Lajme

Gjuha shqipe së shpejti në Kuvendin e Maqedonisë

Autori: Gazeta inFokus 10:18 | 25 July 2017

Ligji për gjuhët së shpejti pritet t’i shkojë Kuvendit të Maqedonisë për miratim, pasi do të shqyrtohet nga qeveria.

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë Bujar Osmani tha se qeveria gjatë ditëve në vijim do të shqyrtojë ligjin për gjuhët, ndërsa më pas do të dërgohet në kuvend.

Osmani tha se nuk pret obstruksione nga ana e VMRO-DPMNE-së, në lidhje me këtë, ndërsa theksoi se ky është momenti që partia e Gruevskit të dëshmojë qëndrimin e saj ndaj shqiptarëve.

-Advertisement-

“Mendoj se ato e ndryshuan qëndrim publik ndaj shqiptarëve për shkak se kanë konstatuar se në partinë e tyre, kanë qasje të gabuar. Ne mendojmë se kjo është mundësi ideale që VMRO-DPMNE-ja ta korrigjoj qëndrimin e saj dhe me konsensus të përbashkët ta sjellim ligjin për gjuhët. Një ndjenjë të tillë kemi marrë pas qëndrimeve publike të VMRO-DPMNE-së”, tha Bujar Osmani, zv/kryeministër.

VMRO-DPMNE ditë më parë paralajmëroi se do të propozojë ligj pikërisht për gjuhën shqipe.

“Po punojmë në përgatitjen e disa teksteve të ligjeve të propozuara. Akoma nuk jemi ulur të punojmë për ligjin për gjuhën shqipe, por pyetja juaj do të jetë bazë për idenë tonë dhe shqyrtimet që do t’i bëjmë në mënyrë të detajuar”, tha Ilija Dimovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Edhe Kryeministri i vendit, Zoran Zaev, thotë se Ligji për Gjuhët është në fazën përgatitore në Ministrinë e Drejtësisë dhe në momentin që të jetë gati, do të dërgohet në Komisionin e Venecias dhe më pas do të hapet debat në Kuvend.

“Unë besoj që një gjë është e sigurt, qeveria do ta sjellë ligjin sigurisht para zgjedhjeve lokale, nëse do të jemi të përgatitur me Komisionin e Venecias, do ta sjellim ligjin edhe në Kuvend”, tha Zoran Zaev, Kryeministër.

Ndryshe, Ligji për Gjuhët është njëra nga pikat e deklaratës së përbashkët të partive shqiptare dhe një nga kushtet për formimin e qeverisë, raportojnë mediat në Maqedoni, transmeton Klan Kosova.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BLACK FRIDAY ME ZBRITJE DERI 70%
-Advertisement-

Të tjera