Lajme

Gjykata merr vendim për zyrtarin e MMPHI-së, Naser Hafizi

Autori: Gazeta inFokus 17:26 | 11 October 2024

Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për zyrtarin e Ministrisë së Ambientit, Naser Hafizi, i cili u arrestua të enjten në Aeroportin e Prishtinës.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Ajo permes një komunikate ka treguar se Naser Hafizit i është caktuar masa e parapraburgimit për 30 ditë.

-Advertisement-

Njoftimi i plotë i Gjykatës Themelore:

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e paraburgimit, në çështjen penale kundër të pandehurit N.H, për shkak të veprave penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe Shpërlarja e parave nga neni 302 të KPRK-së lidhur me nenin 56 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 të Ligjit nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit dhe veprës penale Mos raportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, andaj të pandehurit N.H i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.

Gjykata vlerësoj se e caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme, sepse nëse i pandehuri lihet në liri, mund t’i asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprave penale, ose do të pengojnë rrjedhën normale të hetimeve, po ashtu lënia në liri e të pandehurit, mund të përdoret si mundësi reale që ai të ndikojnë në dëshmitarët kyç të këtij rasti penal. Gjykata vlerëson se është caktuar masa e paraburgimit duke marr parasysh peshën e veprave penale, të cilat janë të natyrës së rëndë dhe rrezikshmëria shoqërore e tyre është tejet e lartë, sepse janë vepra penale me të cilat atakohet në mënyrë të drejtpërdrejtë buxheti publik, i cili dyshohet se është dëmtuar në masë të madhe, andaj këto rrethana, krijojnë dyshimin se i pandehuri N.H nëse lihet në liri, do të kryej sërish vepra penale, në rrethana të njëjta ose më të rënda. Gjyqtari i procedurës paraprake vlerësojë se ne rastin konkret masat tjera alternative për të pandehurin N.H, nuk do të arrinin qëllimin e masave, andaj nga kjo arsye u vendos që të caktohet masa e paraburgimit, si masë e cila tani për tani është e domosdoshme dhe efektive me qëllim të zhvillimit të pa penguar, të kësaj çështjeje penale.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Të martën Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë zhvilluar një aksion të përbashkët në Ministrinë e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Hetuesit e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike nga Policia e Kosovës atë ditë arrestuan sekretarin e Ministrisë së Mjedisit, Izedin Bytyqi, kurse i dyshuari tjetër Naser Hafizi, nuk është gjetur në vendbanim e tij, ndërsa u arrestua të enjten.

Hafizi dyshohet se ka kryer veprat: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “Shpëlarje e parave” dhe “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
-Advertisement-

Të tjera