krimet e pretenduara të përfshira në aktakuzë, mund të aplikojnë për të marrë pjesë si viktima në procedurë.

“Gjatë kësaj faze, personat që besojnë se janë dëmtuar nga krimet e pretenduara të përfshira në aktakuzë mund të aplikojnë për të marrë pjesë si viktima në procedurë. Kur përgatitjet të kenë përfunduar, gjyqtari i procedurës paraprake transferon dosjen e çështjes te trupi gjykues për fillimin e procedurës gjyqësore”, është shprehur Griep për “Bota sot”.

Ajo ka dhënë detaje edhe për krerët e OVL të UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, ndaj të cilëve janë mbajtur seancat dëgjimore, ku ata u njohën me të drejtat e tyre.

Zyrtarja e Speciales, ka thënë se të drejtat e Gucatit dhe Haradinajt po respektohen, përfshirë edhe të drejtën për këshillim.

“Nasim Haradinaj kishte paraqitjen e tij të parë si i dyshuar para Gjykatësit më 29 Shtator 2020 dhe Hysni Gucati kishte paraqitjen e tij të parë si i dyshuar më 1 Tetor 2020. Në të dy këto seanca, Gjykatësi u sigurua që të dyshuarit të kuptonin të drejtat e tyre dhe që këto të drejta po respektohen, përfshirë edhe të drejtën për këshillim”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zyrtares për Informim.

Ndërsa, lidhur me mundësinë që ata të lirohen, Griep ka thënë se ky vendim i takon gjykatësit.

“Gjatë këtyre seancave, Gjykatësi kërkoi nga Prokuroria që të jepte ndonjë indikacion për hapat e ardhshëm procedural, përfshirë edhe kur Prokurori planifikon të ngritë aktakuza, duke pasur parasysh që Gjykatësi priste që procesi gjyqësor të ishte i drejtë dhe i shpejtë. Në të dy seancat, mbrojtja ka ngritur propozime, duke përfshirë akuzat që do të hiqen dhe që të dyshuarit të lirohen. Gjykatësi kërkoi nga Prokuroria që të paraqesë përgjigjen e tyre ndaj këtyre mocioneve. Tani i takon gjyqtarit të vendosë për këto mocione”, kanë thënë nga Gjykata Speciale për gazetën.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Çka po ndodh me DITËLINDJEN e Viva Fresh Store?!
-Advertisement-

Të tjera