Shëndetësi

Gjumi i mirë i natës ndihmon të jemi të shëndetshëm

Autori: Gazeta inFokus 16:09 | 18 August 2017

Në një lajm ku me siguri të gjitha nënat do të thonë: “Ju kam thënë”, shkencëtarët kanë konfirmuar se gjumi i mirë i natës mund t’i mbajë larg ftohjet dhe infeksionet.

Gjasat që dikush që fle pesë ose më pak orë në natë do të ftohej gjatë muajit paraprak kanë qenë 28 për qind më të larta se tek ata që flenë rregullisht, konstatoi studimi.

Dhe për infeksionet e tjera – duke përfshirë gripin, infeksionet e veshit dhe pneumoninë – ata që flenë më pak kishin më shumë se 80 për qind gjasa më të larta që të infektoheshin në muajin paraprak në krahasim me ata që fjetën shtatë ose tetë orë, gjeti studimi, transmeton koha.net.

-Advertisement-

“Njerëzit që flenë pesë ose më pak orë në mesatare janë në rrezik dukshëm të rritur si për ftohjet qoftë në kokë apo gjoks apo infeksionet e tjera, në krahasim me njerëzit që flenë shtatë deri në tetë orë në mesatare”, tha hulumtuesi i studimit Aric Prather. Ai është asistent profesor i psikologjisë në Universitetin e Kalifornisë, San Francisko.

Studiuesit zbuluan gjithashtu se personat që kanë çrregullime të gjumit apo ata që u kanë thënë ndonjëherë mjekut të tyre se kanë probleme me gjumin kishin rreth 30 për qind më shumë gjasa që të ftoheshin muajin paraprak. Shanset e infeksionit në muajin e kaluar për personat me çrregullime të gjumit ishin më shumë se të dyfishuara, zbulon studimi.

Ekspertët nuk mund të thonë me siguri të plotë se pse mungesa e gjumit ndihmon në rritjen e ndjeshmërisë ndaj infeksioneve. Megjithatë, tha Prather, dihet se qelizat T, një lloj i qelizave të bardha të gjakut që e luftojnë infeksionin, nuk funksionojnë aq mirë kur ju mungon gjumi.

Studimi i ri bazohet në punën e mëparshme të Prather. Në një studim të fundit, ai i ekspozoi njerëzit ndaj një virusi të ftohjes dhe zbuloi se ekzistonte një lidhje në mes të kohëzgjatjes së gjumit dhe rrezikut të ftohjes.

Në studimin e tanishëm, ai donte të shihte nëse të dhënat nga jeta e përditshme do t’i mbështetnin këto konstatime. Megjithatë, Prather vuri në dukje se ky studim nuk është dizajnuar për ta dëshmuar marrëdhënien shkak-pasojë.

Prather i përdori të dhënat nga sondazhet e mëdha amerikane për ekzaminim kombëtar shëndetësor dhe të të ushqyerit (NHANES) nga viti 2005 deri në vitin 2012. Ai i ekzaminoi të dhënat e rreth 23.000 meshkujve dhe femrave, me moshë mesatare 46- vjeçare. Vullnetarët e studimit e raportuan kohëzgjatjen e gjumit, nëse kishin probleme ose çrregullime me gjumin, dhe nëse kishin pasur ftohje ose infeksione të tjera si gripi, pneumonia apo infeksioni i veshit gjatë muajit paraprak.

Gjetjet janë publikuar si artikull më 11 prill në JAMA Internal Medicine.

Hulumtimi i ri u bën jehonë disa gjetjeve të studimeve të mëparshme, tha Sheldon Cohen, profesor i psikologjisë në Universitetin Carnegie Mellon në Pittsburgh. Cohen i ka studiuar më parë shprehitë e gjumit dhe ndjeshmërinë ndaj ftohjeve. “Ne kemi zbuluar se shtatë orë është pika e thyerjes”, tha ai. “Njerëzit që flenë më pak se shtatë orë ishin, në thelb, në rrezik më të madh”.

Kur ekzaminohen shumë studime “konsistenca në studime vërtet sugjeron se gjumi e luan një rol [në ndjeshmërinë ndaj ftohjes]”, tha Cohen. “Nëse kjo ndodh për shkak se gjumi e ruan një sistem të fortë imunitar, këtë nuk mund ta themi me siguri në këtë pikë”.

Faktorët e tjerë, si mungesa e ushtrimeve, mund të ndihmojë në shpjegimin e kësaj, tha ai. Përkundër kësaj, “të dhënat sugjerojnë se gjumi mund ta ketë ndryshuar funksionin imunitar në një farë mënyre”, ku gjumi i mjaftueshëm e ndihmon atë.

Njerëzit mund të flenë më mirë, tha Prather. Zgjimi në të njëjtën kohë çdo ditë është një fillim, tha ai. “Sigurohuni që dhoma juaj e gjumit të jetë e freskët, e qetë dhe e errët”, këshilloi ai. “Praktikoni një periudhë të relaksimit gradual [para se të shkoni për të fjetur]”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!
-Advertisement-

Të tjera