Lajme

Gjykata Speciale jep detaje për arrestimin e Salih Mustafës, publikon aktakuzën ndaj tij

Autori: Gazeta inFokus 19:55 | 24 September 2020

Pas arrestimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 shtator 2020, Salih Mustafa u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 24 shtator 2020.

Gjykatësi i procedurës paraprake e konfirmoi aktakuzën kundër Salih Mustafës më 12 qershor 2020. Në përputhje me rregullën 88(2) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës, aktakuza e konfirmuar nuk u bë publike në atë kohë.

Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave.

-Advertisement-

Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar. Në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.

Për arsye sigurie, gjykatësi i procedurës paraprake urdhëroi që aktakuza të bëhej publike me redaktime. Aktakuzën mund ta gjeni këtu. Informacioni për datën dhe orën e paraqitjes së parë të Salih Mustafës para gjykatësit të procedurës paraprake do të njoftohet më vonë. Paraqitja e parë do të bëhet në seancë publike dhe mund të ndiqet në transmetim me video përmes faqes së internetit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera